Artistë të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar do të ngjisin në skenë figurën e harruar, shkrimtarin neutral jashtë politikës, me një histori mahnitëse për t’u përcjellë, Mitrush Kutelin. Në një teatër që nuk ka drita dhe ujë do të interpretohen copëza nga shkrimet, poezitë, kritikat dhe përallat aq të dashura për shumë kënd.

Teksa ka përmbledhur histori në librin “Koha e kujtimeve”, shkrimtari i mirënjohur Nasho Jorgaqi na rrëfen lidhjet miqësore me personalitetet-personazhe të kujtimeve të veta, një ndër ta edhe Mitrush Kuteli, të cilin Jorgaqi e cilëson shkrimtar të “dramave dhe pengjeve”. Përveç pasurisë së detajeve, kujtimet e shkrimtarit kanë vërtetësi, klas dhe një etikë që vjen nga raporti i rrëfyesit me ngjarjet dhe njerëzit për të cilët shkruan.

“ Njohja e distancuar është shumë e hershme nga ana ime e Mitrush Kutelit. Isha adoleshent kur në vitet e okupacionit ’43-’44, ky ishte kthyer atë kohë nga Rumania dhe botoi brenda një kohe të shkurtër, një vit e gjysmë, botoi 10 libra. Mua e brezit tonë, na ra në sy ky bum, se nuk kishte ndodhur. Dallonte në krijimtarinë e tij nga shkrimtarët e tjerë. Se ishte një individualitet artistik krejt i vecantë. Gjuha e Kutelit, ishte një gjuhë një kontribut i jashtëzakonshëm që ai sillte përmes fjalorit, stilit, frymës popullore, realizmit etj etj.” thotë Jorgaqi.

“Nuk harrojmë Mitrush Kutelin”, aktivitet ne kuader te festivalit per mbrojtjen e teatrit, do të shfaqet ditën e mërkurë, në datë 18 dhjetor, në orën 19:30, në Teatrin Kombëtar.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb