Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj e ftuar në emisionin ‘’Kjo Javë’’ të Nisida Tufës në News24 ka deklaruar se qeveria ka si qëllim që asnjë i mitur mos shkojë më në burg.

Ajo thotë se sot shifrat janë të pakta pasi vetëm një i mitur është dënuar kurse 22 të tjerë janë të paraburgosur.

Gjithsesi Gjonaj pohon se po ngrihen fondet për ndërtimin e institucionit që do të jetë një shkollë riedukimi ku të miturit do të hyjnë në një institucion të hapur dhe do të marrin trajtim social me qëllim që mos i kthehen më rrugës së krimit.

Sa i përket ndihmës ligjore falas, ministra shton se çdo qytetar do të ketë mundësinë e avokatit falas, shpenzimet për të cilin i mbulon shteti tashmë ngabuxheti.

Një çështje shkon deri në 2.5 milionë lekë të vjetra shpenzime dhe tashmë të gjitha këto i mbulon buxheti në rast se qytetari është në pamundësi për të paguar.

PJESË NGA INTERVISTA

PYETJA: Ndihma ligjore falas, çfarë zgjidh kjo në të vërtetë?

ETILDA GJONAJ: Ndihma juridike falas është pjesë e Reformës në Drejtësi, është tërësisht një skemë e re, i jep mundësi çdo qytetari në pamundësi financiare të marrë shërbimin ligjor falas, duke përfshirë dhe përfaqësimin në gjykatë me avokatë të specializuar. E përfitojnë drejtpërdrejt avokatin falas, të mbuluar nga buxheti i shtetit. Skema ka filluar të funksionojë vitin e kaluar dhe ne jemi thuajse me trefishin e çështjeve, që kanë të bëjnë me ofrimin e ndihmës ligjore dytësore apo avokatin falas për çdo qytetar, sepse sot ky vendim merret nga gjykata, ekzekutohet nga ne, por nga ana tjetër është një rrjetëzim, që ka të bëjë me bashkëpunimin që kemi me shoqërinë civile, 10 klinikat private arsimore, si dhe me 10 qendra që ne kemi hapur në të gjithë territorin, për të qenë sa më të aksesueshme nga qytetarët. Për një çështje shkon gati në 2.5 milionë lekë të vjetra shpenzimet, që mbulohen nga buxheti i shtetit. Kemi gati shpenzuar dyfishin e buxhetit, krahasuar me vitin e kaluar, vetëm për përfaqësimin në gjykatë. Dua ta them që është konsideruar si një ndër rastet më të mira të funksionimit të ndihmës ligjore falas në rang rajonal.

PYETJA: Si po ecet për një shkollë riedukimi për të miturit, që mos të përballen menjëherë me burgimin?

ETILDA GJONAJ: Pjesa penale për të miturit ka qenë dhe është pjesë e Reformës në Drejtësi. Çdo akt nënligjor është përgatitur dhe miratuar gjatë kësaj kohe, me mbështetjen e ekspertizës së partnerëve ndërkombëtarë dhe shoqërisë civile, ku promovimi i një drejtësie miqësore e rehabilituese ka qenë qëllimi kryesor. Gjëja e parë që kam bërë kur erdha në pozicionin e ministres së Drejtësisë ishte përfshirja e të gjithë të miturve në një institucion, siç ishte ai i Kavajës. Numrat sot janë shumë të pakta, kemi vetëm një të dënuar të mitur dhe rreth 22 të mitur të paraburgosur, por ajo që kemi si synim për të ndryshuar tërësisht është që të miturit të mos shkojnë më në burgje, të mos përballen me burgun, por të ngrihet instituti mutlidisiplinar i trajtimit të të miturve, ku gjithë të miturit që do të dënohen nga gjykata apo do jenë të paraburgosur të qëndrojnë në këtë institut. Ne kemi filluar funksionimin e qendrës së parandalimit të të miturve, që shërben për t’i riintegruar ata pasi mbarojnë burgimin, dhe pothuajse kemi përfunduar projektimin e godinës së re, që do të jetë një institucion i hapur, ku të miturit do të takohen me familjarët, do të ndjekin arsimin si moshatarët e tyre, por do të kenë dhe mundësinë e trajtimit social, me qëllim që mos i kthehen më rrugës së krimit. Jemi në momentet që po ngremë fondet për ndërtimin e këtij institucioni.

PYETJA: A keni pasur ndonjë moment të vështirë në krye të detyrës si ministre?

ETILDA GJONAJ: Është vërtet shumë e vështirë dhe momente të vështira ka pafund. Është shumë e vështirë, sidomos kur nuk ke mundësinë që t’i kushtosh kohën familjes, qoftë edhe detyrimet familjare, në konceptin e familjes më të gjerë, por në rastin konkret familjes më të ngushtë, bashkëshortit dhe djalit, të cilët në fakt kanë qenë gjithmonë mbështetës të pozicionit tim, të detyrës sime, por ka pasur shumë vështirësi, pasi ti nuk je dot pjesë e të gjitha kënaqësive familjare, që i ke pasur dikur. Nga ana tjetër, mund të mungosh, sidomos në jetën e tim biri, që po rritet dhe ka nevojë shumë më shumë për të folur e për të pyetur për gjërat që e shqetësojnë. Kam tentuar që orët e mbrëmjes apo fundjavat t’ua kushtoj atyre.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb