Dy bashkëshortë me kombësi shqiptare janë arrestuar nën dyshimin për trafikim dhe posedim droge në qytetin e Mestres në Itali.

Aksioni antidrogë është realizuar sot nga “Fiamme Gialle” e Venecias që ka arritur të sekuestrojë mbi 70 kilogramë drogë përfshirë hashash, kokainë dhe marihuanë.

Shitja e “mallit” do t’i kishte sjellë çiftit shqiptar fitime që shkojnë në vlerën e mbi 1 milion eurove.

Çifti ra në sy pasi u përpoq të ndryshonte drejtimin e udhëtimit kur panë postobllokun e karabinierëve që po kryenin kontrolle në zonën tregtare të Mestres, por gjithsesi makina u ndalua.

Guardia di Finanza i shoqëroi në shtëpinë e tyre për një kërkim më të plotë dhe në oborr është gjetur një tjetër makinë ku ishin fshehur 20 kilogramë hashash.

Gjithashtu, janë konfiskuar rreth 300 gramë kokainë që ishte fshehur në tubin e evakuimit të zjarrit të shtëpisë. Gjithashtu në shtëpi u gjetën edhe çelësat e një depoje tjetër droge, e cila ndodhej pak kilometra larg.

Këtu u konfiskuan në një dollap 3 kilogramë kokainë, 20 kilogramë marihuanë të ndarë në 18 thasë dhe 27 kilogramë hashash të ndarë në 55 copë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb