NGA SENAD NIKSHIQI

SHKODER- Përfaqësues të 20 familjeve që jetojnë tek ish-‘Artistikja’ në Shkodër kanë bllokuar dje për afro gjysmë ore rrugën që lidh stacionin e trenit me Unazën lindore të qytetit, pas urdhrit të Përmbarimit për të liruar banesat e tyre. Ka qenë Gjykata e Apelit të Shkodrës, e cila ka vendosur nxjerrjen e këtyre banorëve nga shtëpitë, pasi truallit i ka dalë pronari. Vendimi ka irrituar familjet në fjalë, që dje kanë deklaruar se janë të vendosur për të mos dalë nga banesat ku kanë jetuar për vite me radhë. Sipas tyre, ky është një krim i veshur me korrupsion në sistemin e drejtësisë.

“Gjykatësi, i cili ka dhënë vendimin për të na nxjerrë jashtë është i korruptuar. Pa na vrarë, nuk dalim nga këtu. Kur duan votat vijnë dhe i marrin. As kryetarja e bashkisë nuk merr mundimin për të ardhur dhe për të na parë, ndërkohë që kemi 4 ditë e 4 net që nuk flemë nga frika se vjen Përmbarimi dhe na nxjerr jashtë. Kërkojmë vetëm drejtësi”, thanë banorët. Është dashur ndërhyrja e forcave të policisë që situata të rikthehej në normalitet.

PROTESTA
Banorët që u hodhën në protestë ditën e djeshme u shprehën se vendimi i dhënë nga gjykata është absurd. “S’kemi ku të shkojmë. Po të duan, të vijnë dhe të na mbysin dhe pastaj të bëjnë çfarë të duan. I kemi dhënë votën kryebashkiakes Vol-tana Ademi, ndaj duhet të vijë këtu që të zgjidhë problemin që kemi. Polici i lagjes na ka sjellë një letër të Përmbarimit për të dalë sot (dje) jashtë. Kërkojmë të drejtën tonë se kemi 25 vite këtu, disa banesa janë në proces legalizimi. Nuk mund të bëhet kështu”, tha Marjan Zefi. Ndërkaq, përfaqësues të 20 familjeve pohuan se pronarët që pretendojnë se është trualli i tyre kanë dokumentet false.

“Pse nuk vjen pronari i truallit të sqarohet me ne? Nuk e njohim fare deri më sot (dje). Jemi ankuar në të gjitha institucionet dhe askush nuk na është përgjigjur deri tani. S’ka drejtësi. Të gjithë janë të korruptuar, ndërsa flasin për reformën në drejtësi. Është turp kjo që po ndodh”, deklaruan banorët që kanë marrë urdhër për të dalë nga shtëpitë. Ndërkaq, ata sqaruan se ndërtesa ku banojnë ka qenë më parë e shtetit. “Gjykata i bën këto punë. Kemi fletë-hyrjen që nga viti 1993 që na e ka dhënë Bashkia Shkodër. Ne e kemi mbajtur ndërtesën, sepse ka qenë e braktisur. Vite më parë ka qenë e shtetit dhe nuk ka pasur fare pronësi, ndërsa tani pas 25 vitesh i del pronari. Jemi ankuar kudo, por s’kemi gjetur zgjidhje”, thanë pjesëtarë të 20 familjeve.

POLICIA
Pas njoftimit për bllo-kimin e rrugës, policia ka shkuar në vendngjarje. Blutë kanë kërkuar lirimin e rrugës dhe pas një debati jo të gjatë është gjetur konsensusi. Pas negocimit, banorët liruan rrugën kryesore, por bllokuan hyrjen tek rrugica e tyre. Gjergj Sokoli, përfaqësues i banorëve në këshillin bashkiak kërkoi një hetim të thellë për këtë çështje.

“Si përfaqësues i kësaj zone në Këshillin Bashkiak të Shkodrës bashkohem me shqetësimin e banorëve të ish-‘Artistikes’. Kërkoj me forcë edhe pjesës tjetër të komunitetit këtu që ta mbështesin këtë protestë në të ardhmen. Kërkoj nga drejtësia, antikrimi ekonomik, nga Agjencia e Kthimit të Pronave, prokuroria dhe gjykatat që të hetohet kjo pronë, prejardhjen dhe kush fshihet pas kësaj. Minarja në thes nuk hyn. Nuk është aspak e drejtë që banorët të nxirren jashtë. Kanë 25 vite këtu dhe kanë punuar në veprat e shtetit, në hidrocentrale apo miniera”, u shpreh këshilltari bashkiak.

(Gazeta Shqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: