Shkon në 750 numri i të lënduarve nga tërmeti që kanë marrë trajtim në spitale, nga të cilët 660 vetëm në spitalin e Traumës dhe Durrësit.

Aktualisht janë të shtruar 65 të lënduar, gjendja e të cilëve paraqitet e stabilizuar, përveç 3 personave që paraqiten në gjendje më të rënduar.

Përpos qytetarëve që po marrin trajtim në spitale, janë 572 vizita mjekësore të kryera për banorët e prekur nga tërmeti që po marrin trajtim në qendrat shëndetësore 24/7 të hapura pranë zonave të prekura.

Ndërsa 145 persona kanë marrë shërbimin mjekësor pranë kampeve të emergjencës në Tiranë dhe Durrës. Me ekipet e ngritura në terren është siguruar pajisja me medikamente për të sëmurët kronikë.

Urgjenca kombëtare ka përballuar 3745 thirrje për ndihmë që nga momenti i rënies së tërmetit dhe ka realizuar 937 misione me autoambulancë. Të gjitha spitalet dhe qendrat shëndetësore pranë zonave të prekura nga tërmeti janë në gatishmëri të përforcuar.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb