SHKUP- “Protestoj shqip”, është moto e marshit protestues gjithëshqiptar që do të mbahet sot në Shkup. Protestuesit do të kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Nikolla Gruevski dhe Ali Ahmetit, zbardhjen e të gjitha të vërtetave shqiptare dhe kërkesa për një marrëveshje të re për Maqedoninë. Organizatorët pohuan se ky është marsh shqiptar, pa emblema partiake dhe për këtë arsye edhe një herë i kanë ftuar të gjithë shqiptarët e Maqedonisë, që të dalin bashkë me familjet e tyre për t’i shprehur fuqimisht kërkesat e kësaj proteste.

“Duam të shpjegojmë se kjo protestë është shqiptare, sepse kriza në për të cilën kalon ky shtet nuk e ka dëgjuar vetëm zërin shqiptar, nuk e ka dëgjuar vetëm mendimin e shqiptarëve. Sipas nesh, shqiptarët janë të hapur të diskutojnë edhe për shtet qytetar, edhe për deetnizimin të shtetit, por para së gjithash duhet të merremi vesh t’i përmbyllim çështjet ndëretnike. Derisa ne diskriminohemi si shqiptarë, nuk mund të veprojmë si qytetarë”, thuhet në njoftimin e Këshillit Organizativë.

Marshi do të fillojë në parkun e Çairit në orën 17:00 dhe do të lëvizë nëpër rrugën Cvetan Dimov, deri te semaforët e qendrës tregtare “Mavrovasja”, ku do të kthejë djathtas dhe do të drejtohet te Qeveria e Republikës së Maqedonisë. Meqë para Qeverisë tashmë janë ngujuar një grup protestuesish, ne do të ndalojmë te ura “Goce Dellçev”. Aty do të jetë e vendosur një skenë, në të cilën do të lexohet mesazhi i marshit protestues dhe do të mbahen disa fjalime rasti.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: