Nga: DARINA TANUSHI*
TIRANE – Akuzat e fundit të ministrit të Brendshëm,Saimir Tahiri, se Tom Doshi flet me nivelin e akuzave të Sali Berishës bënë që dje dy socialistët të ulen në një tavolinë për të sqaruar konfliktet. Tahiri dhe Doshi u panë dje në hotel “Rogner”, duke debatuar në mënyrë të tensionuar me njëri-tjetrin. Kohë më parë deputeti Doshi e kritikoi ministrin Tahiri se e ka mbushur policinë me tepelenas. Madje, sulmet u ashpërsuan më tej, ndërsa pas qëndrimeve të fundit të Doshit ndaj kryeministrit Rama, ministri Tahiri tha në intervistën e tij në “Opinion” se: “Unë nuk besoj se është e shëndoshë për parlamentin, institucionin, shoqërinë, niveli banal i akuzave dhe i shpifjeve të tipit të Berishës. Akoma dhe shumë keq më vjen kur këtij niveli i përafrohet cilido përfaqësues i mazhorancës”. Takimi u konfirmua dje nga deputeti Tom Doshi, i cili u tha gazetarëve se me ministrin kishin biseduar për situatën e rendit në qytetin e Shkodrës. Doshi nuk ka treguar shumë rreth takimit, nëse është folur për çështjen e emërimeve në polici.
REAGIMET
Ndërkaq, dje në një intervistë për “Top Channel”, deputeti tjetër i Shkodrës, Namik Kopliku u shpreh ashpër për kolegun e tij, pas deklaratave që ai bëri ditën e enjte. Edhe Kopliku, ashtu si edhe ministri Tahiri u shpreh se kolegu i tij flet me gjuhën e Berishës. “Askush nuk ka të drejtë të flasë në emër të socialistëve me gjuhën e Sali Berishës. Zoti Ristani në fjalimin e zakonshëm që mban në Kuvend, këtë radhë kishte gjetur të citonte pjesë nga deklarata e Tom Doshit. Pra, kjo deklaratë i përshtatet shumë mirë Sali Berishës dhe kampit të tij, – tha Kopliku. – Ka rrugë të tjera që interesat e tij personale ose shqetësimet e tij personale t’i bëjë të ditura në rrugë institucionale, jo me deklarata të tilla që sidoqoftë nuk lënë një shije të mirë, qoftë edhe nga ana etike. Të shash qeverinë tonë, kryeministrin me atë gjuhë si rrufe në qiell të pastër, pa pasur asnjë deklaratë përpara brenda grupit, qoftë edhe direkt me kryeministrin, mendoj se është e padrejtë, – tha deputeti i Shkodrës në këtë intervistë televizive. – Nuk është mirë që me gjuhë të tillë, fyese, denigruese për qeverinë në tërësi, për kryeministrin, janë komplet të pamerituara dhe për mendimin tim të papranueshme”, tha Kopliku. Sipas deputetit Kopliku, shkodranët kanë pritshmëritë e tyre për më shumë investime në këtë qytet. “Populli i Shkodrës, vërtet meriton dhe kërkon shumë më tepër nga qeverisja jonë, por populli i Shkodrës ka aftësinë, ka zgjuarsinë që të kuptojë që diçka që është shkatërruar apo prishur në themel këto 20 vjet, nuk mund të rregullohet njëherazi për një vit e gjysmë qeverisje. Socialistët nuk janë asnjëherë dakord që problemet e tyre të shfaqen me atë gjuhë, e cila nuk është as e mirë nga ana etike, as e drejtë nga ana politike”, u shpreh Kopliku. Sipas tij, “Zoti Doshi duhet të kërkojë ndjesë para grupit parlamentar dhe grupi parlamentar duhet medoemos të pranojë ndjesën eventuale të zotit Doshi. Grupi parlamentar i Partisë Socialiste duhet të jetë tolerant nga momente të tilla nervozizmi, por edhe zoti Doshi duhet të reflektojë se me gjuhën e Sali Berishës nuk rregullohen punët e grupit tonë parlamentar”.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: