DURRES- Asqeri Çervishti 52-vjeçar, nuk e kishte menduar kurrë që do të përshëndeste për herë të fundit vajzën e tij 8-vjeçare dhe bashkëshorten, mëngjesin e sotëm. Gazetarja Klodiana Haxhiaj ka mësuar se rreth orës 08: 10, 52-vjeçari i punësuar si roje, në një firmë ndërtimi, është goditur nga porta kryesore e firmës ku ishte punësuar, duke gjetur vdekjen. Ai u dërgua menjëherë në spital nga kolegët, por ndërhyrja e mjekëve nuk ka mjaftuar për ta mbajtur në jetë.

52-vjeçari prej pak javësh ishte punësuar si roje, për llogari të një firme nënkontraktore që ndërtonte një mobilieri, në lagjen numër 14 në Shkozet.

Policia e Durrësit ka nisur hetimet për ngjarjen e konsideruar aksidentale, disa persona janë shoqëruar në polici dhe njëkohësisht janë duke u verifikuar të gjitha të dhënat e firmës së ndërtimit dhe fakti nëse 51-vjeçari ishte i siguruar në punë.

Policia ka sekuestruar pamjet filmike, pasi i gjithë aksidenti është filmuar nga një kamera sigurie e biznesit ku ishte i punësuar si roje Çervishti.

Paraprakisht bëhet me dije se është këputur saldimi i një prej mbajtëseve të portës së hekurt dhe që ka rënë duke goditur në kokë rojen.

Nga pamjet e filmuara prej operatorit tonë shihet qartë një pellg gjaku fare pranë portës së hekurit.
Mjekët ligjorë bënë me dije se goditja ka qenë fatale dhe dëmtimet të rënda.
Mësohet se 52-vjeçari kishte kohë i papunë dhe prej pak javësh ishte punësuar si roje.
(er.nu/ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: