SARANDE- Një ngjarje e rëndë ka ndodhur paraditen e sotme në dalje të fshatit Borsh në Sarandë, teksa një furgon transporti nxënësish është qëlluar me armë zjarri. Fatmirësisht në momentin e ngjarjes, në furgon nuk ndodhej asnjë nxënës, ndërsa dyshohet se shënjestër e të shtënave ka qenë drejtuesi i mjetit Fatos Lala. Pas ngjarjes policia ka shoqëruar 72-vjeçarin Luan Kodhima dhe vëllain e tij Bashkim Kodhima. Ngjarja dyshohet se ka ndodhur për motive hakmarrje. Kjo, pasi shoferi i furgonit, Fatos Lala, rezulton i dënuar me 7 vite burg për vrasjen e djalit të 72-vjeçarit.

DEKLARATA E POLICISË
Më datë 04.11.2015, rreth orës 07:30, në dalje të fshatit Borsh, dyshohet se shtetasi, Luan Kodhima, 72 vjeç, banues në fshatin Borsh, ka qëlluar me armë zjarri “Automatik” në drejtim të automjetit të shtetasit, F. Lala, 59 vjeç, banues në të njëjtin fshat.

Automjeti tip “Furgon-Sprint”, me targë AA054GX, (mjet i linjës që transportonte nxënësit e shkollës 9-vjeçare “Qazim Pali” në Borsh), pasi ka zbritur nxënësit, rrugës në kthim është goditur me armë zjarri “Automatik”, në anën e djathtë të tij (ana e pasagjerit), për pasojë është dëmtuar pjesërisht vetëm mjeti.

Rezulton se shtetasi: F. Lala, është arrestuar nga Policia më datë 14.07.1999 dhe është dënuar nga Gjykata me 7 vite burg për veprën penale “Vrasje në rrethana lehtësuese”, të shtetasit R.K. (i biri i Luan Kodhimës) dhe e ka mbaruar dënimin më datë 14.02.2006.

Policia ka shoqëruar autorin e dyshuar në  Komisariatin e Policisë Sarandë, bashkë me vëllain e tij: Luan dhe Bashkim Kodhima.

Dyshohet se ngjarja ka ndodhur për motive hakmarrje, megjithatë Shërbimet e Policisë po kryejnë të gjitha veprimet në lidhje me sqarimin e rrethanave të ngjarjes.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb