Të hënën më 7 mars, me rastin e 125-vjetorit të hapjes së Shkollës së Vashave në Korçë, u hap ekspozita me titullin “Shkollat shqiptaro-amerikane, 1891-1933”, tek Muzeu Historik Kombëtar. Ekspozita është organizuar nga Qëndra Mbarëkombëtare e Koleksionistëve Shqiptare (QMKSh), në bashkëpunim me Institutin për Studime Shqiptare dhe Protestante (ISShP). Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun deri më 12 mars. Aty ekspozohen librat e para shkollore në shqip, dëftesa, diploma, fotografi, letra dhe artikuj të ndryshëm nga shtypi i kohës, në gjuhën shqipe dhe angleze. Pavionet do të jenë si mëposhtë: 1) Puna përgatitore e misioneve protestante për hapjen e shkollave dhe për përkthimin e botimin e teksteve në gjuhën shqipe;

2) Shkolla e Vashave në Korçë (1891-1914 – Gjerasim Qiriazi, Sevasti Qiriazi); 3) Shkolla Teknike në Tiranë (1921-1933 – Kryqi i Kuq, Herri Fultzit); 4) Instituti Bujqësor Shqiptaro-Amerikan në Kavajë (1926-1933 – Çarlz Erikson); 5) Instituti “Kyrias” në Kodër Kamëz (1922-1933 – Kristo Dako, Sevasti Qiriazi Dako, Parashqevi Qiriazi) dhe 6) Shkolla Qytetëse “Kennedy” (1925-1933 – Fineas and Violeta Kenedi, Bordi Amerikan i Misioneve).

“Gazeta Shqiptare” boton tri prej këtyre imazheve që sipas koleksionistëve janë panjohura për publikun: Abetaren e Parashqevi Qiriazi, viti 1915, Shkollën e Vajzave të Parashqevi Qiriazit të vitit 1913 dhe një fotografi shumë e rrallë të Sevastisë dhe e Parashqevi Qiriazi kur ishin fëmijë.

Parashqevi Qiriazi, lindi në Manastir më 2 qershor 1880. Shkollën fillore e kreu në vendlindje. Në vitin 1899, ishte nxënëse e Shkollës së Vashave në Korçë. Edhe Parashqevia mësimet e larta i kreu në Kolegjin Uimins në Stamboll në vitin 1904. Kthehet në Korçë dhe merr drejtimin e shkollës shqipe të vajzave dhe iu kushtua mësuesisë. Në vitin 1908, mori pjesë aktive në Kongresin e Manastirit. Sevasti Qiriazi lindi në Manastir në vitin 1871. Në fillim mësoi në shkollën fillore greke, e më vonë në shkollën amerikane në Manastir, ndërkaq studimet e larta në Kolegjin e vajzave në Stamboll, në vitin 1891, nën kujdesin e Naim Frashërit. Menjëherë pas diplomimit, Sevastia u kthye në Shqipëri për të puanuar në shkollën shqipe të vashave. Mori pjesë në Kongresin e Elbasanit (1909), ishte anëtare e komisionit për shqyrtimin e teksteve shkollore të ngritura nga shoqëria “Përparimi”.

Botoi “Gramatikën elementare për shkollat fillore” (Manastir 1912), Shkronjëtoren e gjuhës Shqipe”, dhe përgatiti për botim serinë e teksteve të historisë së kohës së moçme, të mesme, të re dhe të sotme etj. Sipas prof.Dr.Nebi Dervishit, Qiriazët, ishin ndër ato familje të shumta shqiptare, që jetonin në Manastir, i cili kishte një pozitë gjeografike të rëndësishme nga pikëpamja strategjike, administrative e tregtare. Manastiri në atë kohë përshkruhej nga një rrjet i dendur rrugësh që e lidhte Shkupin, Dibrën, Janinën, Selanikun dhe Konstantinopojën. Lidhja hekurudhore e Manastirit me Selanikun i kishte dhënë rëndësi të veçantë këtij qyteti, sepse, siç shkruante Sami Frashëri “Ishte një nyje në mes të Selanikut dhe të Shqipërisë”.

(m.k/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: