*Fier, familja e Tafil Bidajt bën denoncim në polici. Hetohet dentisti edhe farmacistja që i kishte shitur barnat pa recetë

Një 56-vjeçar ka ndërruar jetë, pasi ka mjekuar dhëmbët te dentisti. Më pas ka shkuar në një farmaci dhe ka marrë barna kundër infeksionit, të cilat i shkaktuan reaksion. Tafil Bidai ka shkuar sërish në farmaci dhe ka marrë të tjera ilaçe dhe në momentin që i ka konsumuar, ka ndërruar jetë.

Ngjarja ka ndodhur ditën e shtunë në qytetin e Fierit, ndërsa pas ceremonisë mortore, familjarët e tij kanë depozituar kallëzim penal në Policinë e Fierit, e cila ka filluar një verifikim.

Ata kërkojnë zbardhjen e shkaqeve që çuan në vdekjen e tij, ndërsa pritet dëshmia e dentistit dhe farmacistes për mënyrën sesi i kanë dhënë ilaçet të ndjerit.

Burime të gazetës Shqip pohojnë se familjarët e 56-vjeçarit Tafil Bidaj, kanë rrëfyer në polici gjithë versionin e tyre të ngjarjes. Sipas tyre, 56-vjeçari, banues në lagjen “29 Nëntori” në qytetin e Fierit, ka qenë për vizitë mjekësore te një dentist dhe pasi ka dalë prej aty, ka shkuar në një farmaci që ndodhet pranë shtëpisë së tij dhe ka blerë disa barna kundër infeksionit. Burimet pohojnë se, sipas familjarëve, Tafili kishte blerë augumentin dhe e ka konsumuar atë. Por s’ka kaluar shumë kohë kur ai ka ndier shqetësime dhe ka kuptuar se ilaçet e marra i kanë shkaktuar efekte anësore. Për këtë arsye, ai ka shkuar sërish në të njëjtën farmaci dhe ka blerë një tjetër ilaç që përdoret kundër alergjive apo reaksioneve. Edhe pse ka konsumuar dy kokrra “incidal”, ai ka ndërruar jetë pa mbërritur në spital, pohojnë burimet.

Gjithashtu, familjarët mësohet të kenë shpjeguar se gjatë vizitës mjekësore që kishte kryer te dentisti i ishte injektuar anestezi lokale, me qëllim që të mos ndiente dhembje gjatë ndërhyrjes. Familjarët kanë ngritur dyshimet se sforcimi dhe marrja e disa llojeve ilaçesh në të njëjtën kohë i kanë krijuar reaksionin vdekjeprurës 56-vjeçarit Bidaj. Burimet shtojnë se denoncuesit kanë theksuar se nuk dinin që viktima të kishte marrë recetë për barnat që kishte blerë e konsumuar.

Menjëherë pas kryerjes së kallëzimit, policia ka kërkuar kryerjen e autopsisë së kufomës së 56-vjeçarit Bidaj, me qëllim konkludimin e shkaqeve që kanë çuar në vdekjen e tij. Mësohet se kanë mbërritur ekspertë mjekoligjorë nga Tirana, të cilët kanë kryer autopsinë dhe pritet që pas disa ditësh të konkludohet zyrtarisht në shkaqet që çuan në vdekjen e të ndjerit. Paraprakisht dyshohet se shkak i vdekjes ka qenë reaksioni i krijuar prej barnave të konsumuara. Ndërkohë, policia ka pyetur në cilësinë e personit që mund të ketë dijeni mbi ngjarjen edhe farmacisten, e cila i ka shitur ilaçet viktimës. Sipas burimeve të gazetës, farmacistja ka vënë në dispozicion të hetuesve një recetë, tek e cila përshkruhen barnat që ka konsumuar i ndjeri. Pritet që nga hetimet të konkludohet nëse barnat dhe doza që i janë këshilluar Bidajt për t’u konsumuar kanë qenë apo jo ato të duhurat. Gjithashtu, do të verifikohet edhe dyshimi i ngritur prej familjarëve lidhur me faktin nëse Bidaj i kishte blerë me apo pa recetë barnat.

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: