SHKODËR- Policia e Shkodrës ka sekuestruar një sasi të konsiderueshme duhani gjatë një aksioni të përbashkët me grupet e antikontrabandës të Drejtorisë së Doganave dhe Crown Agents.

Sipas informacionit zyrtar nga Doganat ka vijuar sot në Shkodër faza e dytë të aksionit kundër prodhimit dhe tregtimit ilegal të produkteve të duhanit. Faza e parë kishte të bënte me goditjen e tregtimit të paligjshëm në tregjet me pakicë, në të gjithë vendin, ndërsa faza e dytë ka vijuar sot me goditjen e transportuesve, pikave të grumbullimit, përpunimit (grirjes) dhe paketimit.

Në zonën e Shkodrës, janë identifikuar dhe janë kryer procedurat përkatëse për 10 pika grirësish industrialë të duhanit, 2 baza mekanike të cilat prodhojnë makineri industriale për grirjen e duhanit, linja prodhimi duhani të paketuar të falsifikuar dhe 1 linjë prodhimi cigaresh të falsifikuara.

Si rezultat është sekuestruar edhe një sasi e konsiderueshme gjethe duhani, duhani të grirë, duhan i paketuar i falsifikuar, rreth 5.5 ton, si dhe 48 140 paketa cigare të falsifikuara.

“Prodhimi ilegal, përveç dëmit ekonomik që i shkakton Buxhetit të Shtetit, mbart rreziqe edhe për konsumatorin, pasi produktet që tregtohen janë të pakontrolluara dhe të palicensuara nga organet përkatëse”, deklaron Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, duke iu bërë thirrje këtyre bizneseve të formalizohen.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: