NGA XHENSILA KODRA*

Policia e Shtetit shpall datat e testimit me shkrim të aplikantëve për të ndjekur studimet në Akademinë e Sigurisë, për Shkollën Bazë të Policisë, për “Patrullë e Përgjithshme”. Me anë të një njoftimi zyrtar nga ana e policisë, u bë me dije se urdhri i datave të testimit u caktua nga kreu i Policisë, Haki Çako. Procesi i aplikimit filloi më 15 janar 2016 dhe përfundoi më 15 shkurt 2016.

Ndërsa, procesi i verifikimit të dokumentacionit të aplikantëve përfundoi më datë 29.02.2016. Nga verifikimi i bërë rezulton se numri total i aplikantëve që plotësojnë kriteret për të ndjekur fazat e mëtejshme të konkurrimit është 5.020. Mësohet se, nga këta persona, 4.542 janë meshkuj dhe 478 janë femra. Në bazë të urdhrit të Drejtorit të Policisë së Shtetit, faza e parë e konkurrimit (testimi me shkrim) do të zhvillohet në ambientet e sallës së Koncerteve (Pallati i Kongreseve) në datat 15, 16 dhe 17 mars 2016, sipas numrave kodikë që do të publikohen në vijim. Konkretisht, më datë 15 mars, testimi do të kryhet për Drejtoritë Vendore të Policisë Tiranë e Kukës; më 16 mars për Drejtoritë Vendore të Policisë Durrës, Elbasan Berat dhe Fier; si dhe më 17 mars për Drejtoritë Vendore të Policisë Lezhë, Shkodër, Gjirokastër, Korçë, Vlorë dhe Dibër. Ndërkohë, policia njofton të gjithë aplikantët se duke filluar që sot, duhet të paraqiten pranë zyrave të Burimeve Njerëzore në Drejtoritë Vendore të Policisë ku kanë aplikuar, me qëllim tërheqjen e numrit kodik që iu duhet për t’u pranuar në konkurrimin me shkrim.

MASAT
Sipas policisë, Akademia e Sigurisë ka marrë të gjitha masat e nevojshme për zhvillimin e fazave të konkurrimit, si: Testimi me shkrim, i cili do zhvillohet në datat 15, 16 dhe 17 mars 2016; Testimi i aftësive fizike, që do zhvillohet pas daljes së rezultateve të testimit me shkrim; Intervista me gojë, ushtrime vlerësuese dhe testimi i aftësive të të shkruarit, që do të zhvillohet pas daljes së rezultateve të testimit të aftësive fizike; Testimi psikologjik, i cili do të zhvillohet në përfundim të tri testimeve të para. “Policia e Shtetit garanton të gjithë aplikantët se ka marrë të gjitha masat me qëllim kryerjen e një procesi testimi të drejtë, të paanshëm dhe transparent, sipas parimit të shanseve të barabarta, meritës dhe mosdiskriminimit”, thuhet në njoftimin e policisë. Pesha specifike e secilit testim, në raport me rezultatin e përgjithshëm, është: Testimi me shkrim zë 70%; Testimi i aftësive fizike zë 20%; Intervista me gojë, ushtrime vlerësuese dhe testimi i aftësive të të shkruarit zë 5%; si dhe testimi psikologjik zë 5%.

SKUALIFIKIMET
Aplikanti skualifikohet në rastet kur: nuk kalon testin me shkrim nëse nuk merr 70% të pikëve të këtij testimi; nuk kalon testin fizik nëse nuk merr 60% të pikëve të këtij testimi; nuk kalon intervistën me gojë nëse nuk merr 70% të pikëve të këtij testimi; nuk kalon testin psikologjik nëse nuk merr 70% të pikëve të këtij testimi.

UDHËZIME PËR TESTIN ME SHKRIM

1.    Ky test përbëhet prej 100 pyetje dhe çdo pyetje vlerësohet me 1 pikë.
2.    Koha e testimit është 2 orë. Do të njoftoheni për kohën e mbetur, një herë në 30 minutat e fundit dhe një njoftim tjetër kur të kenë mbetur 5 minuta. Është e rëndësishme që ti përgjigjeni të gjitha pyetjeve brenda kohës së caktuar.
3.    Për t’ju përgjigjur pyetjeve duhet të përdorni vetëm LAPSIN.
4.    Shkruani Emrin dhe Mbiemrin në krahun e majtë të faqes së parë të testit.
5.    Kontrolloni KODIN tuaj personal të cilin duhet ta plotësoni tek seksioni ID NUMBER të fletës SCANTRON në katër kutitë e fundit dhe duke nxirë numrat në kolonat përkatëse vertikalisht.
6.    Tek seksioni LAST NAME  FIRST NAME shënoni mbiemrin tuaj, një kuti bosh pastaj emrin dhe më pas filloni të mbushin (nxini) me laps gërmat përkatëse sipas kolonës vertikalisht për çdo shkronjë.
7.    Në kutinë që shënon TEST FORM mbushni atë shkronjë që i korrespondon shkronjës së VARIANTIT të testit që gjendet në anën e djathtë të faqes së parë të testit.
8.    Duhet të mbushni mirë me laps të gjithë rrethin që keni zgjedhur. Në rast se nuk mbushen mirë përgjigja juaj mund të mos lexohet nga lexuesi optik (skaneri).
9.    KUJDES!!! Mosplotësimi i saktë i KODIT, MBIEMER EMER dhe VARIANTIT të testit vlerësohet me 0 zero pikë.
10.    Pyetjet kanë 4 (A,B,C,D) ose 2 (A,B) alternativa. Përgjigjen tuaj duhet ta plotësoni në fletën SCANTRON në seksionin SCORE SHEET. Çdo numër pyetje e testit i korrespondon numri i pyetjes ne fletën SCANTRON.
11.    Mos bëni asnjë shenjë tjetër në fletën SCANTRON.
12.    Gjatë kohës së zhvillimit të testit nuk ju lejohen përdorimi i celularëve, makinave llogaritëse apo materialeve të tjera. Gjithashtu ndalohet komunikimi me kandidatët e tjerë. Shkelja e këtyre rregullave ju përjashton automatikisht nga procesi i konkurrimit duke ju skualifikuar.
13.    Nëse keni pyetje ngrini dorën dhe prisni derisa mbikëqyrësi që ndodhet në mjedisin  testimit t’ju përgjigjet.
14.    Të gjitha materialet (materiali i testit, fleta SCANTRON, shënimet, lapsat dhe materiale të tjera që ju jepen gjatë testimit) duhet të dorëzohen pas përfundimit të testit. Nga mjedisi ku zhvillohet testimi nuk mund të merret asgjë me vete.
Testi përmban:
30 pyetje – Gjuhë/letërsi
10 pyetje – Matematikë
10 pyetje – Shkenca
20 pyetje – Histori/Gjeografi (e Shqipërisë)
30 pyetje – Shkenca Shoqërore

Testimi me dy turne,
hyrja sipas numrit kodik

Burime pranë Policisë së Shtetit pohuan për “GSH” se aplikantët që kanë numrin kodit të marrë nga Drejtoritë Vemndore të plicisë, nga 001-1003, do të hyjnë në testim më datë 15 mars, ora 07:00 (turni i parë). Kurse, për aplikantët që kanë numrin kodik nga 1004-2006, do të hyjnë në provim po në datën 15 mars, në orën 12:00 (turni i dytë). Nga numri kodik 2007-3009, do t’i nënshtrohen testimit me shkrim më datë 16 mars, ora 07:00 (turni i parë). Nga numri kodik 3010-4012 do të hyjnë në testim me shkrim më datë 16 mars, ora 12:00 (turni i dytë). Ndërsa, nga numri kodik 4013-5020 do të hyjnë në testim më datë 17 mars, ora 07:00 (turni i parë).

DETAJET E TESTIMIT

DATAT
15.03.2016 për Drejtoritë Vendore të Policisë Tiranë e Kukës

16.03.2016 për Drejtoritë Vendore të Policisë Durrës, Elbasan e Berat

17.03.2016 për Drejtoritë Vendore të Policisë Lezhë, Shkodër, Gjirokastër, Korçë, Vlorë e Dibër

Piket
Testimi me shkrim zë 70%
Testimi i aftësive fizike zë 20%
Intervista me gojë, ushtrime vlerësuese dhe testimi i aftësive të të shkruarit zë 5%
Testimi psikologjik zë 5%

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: