Mediat sociale japin mundësinë që krahas mësimit në klasat fizike, të bëhen të mundura edhe ato që quhen “klasat virtuale.”
Kuptohet që kjo nuk lidhet vetëm me hapësirat ku zhvillohet mësimi, ndonëse edhe ky aspekt është shumë i rëndësishëm. Por, krijimi i hapësirave virtuale të shkollimit bën që të kalohet nga platformat institucionale dhe vertikale të shkollimit të ato të shkollimit në rrjet.
Teksti shkollor në letër sot nuk përfaqëson më të vetmin burim të dijeve për nxënësit. Më tej akoma, këta të fundit mund të hyjnë në kontakte të drejtpërdrejta me vetë autorët e teksteve, me kërkues shkencorë në atë fushë të dijes, si edhe të marrin dije nëpërmjet videove, artikujve shkencore apo bisedave virtuale sy më sy, në kohë reale me personalitete të shkencës në atë fushë, me zbatues në praktikë të dijeve, me personalitete shoqërore, etj. Ata mund të përfitojnë nga kontakti me produkte dhe detyra të kryera në shkolla të tjera me reputacion të lartë, brenda dhe jashtë vendit, të kryera nga nxënësit duke ndihmuar përhapjen në rrjet të përvojave më të mira në këtë drejtim.
Shkolla hap muret e saj dhe “shkrihet” virtualisht me universin e dijes dhe të shkollimit në të gjithë botën. Roli i mësuesit kërkohet të transformohet krejtësisht sepse tanimë ai jo vetëm nuk ka arsye të mbetet thjesht zotëruesi dhe përhapësi, transmetuesi i vetëm i dijes, por duke humbur këtë monopol, mësuesi është i detyruar të bëhet edhe një orientues, drejtues, këshillues i nxënësve të vet në universin e dijes në lëndën që mbulon në shkollë.
Përpara kësaj dijeje në rrjet ose në Web mësuesi është i barabartë nga pikëpamja e hapjes ndaj burimit të informacionit me nxënësit e tij. Ai tani ndodhet përpara “të papriturave”, nuk i mjafton një dije “e ngrirë” , e përsëritshme nga viti në vit, për të qenë në lartësinë e detyrës së tij. Përkundrazi i duhet të përballet me pyetje që i vijnë nga nxënësit kur këta të fundit përballen me dijet dinamike dhe të reja që kanë të mundur të gjejnë në Web apo në rrjetet sociale. Kuptohet që mësuesi i “klasës virtuale” nuk ka të bëjë më me mësuesin tradicional dhe klasik. Ai në një farë mase duhet të pranojë “ta humbasë” autoritetin e tij autoritar të mëparshëm, ta humbasë sigurinë e mëparshme dogmatike, të mos ndihet më as i pagabueshëm dhe as i gjithëdijshëm para nxënësve të tij. Statusi i tij ndryshon jo vetëm si status profesional, por edhe si status social.
A është i gatshëm mësuesi ta kuptojë këtë nevojë të epokës të teknologjive të reja?
A e pranon këtë sfidë?
A e kryen dot këtë kapërcim epokal, apo përballë këtij hapi që i ”prish qetësinë” dogmatike pranon më mirë të anatemojë teknologjitë e reja, të hiqet sikur “mbron” nga kontakti me to nxënësit e tij, t’i trajtojë ato si burim degjenerimi dhe që prishin moralisht rininë, të fërkojë duart kur institucioni ndalon hyrjen e teknologjive të reja në shkollë nga ana e nxënësve dhe të gëzohet nga mangësitë e infrastrukturës teknologjike në shkollë?
Kur flet për “klasën virtuale”,një autor shumë i njohur në fushën e komunikimit masiv online, David Meerman Scott, thekson: “Rrjetet sociale kanë bërë të lindin modele të reja të të mësuarit. Unë jam diplomuar në Kolegjin Kenyon, atje për katër vjet rresht nuk mbaj mend t’u kemi dhënë ndonjë mendim autorëve të teksteve shkollore që kishim në përdorim. Sigurisht unë asnjëherë nuk arrita të takoj ndonjë prej tyre. Por, me anën e mediave sociale si Facebook, mësuesit e zgjuar (edhe nxënësit) kanë mundësi të kontaktojnë autorët e teksteve dhe të ftuar të tjerë, duke krijuar efektivisht klasa virtuale si shtojca të atyre fizike. Nxënësit dhe mësuesit më kanë treguar se si ata e kanë transformuar procesit e të nxënit.”
Nuk mundet të pretendohet se përdoren teknologjitë e reja të informimit dhe komunikimit në shkollë, ndërsa aspekti pedagogjik të vazhdojë të jetë sikur shkolla e sotme të kishte dispozicion vetëm tekstet në letër. Nga autorë të ndryshëm, media literacy kuptohet edhe si një perspektivë teorike dhe metodologjike e rëndësishme, e cila jep mundësinë të ndërtohet një strategji konvergjente midis teknologjive të reja të informimit dhe komunikimit dhe strategjive të të mësuarit dhe të kurrikulave. Me shumë të drejtë Tesla Jolls ka vënë në dukje që teknologjitë e reja dixhitale, kompjuterike, Interneti, Web-i, aplikacionet telefonike, etj., japin mundësi për të kaluar nga mësimi linear drejt moduleve që zbatojnë më shumë një kurrikula horizontale, të fragmentuara, elastike, të orientuara jo vetëm ndaj disiplinave abstrakte, por edhe ndaj objektit dhe problemit.
Ato krijojnë mundësinë e trajtimit të dijeve në formën ndërkurrikulare, ndërdisiplinare, krijojnë mundësinë e përdorimit të kodeve të komunikimit audioviziv në shkollë, ndërthurin njohuritë e kërkuara nga programi mësimor me dije jashtë-kurrikulare të përftuara nga vetë nxënësit, japin mundësi që dijet të ndërlidhen me aktualitetin shoqëror duke e hapur shkollën ndaj bashkësive qytetare, krijojnë mundësi të gjera për një punë krijuese në grup nga ana e nxënësve, lehtësojnë jashtë mase editimin e punëve të pavarura të nxënësve, etj. Tesla Tolls thekson: “Kurrikula e publikuar në tekste ka qenë domosdoshmërisht e paraqitur në një mënyrë lineare dhe me copa mësimi; teknologjia lejon që kurrikula të paraqitet me module që janë të shkëmbyeshme me njëra tjetrën dhe dinamike, më shumë të orientuara drejt objektit dhe programeve informatike.”

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb