Publikohen disa dokumente arkivore të nxjerra nga Arkivi Qëndror i Shtetit në Tiranë të fondit të ish-Komitetit Qëndror të PPSH-së, të cilat i përkasin vitteve 1965-1967 kur regjimi komunist i Tiranës filloi luftën e hapur kundra besimeve dhe religjoneve fetare, duke ndaluar e mbyllur me ligj të gjitha institucionet dhe objektet e kultit në të gjithë vendin. Si u shpall Shqipëria vendi i vetëm ateist në botë dhe rezistenca e kundërshtitë e besimtarëve të ndryshëm nga Shkodra, Elbasani, Gjirokastra etj., të cilët që në vitin 1965, filluan t‘i dërgonin letra dhe ankesa Enver Hoxhës, duke i kërkuar atij që të mos vihej dorë dhe të mos prekeshin institucionet fetare, madje duke arritur deri në kërcënime, siç ishin një grup besimtarësh nga rrethi i Elbasanit, të cilët në letrën e tyre i shkruanin udhëheqsit kryesor të Partisë, se ata do të marshonin drej Tiranës, nëse do u prishej Xhamia Ballije!

Ndonëse regjimi komunist i Enver Hoxhës e kishte filluar luftën dhe goditjen ndaj institucioneve fetare dhe klerikëve të ndryshëm të të tre besimeve që me ardhjen e tij në pushtet, në dhjetorin e vitit 1944, kur filloi dhe ekzekutimet, burgosjet apo internimet në masë të qindra e qindra klerikëve, ndalimin e fesë dhe prishjen e objekteve të ndryshme të kultit e institucioneve fetare, e ndërmori vetëm në vitin 1967. Në atë kohë, pasi e sanksionoi me ligj të veçantë ndalimin e fesë, Tirana zyrtare e shpalli Shqipërinë si vendin e vetëm ateist në botë. Ndaj atij vendimi absurd dhe të paparë ndonjëherë që kishte marrë asokohe udhëheqja e lartë komuniste e PPSH-së dhe personalisht Enver Hoxha, gjë e cila fillimisht u kamuflua duke i’a atribuuar atë si një nismë dhe kërkesë të disa organizatave të rinisë shkollore të gjimnazeve të Durrësit e Tiranës, pati mjaft kundërshtime dhe reagime të ashpra si nga besimtarët, ashtu dhe nga klerikët e të tre besimeve, që ushtronin veprimtarinë e tyre religjioze në vendin tonë. Por reagimet dhe kundërshtitë e klerikëve dhe besimtarëve të ndryshëm u acaruan edhe më shumë, kur direktiva e udhëheqjes së lartë të PPSH-së, për ndalimin me ligj të fesë dhe prishjen e objekteve të kultit e institucioneve fetare, po bëhej realitet nga drejtues të lartë të partisë e pushtetit në rrethe të ndryshme të vendit.

Ata, duke u kamufluar nën parullën “T‘u shpallim luftë zakoneve prapanike”, filluan menjëherë sulmet ndaj kishave, xhamive, tyrbeve, teqeve, manastireve e objekteve të tjera të kultit, duke i prishur, shkatërruar dhe rrafshuar pjesën më të madhe të tyre, duke i kthyer më pas ato në vatra kulture, stalla, magazine, depo drithi, etj. Në ato sulme ndaj institucioneve fetare, fillimisht u dërguan nxënësit e shkollave, repartet ushtarake dhe aktivistët fanatikë të organizatave të rinisë, të cilët vepronin sipas direktivave dhe udhëzimeve që merrnin nga komitetet e partisë të rretheve. Në atë kohë, kur sapo kishte filluar sulmi ndaj fesë dhe prishja e objekteve të ndryshme të kultit, disa nga klerikët e lartë si dhe besimtarë të shumtë nga i gjithë vendi, kujtonin se ajo gjë ishte vërtet një nismë e organizatave të rinisë shkollore. Dhe, për ta parandaluar atë që po ndodhte, ata filluan t‘i dërgonin letër pas letre sekretarit të parë të Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, Enver Hoxhës, ku denonconin veprimet që kishin ndërmarrë ndaj objekteve fetare drejtuesit e partisë dhe të pushtetit në rrethe. Me ato letra dhe ankesa, ata shpresonin se udhëheqësi kryesor i Partisë, do të ndërhynte me autoritetin e tij absolut dhe do t‘i ndalonte ato veprime që po bëheshin. Një pjesë e madhe e këtyre letrave dhe protestave që iu dërguan në atë kohë Enver Hoxhës, gjenden në Arkivin Qendror të Shtetit në Tiranë, dhe disa prej tyre, Memorie.al po i publikon në këtë shkrim.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Ipeshkvi i Shkodrës, Dom Ernest Çoba i shkruan Enver Hoxhës

Një nga ata klerikë të lartë katolikë, që reagoi i pari ndaj vendimit të udhëheqjes së lartë të PPSH-së për prishjen e kishave, ishte Ipeshkvi i Shkodrës, Imzot Ernest Çoba, i cili me anë të një letre u ankua direkt tek Enver Hoxha, duke e vënë atë në dijeni për atë që po ndodhnin me objektet fetare të besimit katolik. Në atë letër të shkurtër ai shkroi:

Urgjent

Shokut Enver Hoxha

Sekretarit të Parë të PPSH-së Tiranë

Ju drejtohem juve, udhëheqësit të popullit, si ma tutje:

Në rrugën nacionale bri Kalasë Rozafat, gjindet Shenjtnorja e Devocionit mijvjeçare, Shenjtnorja e Zojës së Këshillit të Mirë, monument i vazhdueshëm i fesë dhe i atdheut.

Më 1.6.1966 na u komunikue nga Kryesia e Komitetit Ekzekutiv të Këshillit Popullor të Rrethit Shkodër se ajo në datën 6 të këtij muaji do të përfshihet në zonë ushtarake e prandej do të pezullohet funksionimi i saj.

Na jemi të gatshëm të bajmë sakrifica për mbarëvajtjen e atdheut, kjoftë edhe me jetën tonë. Megjithatë, ju lutemi nxehtësisht që, për hir të besimit të tyne, të shqyrtoni dhe veproni për vazhdimin e funksjonit të shenjtores në fjalë.

Me nderime të zgjedhuna

Ernest M. Çoba

Ipeshkëv, Kryetar i Kishës Katolike të Shqipërisë.

Shkodër Më 1.6.1966.

Por kjo letër e Imzot Çobës, si duket, nuk i është dorëzuar Enver Hoxhës, pasi një nga funksionarët e lartë të aparatit të Komitetit Qendror të PPSH-së në Tiranë, me anë të një informacioni që jep për këtë çështje, e konsideron të mbyllur atë problem. Në atë letër, që mban datën 16 korrik 1966, dhe që titullohet

“Informacion mbi telegramin e Ernest Çobës”, shkruhet:

“Është kryetar i Kishës Katolike. Me anë të një telegrami që i drejton shokut Enver, shkruan se Komiteti Ekzekutiv i Këshillit Popullor të Rrethit i ka lajmëruar se Shenjtorja e Zojës, që ndodhet në rrugën nacionale, bri kalasë Rozafat, do të përfshihet në zonën ushtarake e do të pezullohet funksionimi i saj, prandaj lutet të shqyrtohet kjo çështje. Për këtë u bisedua menjëherë me shokun N. K., i cili njoftoi se Komiteti Ekzekutiv, në bazë të kompetencave që ka, ka vendosur që më parë që ai vend të caktohet zonë ushtarake. Ernest Çoba atëherë nuk tha gjë. Tani që ankohet, është lajmëruar të heqë plaçkat që kish brenda në kishë, pasi shokët e ushtrisë do të bënin disa shpërthime e do t‘a izolonin atë vend. Shoku N. K. njoftoi gjithashtu se kur ishte shoku Enver në Shkodër, e kishin vënë në dijeni për këtë vendim e nuk u kish bërë vërejtje. Për këtë telegram u vu në dijeni edhe shoku Haki, i cili bisedoi vetë me shokun L.D., që ta thërriste e ta sqaronte Ernest Çobën. Shoku L.D. e thirri dhe e sqaroi vetë Ernestin, por ai nuk është njeri i mirë dhe i ngatërron në punë. Mendojmë që çështja të konsiderohet e përfunduar”.

Komiteti Qendror: Të gjendet autori i letrës

Letra e Ipeshkvit të Shkodrës, Imzot Ernest Çobës, dërguar Enver Hoxhës në vitin 1967, duket se solli shqetësime të mëdha për funksionarët e lartë të Komitetit Qendror të PPSH-së të asaj kohe. Sipas dokumenteve që gjenden në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave të Shtetit, në Tiranë, aparati i Komitetit Qendror në Tiranë, i dërgoi një letër Komitetit të Partisë në Shkodër, ku i kërkonte që ajo çështje të shihej nga ana e saj. Por më shqetësuese për Komitetin Qendror të PPSH-së në Tiranë, duket se ka qenë letra anonime dërguar Enver Hoxhës nga një besimtar i qytetit të Shkodrës. Në përgjigjen e Komitetit të Partisë të atij rrethi (të firmosur nga sekretari L.R.), dërguar Komitetit Qendror, në mes të tjerash, thuhet se autorin e asaj letre nuk kanë mundur ta gjejnë dot. Në atë letër, e cila mban datën 20 prill 1965, shkruhet:

“Gjegje shkresës tuaj Nr. /33/1 Dt. 21. I.1965.

Për sa kërkoni me të sipërmen, ju njoftojmë se për nevoja urgjente të ushtrisë dhe me aprovim edhe të Ipeshkvit Katolik, është autorizuar ushtria të futet në qelën e kishës së Gurit të Zi.

Por komanda ushtarake, duke marrë parasysh nevojat e mëdha që ka patur edhe nga ana tjetër kisha me qelën janë nën një çati, kështu që lëvizja e civilave aty afër, nuk lejohet, e ka zënë edhe kishën. Neve kemi porositur komandën ushtarake që të marrë masa për ta liruar sa më parë kishën, megjithëse nga ana e tyre kjo paraqet vështirësi. Nga ana tjetër, ky problem është shtruar edhe me popullin, që kisha do të mbahet edhe për disa kohë sa të krijohen kushte për lirimin e saj. Për çështjen e daljes në punë për ditë të diela dhe në festa fetare, kjo është kërkuar vullnetarisht nga kooperativistët, duke marrë parasysh nevojat e punës në kooperativë dhe nuk është e vërtetë se janë marrë masa administrative për këtë çështje. Autorin e letrës nuk kemi mundur ta gjejmë”.

Ankesa anonime: “Shoku Enver, ja çfar marrinash po bën drejtuesi i Partisë në Shkodër”!

Një nga letrat e shumta që u dërguan në vitet 1965 – ‘67 në adresë të Enver Hoxhës nga besimtarë të ndryshëm, është edhe ajo e një personi me banim në qytetin e Shkodrës, e cila si pjesa më e madhe e atyre letrave është anonime, pa emër. Në atë letër, midis të tjerash, shkruhet:

“Partia si organizatore dhe inspiruese e të gjitha fitoreve të popullit tonë, ka dhënë prova vetëmohimi në çdo drejtim. Unë në këtë letër e kam fjalën për disa masa të pavend që po merren nga Komiteti i Partisë. Gjatë luftës NÇL. armiku dhe në radhë të parë Kleri, kanë pas zhvillue nji luftë dhe propogand shumë të madhe kundër Partisë sonë, duke thanë se komunistat nuk besonin Zotin, prishin kisha e xhamia etj. Mir po në atë kohë kjo tez e tyre asht kundërshtue me të madhe, për ma tepër jan marrë edhe masa kundrejt atyre komunistave që janë çfaqë si ateistë. Çka ngjet sotë? Po me keq ardhje sot po vërtetohen fjalët e klerit, sepse në fakt në qytetin tonë janë prishë kisha dhe xhamia dhe disa jan kthyer në depo shtetërore dhe ajo që e ka irrituar më tepër popullin e Shkodrës asht udhëheqja e Komitetit të Partisë të qytetit tonë me në krye P.T., i cili e ka shum të zhvillue kultin dhe çka thotë P.T. do të bahet ose të ndryshe të morri djalli. Ai ka arrit pikën kulminante për mendimin tim në çështjet fetare, ai sot kërkon të dalë si reformator i ri kundrejt fesë, duke përdor disa forma dhe metoda të papërshtatshme që me bindje të plotë ju si udhëheqës Partie nuk ia keni dhanë një udhëzim të tillë. Ja se çka ba ky personalitet i shquar: ka urdhëru të bahen formular të veçant që të plotësohen nga sekretarët e Partisë në qendrat e punës në këto pika:

1. Kush mban ikona nëpër shtëpi dhe a do t‘i mbani a do t‘i hiqni?

2. Në rast se do të vdes ndonji nga pjestarët e familjes do t‘i varrosni me prift ose me hoxhë?

3. Kush nga punonjësit ose pjestarët e familjes festoi festat fetare si Bajram, Këshëndella e tjer?

4. Kush agjinon ramazanin dhe a do t‘i bani me i prish nanat dhe baballarët?

5. Ka urdhërue drejtorat e shkollave që të pyesin fëmit deri në klasën e 9 nëse janë të bamë synet dhe a do të bahen?

6. Ka detyrue nënpunësit e aparatit shtetit me shku nëpër lagje dhe shpi në shtëpi me i pyet a keni agjinue dhe na pije nji gotë ujë?

7. Ka ndalue ramjen e kambanave jo vetëm për festat fetare, por edhe për ramjen e sahatit që asht injoranca ma e madhe.

(AQSH F 14/A./p. S.T.R.U. 1965 D.1014 f.2)

Letra kërcënuese e besimtarëve Elbasanas, për mosprishjen e Xhamisë Ballije: “Shoku Enver, na mbro xhamijat, se do vimë në Tiranë”

Vendimi i Komitetit Qendror të PPSH-së në vitin 1967 për mbylljen e të gjitha institucioneve fetare dhe objekteve të kultit, i cili fillimisht u kamuflua si një nismë e organizatave të rinisë shkollore, ngjalli reagime dhe kundërshti të ashpra nga besimtarë të ndryshëm në të gjitha rrethet e vendit. Kështu ndodhi edhe në Rrethin e Elbasanit, ku një grup besimtarësh nga fshatrat dhe qyteti i dërguan tre letra Enver Hoxhës, madje duke e kërcënuar atë, se në rast se nuk do të shikohej me precedencë ankesa e tyre për të mos u prishur xhamia Ballje, ata do të marshonin për në Tiranë. Në ato letra, midis të tjerave, ata shkruanin: ”

Shokut Enver Hoxha

Tiranë

Ashtë letra e dytë që po ju dërgojmë juve shoku Enver dhe për një kohë u ndaluan punëtorët për prishjen e xhamisë Ballje, mirë por sot më dt. 27.X.1965, filluan prishjen e xhamisë na Xhemiati dhe besimtarët syni ishin të pikëlluar dhe kërkojnë që xhamija në fjalë të mos prishet dhe të qëndrojë në vend. Ne e dimë që feja është e lirë dhe gëzojmë të gjitha të drejtat fetare dhe prandaj kërkojmë që xhamija Ballje është historike, por në se nuk e pranojmë historike, ta zbukurojmë dhe të rregullohet, por vetëm të rrijë xhamija në vend dhe të mos prishet. Nga fetarët, nga Xhemiatë dhe besimtarët të qytetit Elbasan. Vetëm urdhëri juej ndalon çdo veprim.

Mbesim me shpresë të naltë.

27.X.65

Letra e tretë e besimtarëve elbasanas për Enver Hoxhën

Shokut Enver Hoxha

Tiranë

Asht letra e tretë që ju dërgojmë dhe asnji gja nuk u ba për xhamin Ballje në Elbasan, por vazhdojnë ta prishin. Asht mëkat i madh që të prishet një xhami si kjo, që asht shumë e mirë dhe që asht në mes të qytetit. I shkoj fjala dhe Kryetarit të Komitetit të Qytetit se asht xhami ajo që prishet se po të ishte kishë, nuk do të përfundonte kështu dhe Myftiu i qytetit të Elbasanit bashkë me kryetarin e fesë në Tiranë, shikojnë që të marrin pare dhe nuk pyesnin për xhamiat, por shikojnë që të mbushin xhepat e tyre, dhe për xhamijat nuk kanë galje por një gja asht se xhamiat i ka goditur populli dhe populli të pyet se sa e keqe i vjen që prishen xhamiat sot dhe që i kanë bërë depo shumë prej tyre që bijnë në sy se janë mbrena në qytet. Sa për Myftiun e qytetit ajë e ka bërë si i do qeifi, hoxhallarët e qytetit dhe të fshatit e kanë frikë se ashtu me kobure në brez dhe bajnë si i thotë ajë nga frika se i kërcënon, prandaj e gjithë kjo që ka ardhë krejt me Myftiun e Qytetit ësht bërë, prandaj ne kërkojmë që të mos prishet xhamia sa nuk asht vonë, nëse edhe ne si fetarë i gëzojmë të gjitha të drejtat si ato që nuk besojnë, të na shifet e drejta, ose urdhëroni që të prishen të gjitha xhamiat që kështu ta dimë se ne si besimtar nuk i gëzojmë të drejtat si të gjithë, por të prishen, bashkë me Myftiun e Qytetit që e ka delenisë fenë deri në këtë gjendje. Na kërkojmë që xhamia të mos prishet sa nuk është vonë dhe Myftiu të na hiqet fare nga feja. Nëse nuk ndalohet prishja dhe të rregullohet xhamia, ditën e martë më datë 2 do të vijmë një pjesë e besimtarëve që të takojmë me juve që të sqarohemi. Me nderime Xhemiati dhe besimtarët e qytetit e të fshatrave të Elbasanit. Mesim me shpresë të plotë.

30.X.65

(A.Q.Sh. f.14 / A.P. S.T.R. V.1965 D.1014 fq.76)

Letra nga Gjirokastra për Enver Hoxhën: Gëzohem t’ini mirë dhe shëndoshë me ç’u dëshiron shpirti

Krahas letrave kërcënuese të besimtarëve të ndryshëm që ankoheshin dhe kundërshtonin për mbylljen e prishjen që po u bëhej objekteve të kultit dhe institucioneve fetare, në atë kohë, në adresë të organeve të larta partiake dhe shtetërore e drejtuesve kryesorë të tyre, u dërguan edhe letra të tjera ku shqetësimi i besimtarëve paraqitej me tone më të buta. Kjo gjë, veç të tjerave bëhet e ditur edhe nga një letër e një qytetari nga Gjirokastra, në të cilën shkruhet:

I dashuri dhe i nderuar shoku Enver.

Gëzohem t‘ini mirë e shëndoshë me gjithë ç‘u dëshiron shpirti. Dy tri dit ma parë keshi dalë nga Teqe e baba Zejnelit në qivurin e Shuqur Çuçit paçë se kur kanë kryer eshtërat e Babajt të Shuqurit, kanë lënë pa marë një gur të shkruar Turqisht, që ky gur duhesh ti vihej atje ku kanë vënë eshtërat e babajt të Shuqurit, ky gur asht shkruar me shkronja Turqisht që tregon emnin datën e tjera d.m.th. asht si kujtim. Po të doni shkruani Komitetit këtu ta marin dhe tja vënë në mezar, përqafime qofshi mirë e shëndoshë”./Memorie.al

Nderime

Abidin Çano

Gjirokastrë 26.2.66

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb