TIRANE

Infermierja Mimoza Kalaja me një përvojë mbi 35 vjecare në zanat tërheq vëmendjen e qeverisë dhe të ministrisë së shëndetsisë për arsimin aspak cilësor që sipas saj po u jepet infermierëve të rinj në Universitetin e Mjekësisë.

Kalaja pretendon se shkolla e lartë e infermierisë dominohet nga pedagogë mjek që nuk u mësojnë studentëve asgjë mbi infermierinë deri në atë pikë sa dalin nga bankat e shkollës pa mësuar sesi bëhet një gjilpërë e thjeshtë.

Sipas saj infermierët e sapodiplomuar dinë më shumë nga diagnoza sesa nga të fshehtat e zanatit të infermierit që pasi nuk i kanë mësuar në teori i provojnë në praktikë direkt në trupin e pacientit.

Kalaja shkon dhe më tej teksa thotë se infermierët keqtrajtohen nga sistemi që i konsideron si një shërbim ndihmës në një kohë që sipas saj në të gjithë botën infermieria është një shkencë mjekësore që nuk mund të jepet dhe aq më pak të gjykohet apo nëpërkëmbet nga mjekët apo drejtuesit e sektorit shëndetësor.

Në intervistën e saj ish-kryeinfermierja tregon sesi 8 vite më parë qeveria e asaj kohe pushoi me një urdhër të vetëm të gjithë infermierët e trajnuar jashtë vendit për të dhënë mësim në Fakultetin e Infermierisë e që më pas u zëvendësuan me studentë të sapo diplomuar pa asnjë eksperiencë në zanat dhe mësimdhënie.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb