SHKODËR- Me pankartat “Ulni Taksat”; “Ku është shëndetësia falas”; “Ku po e çoni vendin”, dhjetëra banorë të Shkodrës, protestuan këtë fundjavë nën organizimin e Sindikatave të Pavarura të kryeqendrës së veriut.

Protestuesit bënë të ditur se Shkodra po i rikthehej protestave historike ashtu sikurse dhe vite më parë për të siguruar lirinë e cenuar nga revanshi dhe presionet nga aksionet e Tatim-Taksave, rritja e numrit të të papunëve, largimet politike si dhe emërimet jashtë çdo kriteri ligjor të mësuesve çfarë po cenon dhe cilësinë e mësimdhënies.

Kreu i Sindikatave të Pavarura në Shkodër, Albert Tukaj kërkoi sot reflektimin e qeverisë përballë kësaj situate mbytëse për gjendjen social ekonomike të çdo familjeje shqiptare.

“Nuk jemi këtu në një protestë politike apo të motivuar prej saj, janë premtimet e pambajtura dhe vështirësitë që po krijohen çdo ditë që na nxjerrin në rrugë si në vitet e para të demokracisë”, tha Tukaj duke theksuar se protestat e shkodranëve do të vijojnë. “Ne jemi busulla politike e Shqipërisë dhe shpresoj që nisma jonë të ndiqet nga të gjithë shqiptaret”, tha kryesindikalisti.

Protestuesit u mbledhur në pedonalen përpara bashkisë së Shkodrës kanë vijuar përgjatë rrugëve të qytetit me paralajmërimet se protestat e nisura sot nuk do të ndalonin, ndërsa  ftuan që këtyre protestave tu bashkoheshin të gjithë shqiptarët.

Për mbarëvajtjen e protestës policia kishte angazhuar dhjetëra forca policore, ndërkohë që protestuesit janë shpërndarë të qetë.

BERISHA: PROTESTA KUNDËR AKSIONIT POLITIK, ARBITRARITETIT TË BANDAVE TË QEVERISË NDAJ JETESËS NË VEND
Pas protestës ka reaguar edhe ish-kryeministri Sali Berisha që e ka quajtur këtë nisje të revolucionit demokratik. Berisha ka shkruar në profilin e tij në facebook se protesta e tregtarëve të Shkodrës dhe qytetarëve të saj, është revolta qytetare kundër aksionit politik, arbitraritetit të bandave të qeverisë ndaj biznesit, punësimit, jetesës në këtë vend.

“Shkodra në proteste, në mbrojte të punësimit, biznesit, kundër bandave të qeverisë! Të dashur miq, sot Shkodra është në protestë masive në mbrojtje të punësimit, biznesit dhe kundër politikës staliniste të qeverisë, aksionit të bandave të saj. Protesta e tregtarëve të Shkodrës dhe qytetarëve të saj, është revolta qytetare kundër aksionit politik, arbitraritetit të bandave të qeverisë ndaj biznesit, punësimit, jetesës në këtë vend. Nga 1 shtatori, qeveria shpalli aksionin stalinist të terrorit ndaj biznesit për ti zhvatur atij qindra milion euro që Edi Rama dhe suita e tij vjedhin çdo ditë e çdo natë në tenderë, dogana, tatime. Biznesmenë në mbarë vendin, Shkodra nisi revolucionin demokratik si rrugën e vetme për të shpëtuar bizneset tuaja nga kthetrat e mafies shtetërore. Solidarizimi me qytetarët dhe bizneset e Shkodrës është shpëtimtare për ju, familjet, bizneset tuaja dhe mbarë vendin! Fitore!”, shkruan Berisha.

(m.k/BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb