TIRANE- Gjashtë ditë pas miratimit të ligjit, ‘BalkanWeb’ ka siguruar relacionin e projektligjit “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”. Sipas relacionit të hartuar nga qeveria, në Shqipëri gjenerohen 386,728,650 kg mbetje në vit, nga të cilat vetëm 17 për qind e tyre riciklohet. Shifra e frikshme tregon që 83 % e mbetjeve është ende e paprekur nga kompanitë e riciklimit.

“Mendojmë se përpara se të hapen mundësi për importim mbetjesh duhet të shihet mundësia për rritjen e efiçencës dhe sasisë së ricikluar në tregun vendas”, – thuhet në relacionin e ligjit të siguruar nga ‘BalkanWeb’ ku qeveria pohon vetë rrezikun që mund të krijohet nga importi i mbetjeve. Po ashtu, në relacion sqarohet se “financiarisht ekziston një rrezik që duhet marrë parasysh, rreziku i tregut. Të gjitha avantazhet e përmendura në relacion lidhur me rrjetin e eksporteve dhe vendeve të punës rrezikohen nëse ricikluesit nuk lanë në kontratë solide me kompanitë që blejnë produktet e tyre.”, – thuhet në relacion.

Bazuar nga këto fakte, vijohet më tej “ky nuk do të ishte vetëm një problem financiar për shoqërinë e riciklimit, por edhe për vendin, pasi do t’i ngeleshin miliona kg mbetje të importuara shtesë”. Ndaj, në relacion sugjerohet se përpara se të hapen mundësi për importim mbetjesh, duhet të shihet mundësia e rritjes e efiçenës dhe sasisë së ricikluar në tregun vendas.

Ligji për mbetjet hasi kundërshti edhe nga shoqëria civile, e cila protestoi para Kuvendit, duke i cilësuar deputetët që votuan pro, tradhtarë të Kombit dhe në shenjë proteste ka ndërmarrë një nisëm për të shkruar emrat e tyre në kazanët e plehrave në mbarë vendin. Për të kundërshtuar ligjin shoqëria civile ka paralajmëruar edhe një protestë në Tiranë në datën 1 tetor 2016.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb