TIRANË

Partia Demokratike i ka drejtuar disa pyetje ministres së Arsimit Evis Kushi pas problematikës në shkollën 9-vjeçare “Emin Duraku” në kryeqytet ku 10 mësues rezultojnë me COVID-19, ndërsa zyrtarisht u tha se mësuesit janë zëvendësuar dhe se mësimi vijon normalisht.

Ish-deputetja e PD-së Albana Vokshi deklaron se është kriminale t’iu fshehësh prindërve situatën e COVID-19 në shkolla dhe se deklarata e Drejtorisë Arsimore është përtej skandalozes.

Ajo pyet pse ka kaq shumë raste mësuesish dhe stafi me COVID-19 në shkollën “Emin Duraku dhe a ka ISHP një raport për shkakun pse shkolla është shndërruar në vatër të rrezikshme të përhapjes së COVID-19?!

Sipas Vokshit, zbatimi i planit të rimëkëmbjes të PD do zbuste dhe përmirësonte situatën e COVID-19 në shkolla.

DEKLARATA E PLOTË
Nuk është #pafytyrësi, është #kriminale t’ju fshehësh prindërve situatën e #COVID19 në shkolla.
Deklarata e Drejtorisë Arsimore Tiranë, në lidhje me situatën e COVID-19 në Shkollën Emin Duraku, është përtej #skandalozes.
Të marrësh përsipër të mbulosh gjendjen e rënduar e ta paraqesësh atë si normale do guxim shumë të madh. Kushdo që e ka shkruar duhet të shkojë për ndjekje penale.
Por le të shtrojmë disa pyetje për urdhëruesen e deklaratës znj. #Kushi:
– Në bazë të informacioneve të fundit që kanë mbërritur në PD, situata në shkollën “Emin Duraku” është edhe më e rënduar. Bilanci deri më tani: 10 mësues dhe 3 sanitare me COVID-19. Në një shkollë ku 1400 nxënës janë të rrezikuar çdo ditë, sa mësues të tjerë duhet të infektohen që shkolla të mbyllet disa ditë? Derisa të kryhet tamponimi i të gjithë nxënësve të paktën në klasat e mësuesve pozitivë si dhe hetimi epidemiologjik i familjeve të tyre? Apo mbyllja e shkollës do rrëzonte #propagandën e Ramës që situata është nën kontroll…
– Pse prindërit nuk u njoftuan në kohë që kur nisën rastet e para të mësuesve dhe stafit me COVID-19? Kush ka marrë përsipër e ka guxuar t’i heqë prindërve të drejtën për t’u informuar e për të vendosur për fëmijën e tij nëse do e çojë në shkollën vatër COVID? Apo të marrë masat e nevojshme për ta mbrojtur atë?
– Pse ka kaq shumë raste mësuesish dhe stafi me COVID-19 në shkollën “Emin Duraku? A ka ISHP një raport për shkakun pse shkolla është shndërruar në vatër të rrezikshme të përhapjes së COVID-19?
– Në deklaratë pranohet që masa e vetme e marrë është dezinfektimi 3 herë në javë dhe zëvendësimi me mësues në dispozicion. Ndërkohë që nuk është zbatuar #Protokolli i #Sigurisë. Nxënësit nuk janë tamponuar, asnjë prind nuk është kontaktuar nga #ISHP apo mjeku i familjes. Pra ende sot nuk dihet përhapja e virusit në familjet e nxënësve apo mësuesve. Kush mban përgjegjësi për shkeljen e protokollit të sigurisë në shkolla dhe #Udhëzimit për Nisjen e Vitit të ri shkollor?
– Pse të premten u bashkuan klasat? Sa fëmijë munguan? Sa prindër refuzuan të çojnë fëmijët në shkollë?
#Ministrja Kushi të mos fshihet pas deklaratave të Drejtorisë arsimore, por të urdhërojë marrjen e menjëhershme të masave të domosdoshme
te shkolla “Emin Duraku” apo të gjitha shkollat që po shndërrohen në vatra të rrezikshme përhapje infeksioni para se të jetë vonë.
Shëndeti dhe jeta e mësuesve dhe nxënësve janë më të rëndësishme se propaganda e #Ramës.
Është edhe një herë është rasti t’i kujtojmë Ramës dhe Kushit që zbatimi i planit të rimëkëmbjes të PD do zbuste dhe përmirësonte situatën e COVID-19 në shkolla.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb