NGA AURENC BEBJA
Në “Bulletin périodique de la presse américaine” gjejmë një shkrim të gazetës prestigjioze “The New York Times”, botuar me 8 prill 1939, me titull “E premtja e shenjtë në Shqipëri”.

Media e famshme ironizon asokohe në mënyrë mjeshtërore sulmin e padrejtë të Italisë fashiste ndaj Shqipërisë. Për më shumë, do të gjeni në vijim shkrimin e plotë, të sjellë në shqip nga Aurenc Bebja:

“Një tjetër vend i vogël në Evropën Qendrore shlyen krimin e tmerrshëm se është një shtet i vogël.

Arsyeja e luftës që ka shpërthyer në Adriatik është krejtësisht e qartë. Shqipëria ka provokuar Italinë. Ajo e ka provokuar atë sepse Italia është e dobët, e vogël dhe pa mbrojtje, viktimë ndaj një egërsire, të cilës bllofi iu zbulua prej dikujt të përmasave të saj.

E frenuar nga Franca, e cila ka refuzuar t’i frikësohet, dhe përballë rritjes së vazhdueshme të Britanisë së Madhe për të pasur përgjegjësi në kontinent, qeveria fashiste e Musolinit ka kërkuar në Shqipëri mundësinë për të provuar se, në fund të fundit, Italia është një vend shumë, shumë i madh, shumë i mrekullueshëm dhe që meriton të respektohet.

Italia i ka dhënë provat duke shkatërruar qytete krejtësisht pa mbrojtje, duke i bombarduar nga deti dhe qielli, duke hedhur eksplozivë mbi kokat e njerëzve për fatin e keq se ishin shqiptarë, duke përhapur vdekjen dhe shkatërrimin mbi fshatrat paqësorë – të gjitha këto nën pretekstin e “rivendosjes së rendit”, “mbrojtjes së interesave jetike” dhe afirmimit të drejtave territoriale që datojnë 229 vite para lindjes së Krishtit.

Kohët e fundit, Gjermania ka pasur triumfet e saj. Dhe tani Italia, gjithashtu, ka diçka për të qenë krenare!”

Burimi: https://www.darsiani.com/la-gazette/the-new-york-times-1939-e-premtja-e-shenjte-ne-shqiperi/

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb