TIRANË

Vijojnë prej më shumë se 24 orësh kërkimet për gjetjen e trupit të 33-vjeçarit A. Sala, që rezulton i zhdukur nga zjarri, që përfshiu pasditen e djeshme qendrën tregtare në kryeqytetin.

Gazetari Erjon Skëndaj raporton për “BalkanWeb” nga qendra tregtare se aty kanë mbërritur edhe forcat zjarrfikëse të ushtrisë, ato të aeroportit të Rinasit dhe të Kamzës, për të ndihmuar forcat zjarrfikëse në kërkimet në katin nëntokës të përfshirë nga zjarri.

Siç raporton gazetari Skëndaj, punonjësit e ushtrisë dhe ata zjarrfikës po hapin dhomat me aparate të mëdhenj ventilimi, duke kërkuar trupin e 33-vjeçarit, por paralelisht edhe duke shuar flakët.

Zjarri ka përfshirë gjithë katin nëntokësor, që ka shërbyer si magazinë për të gjitha produktet, që tregtoheshin në gjashtë katet e qendrës tregtare. 33-vjeçari, i cili rezulton i zhdukur, ka qenë i pari që ka rendur për të evakuuar të gjithë punonjësit që ndodheshin në magazinë, duke shmangur tragjedinë, por fatkeqësisht nuk mundi të dilte dot.

Ai u fut 24 orë më parë për të shpëtuar punonjësit e magazinës nëntokësore, duke tentuar të fikë zjarrin me një bombol në dorë, së bashku me dy kolegët e tij, të cilët arritën të dalin.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb