ELBASAN – I ftohti i këtyre ditëve dhe mungesa e ngrohëseve në shkollë ka bërë që fëmijët e shkollave në Elbasan të zgjedhin një mënyrë mjaft origjinale për t’u ngrohur në klasa. Pasi janë ngritur herët në mëngjes, ata janë veshur trashë në shtëpi e më pas kanë marrë me vete edhe batanijet me të cilat ishin mbuluar gjatë natës.
Ne një shkollë 9­vjeçare të qytetit të Elbasanit, disa nxënës të një klase janë mbuluar me batanije në orët e mësimit. I ftohti në orët e para të mëngjesit shënonte ­6 gradë celsius, ndaj ata janë detyruar të marrin nga shtëpitë e tyre batanije dhe të mbulohen në klasë, si e vetmja mënyrë për të mos humbur orën e mësimit. Madje edhe mësuesit në heshtje e kanë pranuar këtë veprim të fëmijëve, duke i toleruar ata për të marrë pjesë në mësim edhe me batanijet hedhur krahëve.
Mësohet se një pjesë tjetër e klasave të shkollave 9­vjeçare e kanë gjetur zgjidhjen që në fillim të vitit. Vetë nxënësit kanë hedhur lekë dhe e kanë blerë një furnelë për t’u ngrohur. Një furnelë nuk është e mjaftueshme për të ngrohur klasën, por nxënësit ngrohen me radhë, në mënyrë që të përballojnë sa të munden acarin e këtyre ditëve. Një tjetër mënyrë që nxënësit po përdorin këto ditë, janë edhe bidonët me ujë të ngrohtë duke i mbajtur ata herë në duar dhe herë te këmbët.
“Në klasë është shumë ftohtë, aq sa mund të ngrish. Nuk kishim asnjë zgjidhje tjetër, ndaj menduam të merrnim batanijet që mbuloheshim natën me vete”, shprehet një nxënës i klasës së 9­të në Elbasan. Nga ana e Drejtorisë së Arsimit pranohet kjo gjendje, por shprehen se e kanë të pamundur që të investojnë vetë për të zgjidhur problemin e ngrohjes.
(er.nu/panorama/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: