KORÇË

Dy vëllezër dhe shoku i tyre janë arrestuar në Korçë pasi gjatë një sherri në nëntor të vitit të kaluar kishin shkrehur me armë në ajër.
Pas sherrit mes të rinjve më 23 nëntor 2019 Policia shpalli në kërkim dy vëllezërit Xh. Sh., 22 vjeç dhe A. Sh., 23 vjeç si dhe shokun e tyre M. Sh., 20 vjeç.
Gjykata e Korçës për këta persona caktoi masën e arrestit me burg në 2 shkurt të këtij viti. Dy vëllezërit akuzohen për vrasje me dashje të mbetur në tentatitë kurse shoku i tyre M.Sh, akuzohet për përkrahje të autorit të krimit.

 

NJOFTIMI I POLICISË

Korçë

Vijon puna për kapjen dhe ndalimin e shtetasve të shpallur në kërkim.

Policia kap dhe ndalon 3 shtetas në kërkim për veprat penale “Vrasja me dashje, e mbetur në tentativë”, “Armëmbajtja pa leje”, “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”.

Në vijim të punës për zbardhjen dhe dokumentimin e ngjarjes së ndodhur në datën 23.11.2019, ku në lagjen nr. 8, gjatë një konflikti për motive të dobëta midis disa shtetasve, njëri prej tyre ka qëlluar me armë zjarri në ajër, shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë, bënë ndalimin e autorëve të dyshuar të shpallur në kërkim në lidhje me këtë ngjarje shtetasve M. Sh., 20 vjeç, banues në fshatin Voskop, si edhe dy vëllezërve Xh. Sh., 22 vjeç dhe A. Sh., 23 vjeç, banues në Korçë.

Ndalimi i tyre u bë pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë me vendimin e datës 02.02.2020, ka caktuar ndaj tyre masën e sigurisë “Arrest në burg” konkretisht ndaj shtetasit Xh. Sh., për veprat penale “Vrasja me dashje, e mbetur në tentativë”, “Armëmbajtja pa leje”; ndaj shtetasit A. Sh., për veprën penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”; si edhe ndaj shtetasit M. Sh, për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”.

Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë për veprime të mëtejshme.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb