FIER

Një makinë e tipit ‘BMW’ është gjetur e djegur në Fier pranë vendit të quajtur “Kryqëzimi i shinave të trenit”.  Nga të dhënat e para raportohet se persona ta paidentifikuar kanë qëlluar fillimisht me armë drejt një dyqani të materialeve për makina dhe më pas i është vënë flaka ‘BMW’ në periferi të qytetit.

Mjeti rezulton me targa false dhe brenda saj është konstatuar një armë dhe një krehër me fishekë. Policia dhe grupi hetimor kanë shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes dhe po punojnë për zbardhjen e rrethanave.

Gazetari Ervis Kuçi raporton për “BalkanWeb” se fillimisht janë dëgjuar të shtëna me armë në rreth rrotullimin e parkut të qytetit, ndërsa nuk përjashtohet mundësia që ky mjet është përdorur nga autorët dhe për të zhdukur gjurmët, i kanë vënë zjarrin makinës. Fatmirësisht nuk raportohet për persona të plagosur.

Nga ana tjetër Policia e Fierit duke dhënë detaje pë rastin shprehet se persona të paidentifikuar kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të një subjekti tregtar, i cili shërbente si pjesë këmbimi për makina.

“Në datën 03.04.2019, në lagjen “1 Maji” Fier, në afërsi të vendit të quajtur “Kryqëzimi i Parkut”, persona ende të paidentifikuar duke udhëtuar me një mjet tip “BMV” kanë qëlluar me armë zjarri drejt një subjekti tregtar (pjesë këmbimi të makinave).

Më pas, mjetit tip “BMV” i është vënë zjarri në rrugën Fier- Seman, në vendin e quajtur “Kryqëzimi i shinave të trenit”. Në vendnngjarje kanë shkuar shërbimet e policisë dhe shërbimi zjarrfikës për shuarjen e zjarrit. Eshtë ngritur grupi hetimor dhe po punon për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje, identifikimin dhe kapjen e autorëve”, njofton policia.

(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb