Ditën e djeshme, në Gjykatën e Krimeve të Rënda, u zhvillua seanca e radhës ndaj Emiljano Shullazit dhe grupit të tij, që akuzohen për gjobëvënie. Prokuroria e Krimeve të Rënda paraqiti ditën e djeshme të gjitha provat shkresore ndaj Emiljano Shullazit, Gilmando Danit, Endrit Qyqes, Endri Zelës dhe Blerim Shullazit.

Dosja hetimore përbëhet nga plot 17 fashikuj, ku në to përfshihen prova për regjistrimin e ish-hotel “Vollgës”, kërcënimin e rektorit Mynyr Koni, eksplozivin në parkingun e biznesmenit Jani Zakja dhe shpërthimine një punishteje duralumini në Lushnjë. Në seancën e djeshme u përmend edhe Lulzim Berisha, ish-kreu i Bandës së Durrësit, i liruar nga Gjykata me kusht.

Më konkretisht, Prokuroria përmendi se në shkurt të vitit 2016, Policia e Shtetit kishte referuar në Prokurorinë e Krimeve të Rënda tre emra për gjobëveniet.

Ata ishin: Emiljano Shullazi, Lulzim Berisha dhe shtetasi P.D. Në atë kohë, Lulzim Berisha ishte ende në burg dhe Prokuroria vazhdoi hetimet për Shullazin në bazë të provave. Nuk u provua asnjëherë lidhja mes Berishës dhe Shullazit. Ndër provat kryesore që ka akuza ndaj Shullazit dhe grupit, janë dokumentet e regjistrimit të ish-hotel “Vollgës”, ku Emiljano Shullazi rezulton bashkëpronar, së bashku me biznesmenin që e ka kallëzuar Ylvi Beqja. Ky i fundit pretendon se është shantazhuar dhe kërcënuar nga Shullazi për të marrë një pjesë të pronësisë së ish-hotel “Vollgës”.

Gjithashtu, si provë është paraqitur dëshmia dhe ballafaqimet e Ylvi Beqajt në gjyq, tablatet telefonike të numrave të tij dhe më konkretisht, një bisedë e Beqajt në “Whatsapp” me një person me banim në Itali, ku sipas akuzës, ai i shprehte shqetësimin se ishte i kërcënuar nga Shullazi.

Si prova janë paraqitur edhe tërheqjet bankare të shumave monetare në çeqe. Këto shuma janë tërhequr nga Gilmando Dani, Endrit Qyqja, Endri Zela dhe ish-truproja i Ylvi Beqajt, shtetasi R.T. Prokuroria përmendi edhe sms-të e shkëmbyera mes Emiljano Shullazit përmes numrit të Gilmando Danit me gjyqtaren Fatmira Hajdari, në lidhje me një proces gjyqësor për pronësinë e ish-hotel “Vollgës”.

Në gjyq u paraqitën edhe dokumente, që kanë dalë nga hetimi pasuror për të gjithë grupin e Shullazit. Sa u përket rasteve të tjera, Prokuroria paraqiti si prova kamerat e sigurisë së punishtes së duraluminit në Lushnjë në momentin e shpërthimit, tablatet telefonike dhe dëshmitë e biznesmenit, Adriatik Kërçuku.

Për kërcënimin e Mynyr Konit u paraqitën si prova dëshmitë e Kules, Rrokajt etj., si edhe kamerat e sigurisë së lokalit, në afërsi të të cilit mendohet se ka ndodhur kërcënimi i rektorit aktual të Universitetit të Tiranës. Deri më tani, Prokurorisë së Krimeve të Rënda i mungon dëshmia e biznesmenit Jani Zakja për rastin e shpërthimit në parkingun e tij në Tiranë, për të cilin është akuzuar Shullazi. Zakja nuk gjendet, pasi është larguar jashtë vendit. Avokatët mbrojtës të grupit kërkuan që Prokuroria të heqë dorë nga dëshmitari ose të bëjë përpjekje më serioze për ta gjetur dhe njoftuar që të kthehet të dëshmojë.

Sa u përket provave të paraqitura, të gjithë ishin të mendimit se nuk tregojnë lidhjet me akuzat dhe me të pandehurit. Ata thanë në seancë se do të përgjigjen me shkrim për provat e paraqitura.

Në përfundim, me gjithë debatet e ndodhura në seancë, gjyqtari Fran Prendi e ndërpreu atë.

DEBATET

Avokati Aldo Tabaku: Lidhur me dëshmitarin Jani Zakja, duke qenë se ka disa seanca që ne presim që ai të dëshmojë ose të ballafaqohet, mendohej që Prokuroria duhet të heqë dorë prej tij dhe të vazhdojmë procesin.

Gjyqtari: Ai është dëshmitar i mbrojtjes avokat. E keni thirrur ju.

Avokati Rafik Gurra: Çështja është diku tjetër zoti Gjyqtar. Prokuroria nuk po bën përpjekjet maksimale që ky dëshmitar të gjendet dhe të vijë të dëshmojë. Nuk është përpjekje dërgimi i shkresave për njoftim. Duhet të gjendet ku është. Të dhënat nga sistemi TIMS janë të paplota.

Avokati Vladimir Meçe: Sa u përket atyre provave që paraqiti Prokuroria këtu në seancë, mendoj se 90 % e tyre nuk përbëjnë provën sipas definimit të Kodit të Procedurës Penale. Ka shumë veprime procedurale, që janë bërë në kundërshtim me ligjin. Prokuroria këtu na paraqiti disa prova që i ka marrë nga google. I referohem atyre që ka marrë nëpër portale. Po pse, prova janë ato? Të kërkosh në google, t’u referohesh deklaratave televizive? Gjithashtu, na u paraqit si provë këtu edhe komunikimi i Ylvi Beqajt me një numër të huajsh me prefiks italian mos gaboj. Çfarë prove është kjo? A ka bërë Prokuroria një kërkim të thelluar se kush është personi që mbante numrin? Ai fare mirë mund të jetë vetë Ylvi Beqja. Kujt i përket ai numër? Duhen bërë këto kërkime, duke ditur fare mirë faktin që Ylvi Beqja është një person, i cili është në të paktën 10 gjyqe civile si i pandehur. Prokuroria pastaj na paraqet urdhra ekzekutimesh si prova për të rënduar pozitat e klientëve tanë. Ka shumë veprime procedurale antiligjore.

Ne do të kërkojmë me shkrim rrëzimin e 90 % të provave si të papërdorshme dhe të pabazuara në ligj.

Avokati Rafik Gurra: Për mua, organi i akuzës është kaotik në mënyrën si ka paraqitur provat. E thënë në gjuhën popullore, “me dajre dhe me lodër nga Tirana në Shkodër”. Prokuroria vjen këtu duke bërë analiza romantike të provave. Na merr komunikimet e Ylvi Beqajt me një person që ne s’e njohim, ndërkohë nuk merr tablatet telefonike të Gilmando Danit me Ylvi Beqajn. Përse nuk analizohen këto tablate dhe qeliza telefonike të Gilmando Danit, ku dihet që ai ka pasur komunikime të shpeshta me Beqajn? Ne do të përgjigjemi me shkrim për këto prova, që nuk japin asnjë përgjigje për akuzat dhe të pandehurit.

Avokati Aldo Tabaku: Unë desha të ndalesha pak në dy momente kryesore. Sa i përket klientit tim, Blerim Shullazit, Prokuroria tha se në banesën e tij u gjetën disa kubikë, që dyshoheshin se ishin mbjellë me kanabis. Analizat laboratorike treguan se nuk ishte kanabis. Në asnjë moment tjetër, Blerim Shullazi nuk përmendet. Atëherë, përse mbahet në burg ai prej dy vjetësh? Kërkoj nga Prokuroria e Krimeve të Rënda që të pushojë hetimet ndaj Blerim Shullazit dhe ai të lirohet.

Avokati Denion Bogdani: Për mua, Prokuroria vjen me një manipulim të hapur të provave. Në asnjë në argumentet e saj, nuk provohen akuzat e grupit të strukturuar kriminal. Se ka një akuzë, që klientët tanë kanë vepruar si grup i strukturuar kriminal. Ku është grupi i strukturuar?

Prokurorja Elizabeta Imeraj: Unë tani nuk e kuptoj këtë punë. Ju keni ardhur këtu që të bëni inspektimin e Prokurorisë? Lërjani KLP-së (Këshillit të Lartë të Prokurorisë) këtë punë. Pastaj, çfarë problemi keni ju se si i shfaq Prokuroria provat. Nëse ne kemi punuar keq, siç thoni ju, atëherë ju duhet të jeni të kënaqur me këtë apo jo?

Gilmando Dani: Po na mban dy vjet e gjysmë në burg kot mi!

Prokurorja Elizabeta Imeraj: Nuk po të mbaj unë në burg ty, por ka vendim gjykate. Ke edhe vendim të Gjykatës së Lartë për këtë, por nuk ta paskan shpjeguar mirë avokatët e tu se pse je në burg…

Gilmando Dani: E di mirë ti se pse jam në burg unë…

/Panorama- http://www.panorama.com.al/shullazi-po-na-mban-2-vjet-e-gjysme-ne-burg-kot-mi-gilmando-dani-kapet-me-prokuroren-debati-i-plote77/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb