TIRANË- Këshilltari i kryeministrit për Urbanistikën Artan Shkreli e ka cilësuar si skandaloze dhënien e lejes së ndërtimit nga Bashkia e Tiranës në zonën e ish-bllokut për një pallat 9-katësh. Shkreli thotë se kjo leje bie ndesh me planin urbanistik të Tiranës por dhe me atë të institutit të monumenteve të kulturës, pasi sipas tij kjo situatë “po e çon Tiranën drejt shkatërrimit”.

“Ky është krimi i radhës që i ndodh kryeqytetit. Jemi në zonën e Bllokut, zona me intensitetin më të madh të ndërtimit në Shqipëri. Zona kaq e kontestuar përsa i përket goditjes me metra kub beton dhe zona që u premtua nga kryetari i ri i bashkisë, që tashmë është i vjetër, se jo vetëm nuk do të ndërtohej më dhe jo vetëm që nuk do të intensifikohej më, por përkundrazi do të ndërmerreshin aksione rehabilituese dhe dizurbanizuese të kësaj zone.

Pikërisht tani, Kryetari i Bashkisë vazhdon të japi lejet në ikje. Ka dhënë një ndër lejet më skandaloze të dhëna në Tiranë, midis dy pallateve 12-katëshe, një pallat 9-katësh dhe dy kate të tjera nëntokë. Jo vetëm kaq, por e ka dhënë në kundërshtim me qendrën e Tiranës. E ka dhënë në kundërshtim me listën e Institutit të Monumenteve të Kulturës, i cili e kishte klasifikuar një vilë të vjetër tiranase, të kohës së monarkisë, si një objekt të trashëgimisë kulturore. E ka dhënë dhe në kundërshtim me vetë praktikat që ka ndërmarrë në lidhje me planin e njësisë vendore.

Duhet të ndalojë urgjentisht dhënien e këtyre lejeve masakruese. Duhet të marrë përgjegjësinë që ka bashkia dhe pushteti vendor. Duhet të mos ushtrojë një trysni ndaj sistemit gjykues dhe sistemit të drejtësisë, i cili legalizon këto lloj lejesh, sapo pushteti qendror i bllokon. Leja është bllokuar dhe si në shumë raste të tjera është ndërhyrë pranë gjykatave, sidomos pranë Gjykatës Administrative, për të bërë zhbllokimin që kryen IKMT me shumë kompetencë”, tha Artan Shkreli

Pas këtyre deklaratave ka reaguar Bashkia e Tiranës, e cila i ka quajtur shpifje akuzat e Shkrelit. Bashkia thotë se çdo leje është dhënë në përputhje me ligjin dhe planin urban të Tiranës.

“Bashkia e Tiranës hedh poshtë shpifjet e sekserit Shkreli. Pasi kanë masakruar për 11 vite Tiranën dhe zonën në fjalë me ndërtime jashtë çdo kriteri, që mbajnë firmën e Ramës dhe Shkrelit, këta palaço derdhin lot krokodili kur duhet të ishin para drejtësisë për rekordet e betonizimit dhe korrupsionit që kapen në Tiranë. Çdo leje këto dy vite është dhënë në përputhje të plotë me ligjin dhe planin urban të Tiranës dhe çdo bllokim i paligjshëm nga INUK është presion korruptiv për të vjelë ryshfetin, si në kohën e Ramës dhe sekserit Shkreli”, thuhet në reagimin e Bashkisë.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: