Ish-deputeti i PD-së Luçiano Boçi ka reaguar sërish pas deklaratave të kreut të Bashkisë Shijak Elton Arbana për shkollat e dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit dhe që nuk do të hapen më 14 shtator.

Boçi shkruan në një postim në “Facebook” se Elton Arbana që zakonisht flet me banditët për të blerë vota, sot ka mashtruar për ndërtimin e shkollave të dëmtuara nga tërmeti. Sipas tij, ai ndryshe nga i zoti, “GATI” quan momentin e shembjes dhe jo momentin e ndërtimit. Boçi thekson se 3 shkolla do bëjnë mësim në një ndërtesë me 8 klasa me 14 shtator.

Pas deklaratës së parë të Boçit, Arbana e cilësoi shpifje dhe tha se në Shijak po ndërtohen dy gjimnaze dhe kopshti nr.1 që pritet të përfundojnë brenda nëntorit. “Shkollat ‘Petrit Llaftiu’ dhe ‘Lidhja e Prizrenit’ kanë nisur, janë në proces demolimi. Shkolla ‘Rilindja’ dhe Kopshti Nr.2 do të nisin së shpejti rindërtimin. Në bashkëpunim me ZVA Shijak, rikthimi i nxënësve në çdo shkollë në qytet dhe në fshatra do të jetë me 100% siguri brenda protokolleve të vendosura për shkak të pandemisë. Disa shkolla financohen nga buxheti i shtetit, disa nga UNDP. Sigurisht që procedurat janë të ndryshme. Kjo është dhe arsyeja që në paketën e parë me 143 shkolla përfshihet: Gjimnazi ’16 shtatori’ Shijak Gjimnazi ‘Kajo Karafili’ Maminas Kopshti nr.1 Shijak”, deklari Arbana.

POSTIMI I PLOTË
TELLALLI DHE I ZOTI
Në largim e sipër, pas dështimit të përditshëm këto 7 vjet, Rama i përgjigjet akuzave të opozitës me “tellallin” (kryetarin e bashkisë) e emëruar të bashkisë Shijak, i njëjti që figuron në përgjimet e dosjes 339.

Elton Arbana që zakonisht flet me banditët për të blerë vota, sot ka mashtruar për ndërtimin e shkollave të dëmtuara nga tërmeti.
Ndërsa kryemashtruesi premtoi se 143 shkollat, përfshirë dhe ato të Shijakut, do të ishin gati në Shtator, miku i banditëve në Shijak flet për një tjetër premtim.

Ai ndryshe nga i zoti, “GATI” quan momentin e shembjes dhe jo momentin e ndërtimit.
Pak a shumë si me përgjimet: kemi fol me Avdylajt, por jo për votat.

Ndërkohë ajo që duket qartë është fakti qe jemi në Shtator dhe në vend të shkollave të ndërtuara, ka vetëm shkolla që po rrafshoheshin, ose projekte në 3D.

Nga katër shkolla të Shijakut, të përfshira në projektin e rindërtimit, vetëm në dy ka nisur puna, por dhe ato nuk do të presin nxënës në këtë shtator.

400 nxënësit e të dy shkollave 9 vjeçare, të sapo rrafshuara, “Petrit Llaftiu” dhe “Lidhja e Prizrenit”, duhet të shkojnë të bëjnë mësim tek “Muharrem Dollaku”, me gjithsej 9 klasa.

Me turne, pa kushte për protokolle sigurie dhe me banga të vjetëruara, me mjete mësimore dhe libra të përdorura.
Kjo është e vërteta dhe propaganda apo videot me regji qëndrore nuk e fshehin dot.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb