Nga: FATMIRA NIKOLLI*TIRANE-Atje ka ende rrënoja të rafteve me librat që njerëzit mbanin në shtëpitë e tyre, aty gjendet ende një cisternë me tretësirë sulfurore nëpërmjet të cilit duhet të dezinfektonin gjithçka që dilte nga ishulli, mbetjet e dyqaneve ashtu si edhe pikturat plot ngjyra që mbanin në muret e shtëpive…” Victoria Hislop, autore e romanit “Ishulli” (botimet Toena) e përshkruan me këto fjali Spinalongën e sotme (në Greqi), vendin ku gjatë luftës ‘izoloheshin’ të sëmurët me lebrozë.
Sot, Hislop do të jetë në Pallatin e Kongreseve në Tiranë në orën 12:00, për të folur për romanin që e bëri të njohur ndërkombëtarisht, ndërsa vjen edhe në një intervistë për “GSH”, ku tregon si e shkroi dhe çfarë e nxiti. Ajo rrëfen ndjesitë që e shoqëruan, dhimbjen që ndjeu, shpresën që pa, në një vend ku njerëzit nuk shkonin vetëm për të vdekur, por edhe për të jetuar, në një vend ku ende, mund të shohësh perde me cohë të fabrikuar që lëkunden nga era.
Ju, para se të bëheshit shkrimtare, ishit gazetare. Në median e huaj, kam lexuar se fillesa e romanit ka qenë një artikull që duhej të botohej në gazetat e së dielës apo jo? Çfarë ju ngacmoi kaq shumë në Kretë që e kthyet atë histori në një roman?
Në fakt nuk ka filluar si një artikull. Unë zgjodha të shkoja në ishullin Spinalonga gjatë kohës që isha me pushime në Kretë,duke e konsideruar thjesht si një prej aktiviteteve që mund të kryeja gjatë një pasditeje të nxehtë. Gjithçka që dija rreth tij lidhej me faktin se aty kishte qenë dikur një spital për pacientë me lebrozë, si dhe që në vitin 1957 kishte pushuar së funksionuari. Ky fakt m’u duk si pjesë e një historie të afërt dhe mua më intereson më shumë historia e afërt se sa ajo antike (më duket e vështirë që të imagjinoj se si jetonin njerëzit para 2000 vjetësh). I rashë vendit kryq e tërthor, së bashku me familjen time dhe me shumë turistë të tjerë, për të parë se si kishte qenë kjo koloni lebrozësh, thjesht e shtyrë nga kureshtja. Prisja të gjeja një vend të trishtë, por ajo që zbulova ishte fakti se ai vend ngjasonte me cilindo fshat tjetër grek. Me shumë shtëpi të braktisura, dy kisha, ndërtesa që një herë e një kohë kishin qenë dyqane madje kishte edhe gjyma prej balte. Kështu kuptova se njerëzit atje nuk kishin shkuar vetëm për të vdekur, por edhe për të jetuar. Ndihej një forcë e madhe optimizmi, një atmosferë e fuqishme dhe në këtë mënyrë kuptova atë çka nuk kisha kuptuar më parë, çfarë kishte qenë lebroza dhe se çfarë kishin përjetuar njerëzit, të cilët kishin braktisur këtë jetë prej saj.
A ndjehen sot gjurmët e historisë që ju sillni në roman në Spinalonga?
Po, padyshim. Atje ka ende rrënoja të rafteve me librat që njerëzit mbanin në shtëpitë e tyre (dhe për mua, nëse kishin libra, ata kishin gjithashtu shpresë dhe kureshtje), aty gjendet ende një cisternë me tretësirë sulfurore nëpërmjet të cilit duhet të dezinfektonin gjithçka që dilte nga ishulli (pasi mund të mbartte baktere), mbetjet e dyqaneve ashtu si edhe pikturat plot ngjyra që mbanin në muret e shtëpive. Tashmë ato janë vetëm rrënojat e asaj që ka qenë, por mbartin ende mjaft dëshmi të jetës që ka ekzistuar.
Eleni, Maria, Ana, Jorgji, Dhimitri, Manoli, Sofia, Andoni, Fotinia, Aleksis, a janë edhe njerëz që ju i njihni, por edhe njerëz që kanë marrë prej jush ndjesitë që ju keni pasur herë pas here përgjatë jetës, për drejtësinë, padrejtësinë, dhimbjen?
Ata janë tërësisht pjesë e imagjinatës sime dhe nuk kanë të bëjnë me njerëz të vërtetë. Mendoj se ky fakt përbën kënaqësinë e të qenurit një romancier, t’i mund të krijosh njerëz nga asgjëja… Disa prej tyre janë krijuar nga ndonjë fytyrë që më ka tërhequr vëmendjen në ndonjë fshat në Kretë. Unë bëj shumë fotografi dhe përpiqem të imagjinoj se si mund të jetë ai njeriu të cilit i përket fytyra. Për më tepër në kohën kur kam shkruar “Ishullin”, unë nuk flisja asnjë fjalë në gjuhën greke, kështu që nuk do të mund të kisha komunikuar me ta gjithsesi.
Teksa e lexon, sheh se ka shumë informacion, për bimët, për kulturën, për çdo gjë që lidhet me atë vend. Si ia keni dalë ta bëni aq të besueshëm “Ishullin”?
Kam kaluar shumë kohë në Kretë, kam ecur nëpër male dhe kam pirë kafe nëpër fshatrat e saj dhe thjesht vëzhgoja se si ata jetonin dhe ndërvepronin me njëri-tjetrin. Për sa i përket kulturës, unë kam lexuar çdo libër që më binte në dorë, në anglisht, që kishte si subjekt, ushqimin, besimin, traditat dhe jetën e grekëve.
A keni takuar ju në Kretë, njerëz që kanë qenë të sëmurë me lebrozë? A keni marrë rrëfime nga ata për të treguar si ishte jeta në Spinalonga dhe çfarë ju ka prekur?
Nuk kam mundur të takoj kurrë dikë që ka jetuar në Spinalonga, por pasi shkrova librin njoha dikë që u kthye në një person të rëndësishëm për mua: Manoli Fundulakis. Një kushëri i tij kishte qenë pacient në Spinalonga, por edhe vetë Manoli kishte vuajtur nga lebra (ai ishte trajtuar në Athinë dhe jo në Kretë). Ishte një njeri i veçantë, tejet guximtar, i zgjuar dhe mëse i afrueshëm, e më një sens të spikatur humori. Në moshën 85-vjeçare vdiq dhe nuk besoj se do të mund të kem rastin të njoh një njeri më të mrekullueshëm se ai. Unë mësova prej tij se ç’do të thotë të mbijetosh.
– Keni vënë dy motra, një motër altruiste dhe një egoiste. Pse i keni vënë përballë? Duket sikur ju hidhni poshtë teoritë se nga fëmijëria varet personaliteti ynë kur rritemi?
Padyshim mendoj që ekziston një lloj gërshetimi mes natyrës dhe përvojës në jetë. Edhe pse dy motra rriten në të njëjtën mënyrë ato para së gjithash janë dy individë të ndryshëm. Ana përjeton një konflikt të madh brenda saj. Ajo e ka të vështirë të bëjë atë që i thonë. Ndërsa Maria, në të kundërt, përtej konflikteve të saj të brendshme dhe dhimbjes së saj e jeton këtë konflikt në një mënyrë më paqësore.
Banorët e Spinalongës, të dënuarit, janë ndër ata që luftojnë më shumë me nazistët. A është e mundur të luftosh për të mbrojtur një ishull ku ke shkuar për të vdekur?
Në një farë mënyre, pacientët në Spinalonga janë me fat pasi ata nuk i përjetuan horroret e Nazizmit. Gjermanët nuk i ngacmuan ata. Njerëzit në Kretë vuajtën më shumë gjatë viteve 1941-1944 pasi bënë një rezistencë të fortë ndaj Nazizmit. Por po, besoj se njerëzit në Spinalonga do të ishin treguar guximtarë, pasi edhe pse ishin në dijeni të faktit, që nuk do të largoheshin kurrë nga aty, ata jetonin një jetë të vërtetë si kudo gjetkë: Martoheshin, lidhnin miqësi, mësonin, gatuanin, komunikonin, shikonin filma dhe kishin një jetë sociale.
Paçka se është një ishull ku shkojnë ata që për shkak të sëmundjes, janë të destinuar të vdesin, ka shumë shpresë që endet në libër, ka dashuri, ka ëndrra dhe jeta, sërish vijon. Ju e përçoni shpresën përmes personazheve, a ka qenë kjo ideja juaj? Pra që shpresa sërish të mban gjallë, dhe është një motor që të mban në jetë?
Po, besoj se në atë vizitën time të parë, teksa shihja gjurmë të jetës që kishin jetuar, (edhe në pjesë të vogla perdesh me cohë të fabrikuar që lëkundeshin nga era) kuptova se edhe atëherë kur të duket se jeta është e shkurtër, ajo mund të jetohet në tërë plotësinë e saj. Për të gjithë ne jeta ka një kufi, por ne nuk rrimë të jetojmë me këtë mendim çdo ditë, ne nuk mund të ulemi dhe të mendojmë pafundësisht për vdekjen që rrëshqet para syve tanë. Ne duhet të ngrihemi dhe të “jetojmë”.
Gjatë procesit të të shkruarit, çfarë ndjesish kishit? Si i zgjidhnit dilemat e personazheve, shqetësimet e tyre?
Për një pjesë të madhe të kohës unë ndieja trishtim, pasi më duhej të projektoja veten në situatat që përjetonin karakteret e mia. Është e vështirë të tregoj se si i zgjidhja dilemat, pasi nuk jam e sigurt nëse gjenden zgjidhje të sakta ndonjëherë. Dilemat dhe shqetësimet e tyre janë shpesh herë të ngjashme me tonat dhe nuk është se ka zgjidhje për gjithçka.
Sa e vështirë ishte për ju, vdekja e një personazhi?
Vërtet e vështirë. Kur Eleni vdiq unë ndjeva sikur të kisha humbur dikë që unë e doja në jetën reale. Dhe çuditërisht, kur i njëjti fakt u shfaq nga seriali televiziv, i cili u realizua mbi veprën time, në Greqi, shumë shikues ishin vërtetë të inatosur nga fakti se kishin humbur personazhin e tyre të preferuar aq befas. Ata shkruan shumë letra në adresë të stacionit televiziv.
Sekretet, janë shpesh ato që na bashkojnë, e shpesh ato që na mbajnë larg. Janë pikërisht sekretet ato që na mbajnë mbërthyer duke na bërë të vuajmë. A jemi ne pengje të atyre që dimë, të atyre që ndjejmë, të atyre që fshehim?
Kohët e fundit, ne jetojmë brenda botëve tona private. Kështu u gatuam ndaj dhe mendimet tona, minutë pas minute, krijohen brenda vetes tonë dhe askush nuk mundet që të lexojë vërtet në mendjen e tjetrit. Ne përdorim gjuhën në mënyrë që të shprehim emocione apo ide, por ato nuk janë emocionet apo idetë reale, janë vetëm një përafrim i tyre. Ky është një diskutim filozofik mjaft interesant, por kohët e fundit, të gjithë ne jetojmë në njëfarë mënyre brenda sekretit tonë, brenda botëve tona pa ura ndërlidhëse reale.
Një film është realizuar bazuar mbi romanin tuaj. A jeni e kënaqur prej tij, a e ka humbur ai shijen e romanit, a e përcjell ai idenë e Victoria Hislop?
Seriali televiziv është një punë mëse fantastike, me 26 episode dhe secili episod mbart cilësitë e një filmi. Ka magji në aktrim, muzikë, kostumografi, në setin e xhirimeve, në regji etj. Unë qëndrova mjaft afër producentëve të serialit, gjatë xhirimeve në Kretë, në pjesën më të madhe të kohës kur u zhvilluan xhirimet. Ai i qëndroi mjaft besnik librit, por sidoqoftë na u desh të shtojmë situata apo marrëdhënie pasi ishin shumë episode dhe kështu lindi edhe nevoja e zgjerimit. Por për shumë pak gjëra unë nuk isha dakord në 100%. Dhe po, ai shprehte gjithçka që unë kisha shprehur në libër, por në formë tredimensionale.
Sot, ju keni një shtëpi në Kretë, ku shkoni për të shkruar. Si ndiheni tashmë atje, në ishullin që e bëtë të njohur në gjithë botën?
Në mënyrën më absolute unë e adhuroj Kretën. Shumë njerëz kanë shkuar atje, para se unë të shkruaja librin, pasi është punuar shumë në fushën e turizmit. Kreta është një vend shumë i bukur, me male, gryka, det të pastër ashtu si edhe me njerëz të mrekullueshëm. Gjithashtu ajo më mbush me një energji të madhe si fizike po aq edhe krijuese.
Sa e vështirë është të përballesh me një të kaluar të dhimbshme?
Unë besoj se ballafaqimi me të shkuarën tonë është i rëndësishëm. Një rol të madh në këtë aspekt e luan edukimi, mënyra se si ne u tregojmë fëmijëve tanë mbi ngjarjet që kanë tronditur vendin e tyre, njerëzit që na kanë qeverisur dhe vendimet e marra prej tyre. Mendoj se të gjitha vendet kanë kapituj të së shkuarës, për të cilët, njerëzit e së tashmes mund të mbeten të shokuar apo edhe të turpëruar, por ne e provojmë dhe e mësojmë historinë tonë në më-nyrë që të mund të shmangim, kryerjen e po të njëjtave gabime.

(a.n/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: