Dita e sotme shënoi edhe fillimin e vitit të ri shkollor 2020-2021. Në kushte jo normale të ndikuara nga pandemia globale Covid-19,u hapën sot dyert e të gjitha shkollave 9-vjeçare dhe të mesme në qarkun e Beratir. Me maska e dezinfektantë si dhe të pajisur me formularin e deklarimit personal që nuk janë të prekur nga Covid, nxënësit kanë hyrë në klasa, ndërkohë që në hyrje të shkollës të gjithë nxënësve ju është matur temperatura.

Në të gjitha shkollat por edhe në kopshtet e çerdhet në të gjithë qarkun e Beratit janë marrë masat për përmbushjen e kushteve dhe protokolleve të sigurisë, të vendosura nga Ministria e Arsimit dhe Ministria e Shëndetësisë. Stafet pedagogjike në shkolla e kopshte kanë kryer rregullimin e klasave për ti përshtatur ato me rregullat e reja, duke ruajtuar distancën mes bankave, ndërkohë që janë marrë edhe masat për higjenën dhe vendosjen e dezinfektantëve në çdo ambient kopshti e shkolle.

Vetëm 2 mësues në qarkun e Beratit kanë rezultuar “pozitivë” me Covid-19 gjatë gjithë periudhës së pandemisë por edhe ata janë negativizuar. Siç edhe bëhet me dije nga nga Zyra Asimore Berat, mësimi në 80% të shkollave në të gjithë qarkun do të kryhet me dy turne, ndërkohë që të gjitha shkollat janë funksionale dhe në kushte të mira. Prindërit e nxënësve deklarojnë se, janë të kënaqur me masat e marra në shkolla por ky është vetëm fillimi dhe do parë si do të vijojë situata në ditët në vazhdim, ndërkohë që prindërit kanë deklaruar se, i kanë pajisur fëmijët me maska, dezinfektantë dhe formularin e vetëdeklarimit.

Qarku i Beratit ka sivjet, në këtë vit të ri mësimor 19 500 nxënës, ku 1510 fëmijë në të gjithë qarkun janë regjistruar për herë të parë në klasën e parë. Vetëm në rrethin e Beratit janë 27 shkolla me 7500 nxënës.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: