Mobilizimi ka qenë një kafshatë e vështirë për t’u kapërdirë për shumë rusë.

Burrat rusë po përballen me thirrjen për të shërbyer në luftën më të madhe në Evropë që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore, me pak trajnime dhe pajisje kundër një kundërshtari më të vendosur dhe të pajisur më mirë.

Dhjetëra mijëra bashkatdhetarë të tyre – përfshirë shumë ushtarë profesionistë – kanë vdekur ose janë plagosur tashmë në fushën e betejës që kur presidenti rus, Vladimir Putin, nisi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.

Dhe, nuk duket se ka gjasa që numri i lartë i viktimave ruse të ndalet pasi vendet perëndimore vazhdojnë të furnizojnë Ukrainën me artileri dhe raketa me saktësi të lartë, si dhe me inteligjencë ushtarake.

Vendimi i 21 shtatorit i Putinit për të mobilizuar të paktën 300.000 burra rusë – dhe ndoshta deri në një milion, bazuar në disa raporte mediatike – ka nxitur protesta në mbarë vendin dhe ka shtyrë, sipas disa raportimeve, qindra mijëra qytetarë të ikin në vendet fqinje për të shmangur rekrutimin.

Ky reagimi i ashpër po e detyron tashmë Kremlinin të ofrojë stimuj financiarë për t’i shuar protestat dhe shmangiet e rekrutimit, që kërcënojnë të minojnë strategjinë e pushtimit në Ukrainë.

Ligjvënësit rusë po përpiqen të miratojnë amendamentet që rrisin përfitimet për ata që shërbejnë në Ukrainë, si dhe për familjarët e tyre të afërt, përfshirë ngrirjen e kësteve të kredive apo faljen (shlyerjen) e plotë të tyre.

Zyrtarët ushtarakë rusë kanë premtuar tashmë t’u paguajnë të rekrutuarve një pagë mujore që sillet mes 135.000 e 200.000 rublash (2.290 deri në 3.400 dollarë) në varësi të gradës së tyre, një shumë që është dy deri në tri herë më e lartë se mesatarja kombëtare, sipas Alfa Bank me seli qendrore në Moskë.

“Ne duhet të miratojmë më shpejt ligjin [për lehtësimin e kredive] në mënyrë që njerëzit të mund t’i kryejnë me qetësi detyrat e tyre luftarake”, tha më 27 shtator Anatoly Aksakov, kryetar i Komitetit të tregjeve financiare në një fjalim drejtuar deputetëve të Dhomës së Ulët të Parlamentit rus.

Projektligji për lehtësimin e kredive, i miratuar më 28 shtator, ngrin shlyerjet e huave, përfshirë këstet për kreditë konsumatore, për rekrutët dhe të gjithë të tjerët që po shërbejnë në luftë, si dhe për anëtarët e familjes së tyre. Ngrirja e kësteve të kredisë është e vlefshme gjatë kohës së shërbimit të tyre dhe përfundon 30 ditë pas çmobilizimit.

Projektligji, gjithashtu, fal borxhet e ushtarëve të vrarë ose të plagosur rëndë gjatë luftës, si dhe detyrimet e familjarëve të tyre të afërt.

Gjatë debatit të 27 shtatorit mbi amendamentet, disa deputetë kërkuan shlyerjen e borxheve të të gjithë luftëtarëve, një hap që zëvendësministri i Financave, Aleksei Moiseyev, e konsideroi të ekzagjeruar.

Ai argumentoi se nuk kishte nevojë t’u falej borxhi atyre që kthehen pa lëndime pasi, sipas tij, ata po marrin paga “mjaft të larta” për shërbimin dhe gjendja e tyre financiare “nuk do të përkeqësohet, por do të përmirësohet”.

Më herët, më 27 shtator, Parlamenti miratoi disa ndryshime në Kodin e Punës, ndër to edhe garantimin e së drejtës së rekrutëve për t’u rikthyer në punën e tyre brenda tre muajve nga përfundimi i shërbimit ushtarak dhe mbrojtjen e bashkëshorteve të tyre nga shkarkimet e parakohshme nga puna apo nga puna jashtë orarit pa miratimin e tyre.

Gjithashtu, këto ndryshime ligjore i përjashtojnë burrat e mobilizuar dhe anëtarët e familjeve të tyre nga gjobat për pagesat e vonuara të faturave mujore për shërbimet komunale dhe mirëmbajtjen e ndërtesave të banimit. Duma ruse po mendon të shkojë edhe më tej duke i anuluar plotësisht pagesat e mirëmbajtjes./ REL

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: