Numri i të vdekurve u rrit në 176 nga shirat e dendur që shkaktuan rrëshqitje dheu dhe përmbytje javën e kaluar në komunën e Petropolis në shtetin brazilian të Rio de Janeiro-s, njoftoi të hënën departamenti lokal i zjarrfikësve.

Sipas raportit të tij, më shumë se 100 persona rezultojnë të zhdukur në zonën e prekur të Petropolis, që ndodhet 68 km në veri të qytetit të Rio de Janeiro.

Ekipet e shpëtimit po punonojnë ditë e natë në kërkim të njerëzve të varrosur në baltë. 24 persona janë shpëtuar deri më tani.

Reshjet më intensive në zonë u regjistruan më 15 shkurt dhe që nga ajo kohë kanë rënë disa herë shira të dendur, njoftoi Instituti Kombëtar i Meteorologjisë.

Numri aktual i viktimave të regjistruara është më i larti në historinë e qytetit, duke tejkaluar shirat e dendur katastrofike në vitin 1988, kur vdiqën 171 njerëz, sipas Atlasit Brazilian të Fatkeqësive Natyrore.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb