Prej rreth 2 orësh Shkodra është përfshirë nga flakët, ndërkohë që momentalisht ka katër vatra zjarri që janë aktive, në Bërdicë e Madhe, Grudë fushë, Kodrat e Bardhajve dhe në Prekaj të Postrinës.

Gazetari Mirsad Rakaj raporton për News24 dhe BalkanWeb se situata paraqitet më problematike në Bërdicë, në një lagje të njohur si Masmalaj, ku dhjetëra hektarë bimësi e shkurre janë djegur ndërsa dhe dhjetë banesa janë të rrezikuara nga flakët.

Një banesë është djegur tashmë, ndërkohë që bëhet me dije se është një banesë një katëshe e braktisur, pasi pronarët e saj jetojnë jashtë shtetit.

Sipas autoriteteve, banesat e tjera nuk rrezikohen.

Gazetari Rakaj raporton se momentalisht në terren janë katër zjarrfikës ndërsa dy kanë ardhur në ndihmë nga Vau i Dejës.

Momentalisht nuk kërkohet ndërhyrje nga ajri pasi terreni është kodrinor dhe i arritshëm në rrugë tokësore.
Në ndihmë të zjarrfikësve kanë ardhur edhe vullnetarë të zonës dhe forcat e ushtrisë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb