Kampionët e Shqipërisë, Tirana janë shokuar pasditen e sotme pasi janë eleminuar në Kupën e Shqipërisë nga Korabi i Peshkopisë. Një gol në minutën e 120-të për dibranët ka mjaftuar që ekipi verilindor të kualifikohet për më tej me një fitore historike.

Dibranët që në minutën e 68′ ngelën me 10 lojtarë, por arritën të rezistojnë deri në ‘Extra Time’ teksa Skuka i dha fitoren në fund të 120 minutave.

Po ashtu surprizë ka qenë fitorja e Dinamos ndaj Bylysit 1-2 kurse Partizani dhe Kukësi kanë marrë fitore të vështira dhe minimale ndaj Besës e Apolonisë. Të kuqtë kryeqytetas u mjaftuan me një gol të shpejtë të Brown kurse verilindorët e Gegës përmbysën rezultatin nga 1-0 në pjesën e parë, në 1-2 në pjesën e dytë brenda 6 minutave me Limaj e Ibrahimin.

Skënderbeu ka fituar lehtësisht 3-0 në Korçë derbin e juglindjes me Pogradecin kurse Teuta shpartalloi 5-0 Kastriotin.

Tashmë kanë ngelur edhe sfidat Laçi-Egnatia dhe Vllaznia- Elbasani për t’u luajtur. Në çerekfinale nuk do jenë tashmë vetëm ekipe të Superligës si Kukësi, Partizani, Skënderbeu dhe Teuta por edhe Dinamo me Korabin, teksa pritet të shihet se çfarë do prodhojnë sfida e nesërme Vllaznia- Elbasani, dhe ajo pasnesër Laçi-Egnatia.

  • foto galeri

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb