Pas vendimit të Gjykatës së Apelit, që dënoi me 14 vite burg Frederik Totën për “shfrytëzim prostitucioni” dhe me 8 vite burg Sonila Mehjen për të njëjtën vepër penale, si dhe 7 vite shtetasi Kastriot Musa, ky i fundit ka reaguar, duke i quajtur absurde vendimet e gjykatës.

Sipas Musës, i cili është djali i tezes i Frederik Totës, prokuroria dhe gjykata nuk kanë pasur asnjë provë ndaj tyre përveç një dëshmie të një vajze që Musa thotë se ai vetë dhe djali i tezes i tij nuk e njohin dhe nuk e kanë parë asnjëherë në jetën e tyre dhe se ajo nuk ka qenë kurrë te lokali ku pretendohet se është ushtruar prostitucioni.

Kastriot Musa u dënua me 5 vite nga Gjykata e Shkallës së Parë, por u lirua, sepse e kishte shlyer me paraburgim, tashmë pas vendimit të Apelit me 7 vite burg, Musa do të duhet që të bëjë edhe dy vite të tjera, sapo të zbardhet vendimi, por ai thotë se nuk e ka ndër mend që të vetëdorëzohet, sepse kjo nuk është drejtësi.

Cili është reagimi juaj pas vendimit të Gjykatës së Apelit në Shkodër?
Reagimi jonë është se nuk i kemi borxh askujt. Unë flas për vete por edhe për djalin e tezës Rinard Totën se nuk jemi marrë me prostitucion apo gjëra të tillë asnjëherë. Çfarë ka ndodhur në gjykatat e Shkodrës me ne është një poshtërsi sepse vetëm gjykata nuk mund t’i thuhet. Na ka gjetur një dëshmitare të quajtur Ardiana Berisha që ne nuk e njohim fare dhe nuk kanë asnjë lloj fakti apo prove për ne. Kam vuajtur 40 muaj burg dhe djalin e tezes e kam prapë në burg po ashtu edhe punonjësen e lokalit Sonila Mehja. Ku janë faktet e provat kur edhe vajzat që janë arrestuar tek lokali i kanë bërë me gjyq të shkurtuar kur ata nuk e kanë ditur fare se çfarë është gjyqi i shkurtuar apo i zgjatuar por thjeshtë kanë thënë nuk jemi dakord me prokurorinë dhe për këtë janë disqet e audios në gjykatë. Ata kanë thënë se nuk na ka shfrytëzuar askush. Unë nuk e di përse prokuroria dhe gjykatat nuk kanë hapur kamerat e lokalit, duhet që të hapen dhe të shihet se çfarë është bërë në atë lokal. Prokuroria pretendonte se kati i dytë ku unë kam jetuar me gruan time është përdorur për prostitucion. Kamerat janë për 45 ditë me regjistrim dhe si ka mundësi që për 45 ditë aty nuk është ngjitur askush përveç meje dhe gruas që kemi patur shtëpinë dhe djalit tezes tim dhe punonjëses që ka jetuar aty. Nëse del se është ngjitur dikush tjetër atëherë unë shkoj vetë në burg të bëj sat ë duan.

Çfarë ka dëshmuar Ardiana Berisha kundër jush?
Nuk kanë asnjë fakt, por thjesht kanë sjellë Ardiana Berishën si viktimë në një kohë që ne atë nuk e njohim aspak dhe nuk e kam parë kurrë me sy dhe nuk ka qenë kurrë në atë lokal. Ajo ka dëshmuar se kam mbajtur 6 muaj të lidhur, unë sipas saj e paskam lidhur e zgjidhur në një kohë që gjyqtarja i ka bërë pyetjen në sallën e gjyqit si ke qëndruar t’i 6 muaj pa ngrënë bukë e lidhur, si jeton njeriu 6 muaj pa ngrënë e pa pirë dhe duke bërë marrëdhënie seksuale siç pretendon prokuroria. Nuk kanë asnjë lloj prove tjetër. Nëse del diçka një fakt tamam se unë kam shfrytëzuar apo ndërmjetësuar prostitucion jam i gatshëm që sot të shkoj në burg por nuk ka asnjë fakt. Pse nuk e kanë sjellë Ardiana Berishën në sallën e gjyqit por ta sjellin të lirshme, jo me polici. Unë ia kam bërë pyetjen nëse ti ke qëndruar 6 muaj në një lokal dhe nuk je e zonja të thuash se çfarë ngjyrash janë karriget, ku është banaku, si është tualeti etj, kjo është çmenduri. Nuk është përgjigjur.

Po Rinard Tota ka lidhje me akuzat për të cilat u dënua?
Edhe djali i tezes time, Rinardi si i bëri gjithë këto pasuri që pretendon prokuroria apo gjykata me prostitucion. Gjithë jetën ka jetuar me biznes, ka patur lokalin në lagjen “Perash në Shkodër” që ia shembi shteti dhe ka jetuar vetëm me biznes sërish. Ka dë fëmijë me shkollë të lartë jashtë Shqipërisë me gruan e tij, ata nuk paskan investuar për të bërë atë ndërtesë sepse gjykata vendosi që kati i dytë dhe i tretë t’i kalojë si pasuri shtetit, ku është drejtësia këtu. Prandaj i drejtohem avokatit të popullit, ministres së drejtësisë, SPAK dhe kujtdo tjetër që ta marrin dosjen tonë dh eta rishqyrtojnë edhe njëherë. Është bërë dosja jonë letër, janë ndërruar gjithë ata prokuror.

A do të dorëzoheni për të bërë edhe dy vitet e tjera në burg pas zbardhjes së vendimit nga gjykata e apelit në Shkodër?
Nuk e kam në plan të dorëzohem kur të zbardhet vendimi i gjykatës së apelit sepse kanë bërë poshtërsinë më të madhe. Drejtësia them se nuk mbaron këtu sepse do bëjmë recurs në Gjykatën e Lartë dhe nëse as gjykata e lartë nuk jep drejtësi atëherë do shkojmë deri në Strasburg. Këtu të humbin jetën, të marrin fytyrën, të degjenerojnë pa asnjë fakt vetëm këtu ka ndodhur. Në drejtësi shqiptare nuk besoj, kjo është drejtësi shtremaluqe.

 

 

 

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb