Pjesa e tretë

Publikohen kujtimet e gazetarit, publicistit, përkthyesit, studiuesit, shkrimtarit, dramaturgut dhe diplomatit të njohur, Bashkim Trenova, i cili pasi u diplomua në Fakultetin Histori-Filologji të Universitetit Shtetëror të Tiranës, në vitin 1966 u emërua gazetar në Radio-Tirana në Drejtorinë e Jashtme të saj, ku punoi deri në vitin 1975, kur ai u emërua si gazetar dhe shef i redaksisë së jashtme në gazetën ‘Zëri i popullit’, organ i Komitetit Qendror të PPSH-së. Në vitet 1984-1990, ai shërbeu si kryetar i Degës së Botimeve në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave të Shtetit dhe pas zgjedhjeve të para të lira në Shqipëri, në marsin e vitit 1991, u emërua në gazetën ‘Rilindja Demokratike’, fillimisht si zv/kryeredaktor dhe më pas kryeredaktor i saj, deri në vitin 1994, kur u emërua në Ministrinë e Punëve të Jashtme. me detyrën e Drejtorit të Shtypit dhe zëdhënës i asaj ministrie. Në vitin 1997, Trenova u emërua me detyrën e ambasadorit të Shqipërisë në Mbretërinë e Belgjikës dhe në Dukatin e Madh të Luksemburgut.  Kujtimet e panjohura të z. Trenova, duke filluar nga periudha e Luftës, fëmijëria e tij, vitet e fakultetit, karriera profesionale si gazetar dhe studiues në Radio Tirana, gazetën ‘Zëri i popullit’ dhe Arkivin Qendror të Shtetit, ku ai shërbeu deri në shembjen e  regjimit komunist të Enver Hoxhës, periudhë kohe, kur ai në rrethana të ndryshme u njoh me disa nga ‘familjet reaksionare’ dhe pinjollët e tyre, të cilët me një mjeshtëri të rrallë, i ka përshkruar në një libër me kujtime të publikuar në vitin 2012, me titull ‘Armiqtë e popullit’ dhe tani i sjell për lexuesit e Memorie.al             

                                                      “Armiqtë e popullit”

Lirimi nga burgu i babait të Hamitit dhe tragjedia e tij!

Një ditë babai i Hamitit doli nga burgu. Ishte një burrë i fuqishëm fizikisht dhe i qeshur. Dukej sikur burgu nuk i kishte lënë ndonjë gjurmë, ndryshe nga Hamiti që ishte me mjaft temperament, tepër i ndjeshëm dhe delikat si fizik. Dalja e tij nga burgu rastisi në kohë me shtruarjen e tubacionit të ujit të pijshëm në rrugicën tonë. Më parë ujin ne e mbushnim në rrugë në çezma publike, si atë për të pirë edhe për larje, etj. Sigurisht që ishim të gëzuar që ujin do ta kishim tani në oborrin e shtëpisë. Unë, si edhe shokët e mi, muarrëm kazmat dhe filluam të hapim kanalet ku do të shtrohej tubacioni. Duhej që secila familje të hapte vetë kanalin për shtrirjen e tubacionit qendror para shtëpisë së vet. Babai i Hamitit, e bëri këtë gjë me lehtësi jo vetëm për vete, por edhe për banorë të tjerë përkundrejt një pagese. Ai nuk ishte punësuar. Nuk ishte e lehtë për një ish të burgosur të punësohej. Ai ishte i lirë me prangat e papunësisë në grykë.

Dalja e babait nga burgu, normalisht do të duhej të ishte diçka e gëzuar, por për Hamitin kjo vetëm se ia rëndoi edhe më tej jetën. Babait i’u tha nga pushtetarët, se ai nuk mund të banonte në kryeqytet, prandaj duhet të zgjidhte ose fshatrat e Matit, nga ishte me origjinë, ose Beratin nga ku i ishin bërë akuzat, që e kishin përfunduar në burg. Në Berat, një lagje e qytetit ishte për të internuarit e regjimit. Atë, sigurisht, duhej ta ndiqnin pas edhe prindërit, d.m.th., gjyshi dhe gjyshja e Hamitit si edhe vetë Hamiti.

Nuk e di si shkoi më tej jeta e babait të Hamitit. Di se gjyshi dhe gjyshja u detyruan të largohen nga shtëpia e tyre. Shkuan në një fshat diku pranë kryeqytetit, ku u bënë barinj të një tufe bagëtish, të një apo disa familjeje fshatarësh. Atëherë ende nuk ishin ngritur kooperativat bujqësore në të gjitha fshatrat e Shqipërisë, fshatarët kishin ende në pronësi edhe tufa bagëtish. Hamiti vetë ndërkohë kishte mbaruar një kurs shoferësh. Ai u thirr ushtar, u caktua si shofer në një repart ushtarak. Një ditë, duke transportuar disa ushtarë, kamioni i tij bie në një kanal. E dërgojnë në spital pasi kishte marrë disa goditje. Nga ushtarët nuk pati të dëmtuar. Këtu edhe mbyllet tragjedia e tij.

Duke e ndjerë veten si djali i «armikut» ai u tremb se mos e akuzonin se e kish rrëzuar qëllimisht kamionin. Për t’i shpëtuar kësaj akuze, ai filloi t’u kërkojë mjekëve që të mos interesoheshin për plagët fizike të tij, por ta trajtonin si të sëmurë mendor. Kaq këmbëngulëse ishte kërkesa e tij dhe kaq e fortë frika e kalimit të mundshëm para një gjykate ushtarake, sa ai nisi të bindë edhe veten se ishte i sëmurë mendor dhe përfundoi si i tillë. Ai na tregonte se si i ishin dobësuar apo qullosur kockat ku ai, siç kërkonte të na bindëte, mund të fuste apo ngulte si një thikë gishtin e tij pa vështirësi!

Hamiti nuk gëzoi një familje dhe as pati fatin të krijonte një familje. Djalë simpatik ai u dashurua me një vajzë ndërsa shërbente si kuzhinier në kampin e punëtorëve apo të pionierëve në malin e Dajtit, që ngrihet në verilindje të kryeqytetit. Unë e njihja këtë vajzë. Së bashku kemi qenë për disa vite në rrethet artistike të pionierëve në Pallatin e Kulturës “Ali Kelmendi” në Tiranë. Unë isha regjistruar në rrethin e korit, ndërsa ajo në rrethin e baletit. Kërcente shumë bukur. Ishte e thjeshtë, nga një familje e njohur tiranase. Babai i saj ishte oficer i Sigurimit të Shtetit, pra ai kurrsesi nuk mund të pranonte që dashuria e dy të rinjve të kurorëzohej. Komunizmi kishte krijuar kapulet dhe monteguet e tij.

Bëra një udhëtim në Tiranë në vitin 2010. Pyeta shokun tim të fëmijërisë Luan Pirdeni, ish fqinj i imi dhe i Hamitit, nëse dinte gjë për fatin e Hamitit. Më tha se ai vdiq ashtu i harruar dhe i bindur në çmendurinë e tij, të cilën e kishte parë si të vetmen armë mbrojtëse ndaj regjimit.

Vajzën e dashuruar prej tij kam patur rastin ta shoh shpesh gjatë viteve. Rruga që bëja për në punë kalonte nga shtëpia e saj. Nuk e di a u martua me dikënd tjetër, që i përshtatej edhe babait të saj, apo jo. Sidoqoftë, ajo gjithnjë më dukej sikur transmetonte trishtim dhe dhimbje, një rini të thyer që në dashurinë e parë. Gjithnjë e shikoja të vetme, të pashoqëruar.

 “Armiqtë e popullit” që u strehuan te shtëpia e Kolaverëve

Shkruajta pak më sipër se në shtëpinë e Kolaverëve u futën si qiraxhinj dy familje të tjera dhe më pas edhe një familje ciganësh. Njëra familje ishte ajo e Foto Jankut, futbollist i njohur i Sport-Klub Tiranës. Me djalin e tij, Nikon, u bëmë shpejt miq të mirë. Familja tjetër përbëhej nga dy pleq, burrë e grua. Burri si një top i rrumbullakët me syze optike, që me zor lëviste, quhej Stathi. Gruaja më duket se quhej Joana. Ata nuk kishin fëmijë, apo më mirë kishin patur një djalë, por që ishte pushkatuar.

Nuk i’a mësova kurrë emrin djalit të Stathit dhe të Joanës. Kam hamendësuar se ai mund të quhej: Petro Konomi ose Niko Lezho. Këto dy emra gjenden në listën e 22 intelektualëve, që u pushkatuan nga regjimi në shkurt të vitit 1951 pa u zhvilluar asnjë gjyq, qoftë edhe formal, që të provonte fajësinë e tyre. Stathi dhe Joana ishin nga jugu i Shqipërisë, të besimit ortodoks. Në listën që përmenda vetëm këto dy emra janë gjithashtu nga jugu dhe të besimit ortodoks. Të tjerët janë nga krahina që shtriheshin në tërë territorin e shtetit shqiptar, por edhe në hapësirat e banuara nga shqiptarët si: në Kosovë, në Maqedoninë Perëndimore apo edhe nga Mali i Zi.

Pushkatimi i djalit të Stathit dhe Joanës, për «bombën» në ambasadën sovjetike

Një Gjykatë, që nuk funksionoi asnjëherë, qoftë edhe formalisht, vendosi  në shkurtin e vitit 1951, dënimin e tyre  «me vdekje, me pushkatim». Ky vendim ishte i formës së prerë dhe i ekzekutueshëm menjëherë. Djali i dy pleqve të mjerë, që i shikoja përpara portës së tyre herë të qeshur e herë të hutuar, si edhe  21 të tjerët u dënua për hedhjen e një dinamiti në oborrin e ambasadës sovjetike në Tiranë. Në të vërtetë edhe vetë Sigurimi i Shtetit, nuk i arrestoi dhe as e ngriti një akuzë të tillë ndaj tyre. Ata u dënuan nga Byroja Politike e Partisë Komuniste. Kjo gjë del qartë nga proces-verbali i mbajtur në mbledhjen e kësaj Byroje, lidhur me rastin për të cilin po tregoj. Në këtë proces-verbal, dëshmohet se ish-ministri i Brendshëm i asaj kohe dhe anëtar i Byrosë Politike,  më pas kryeministër, Mehmet Shehu, ka deklaruar: «Meqenëse edhe herë tjetër kemi pushkatuar jashtë ligjeve në fuqi, të arrestojmë rreth 100 apo 150 vetë, nga të cilët 10 apo 15 prej tyre t’i pushkatojmë… ! Ne i kemi përgatitur listat e arrestimeve dhe, po të jeni edhe ju dakord, veprojmë që sonte».

Byroja Politike ishte dakord dhe kështu u muarr vendimi. Dhe, megjithëse të gjithë ata që do t’i nënshtroheshin ekzekutimit u arrestuan dhe u dënuan, siç u cilësua në atë kohë, për «atentatin» në Ambasadën Sovjetike, nga proces-verbali i mbledhjes së Byrosë Politike ku u vendos dënimi i tyre shohim se vetë diktatori, Enver Hoxha, të jetë shprehur: «Motivacioni të mos thuhet për atentat». Ai i dha kështu përgjigje edhe Beqir Ballukut, anëtar i Byrosë Politike, i cili tha në këtë mbledhje: «Po për çështjen e atyre që do të pushkatojmë, ne duhet të gjejmë edhe një motivacion… ». Ironia është se dy-tre dhjetëvjeçarë më pas, vetë Mehmet Shehu dhe Beqir Balluku, si pothuaj të gjithë bashkëpunëtorët më të afërt të diktatorit Enver Hoxha, do të deklarohen prej tij si armiq të Partisë, të popullit dhe të atdheut dhe do të ekzekutohen.

Tentativa e Joanës për të vrarë veten, duke u hedhur në pus!

Shpërthimi i dinamitit në ambasadën sovjetike është diskutuar shumë pas rrëzimit të komunizmit. Janë shprehur edhe mendime se ai është organizuar nga vetë Sigurimi për të përligjur vrasjet dhe spastrimet e mëdha që vijuan më pas. Sidoqoftë, fakt është se nga ky shpërthim, përveç disa xhameve të thyer dhe derës së dëmtuar të garazhit, nuk ndodhi asgjë tjetër. Për këtë u arrestuan 300 vetë dhe u ekzekutuan natën në fshehtësi 22 persona të lidhur me tela me gjemba buzë lumit Erzen në afërsi të kryeqytetit. Ata u varrosën në një varr të përbashkët. Pas shumë vitesh, një buldozerist duke gërmuar bregut lumit, llahtariset kur sheh që buldozeri i tij kishte nxjerrë nga dheu një të varrosur, që siç rezultoi pas ekspertizës, i takonte seksit femër. Ishte Sabiha Kasimati, një intelektuale e arrestuar dhe pushkatuar së bashku me djalin e Stathit e të Joanës dhe 20 intelektualë të tjerë.

Joana, e veshur në të zeza, nuk mundi të durojë dhimbjen. Në oborrin e shtëpisë së Kolaverëve, kishte një man të madh, të cilin ne fëmijët e mëhallës e shkundnim nga trungu ose i gjuanim me gurë për t’i marrë manat. Pranë tij ndodhej edhe një pus uji. Në atë kohë, kur ende ujët nuk ishte futur në familjet shqiptare, çdo shtëpi kishte një pus të vetin ose një pus të ndarë përgjysmë me fqinjin. Sipas rastit, pusi përdorej për të pirë, për larje dhe ndonjëherë edhe si frigorifer ku ruhej mishi ose frutat e perimet. Një ditë Joana u afrua në grykë të pusit dhe desh të hidhej brenda, të përfundonte në thellësinë e tij. Për fatin e saj, të mirë apo edhe të keq, aty u ndodh në moment gjyshja e Hamitit. Gjyshja ishte e moshuar, ndoshta rreth të tetëdhjetave, por ishte një malësore e thatë, mjaft e fortë. Në atë moshë ajo vraponte me mjaft lehtësi pas nesh për të na kapur dhe ndëshkuar kur  bënim ndonjë nga paudhësitë tona që e zemëronin atë. Ajo e kapi Joanën dhe nuk e lejoi që t’i jepte fund jetës, të cilën pa djalin e saj të vetëm, nuk e gjente më si një dhuratë, por si një mallkim.

Rrugica jonë me “familjet e prekura”

Në rrugicën tonë të vogël ku banonim më pak se 100 banorë në rreth 12-13 shtëpi private, flitej për ata që quheshin « të prekurit.» Fëmijë e kam vrarë mjaft mendjen përse « të prekurit » quheshin kështu kur nuk shihja që të ishin prekur konkretisht nga diçka apo nga dikush. Në ato vite në Shqipëri quheshe «i prekur» kur ishe sëmurë nga tuberkulozi. Unë dija, p.sh., se burri i hallës sime, Sulejmani, apo Sula siç i thonin, ishte i prekur, vuante nga tuberkulozi. Në shtëpinë e tij pjatat, lugët dhe pirunjtë që përdorte ai nuk përziheshin me ato të të gjithë familjes. Njëherë, kur ai ishte shumë rëndë, kam parë në shtëpinë e hallës në një tavolinë të vogël edhe një zarf me shirit të zi. Pritej që Sulejmani të ndahej shpejt nga kjo jetë. Nga «të prekurit» e rrugicës sonë, asnjë nuk vuante nga kjo sëmundje vdekjeprurëse për kohën. Ndoshta quheshin të tillë sepse «mushkëritë» e tyre nuk ishin të pastra, sepse për regjimin, ata ishin me hije në biografi, pra jo të pastër dhe se ata i priste i njëjti fat i pashmangshëm si edhe të sëmurët nga tuberkulozi, vuajtje dhe gjak deri në vdekje.

Përmenda më parë se si në shtëpinë e Kolaverëve u futën arbitrarisht si qiraxhinj të tjera familje, midis tyre edhe një familje cigane. Disa metra më larg shtëpisë së Kolaverëve dhe në të djathë të shtëpisë sonë, jetonte familja Varvarica, dy pleq simpatikë, Faiku dhe Idajeti e dy djemtë e tyre. Idajeti ishte tepër e shkathët. Sikurse thoshte vetë duke qeshur, e vogël i kishte hipur gomarit mbrapsht. Ajo ishte më tepër se maniake në pastërti, lante me shkumë sapuni edhe gurët e kalldrëmit të oborrit, që gjithnjë shkëlqente sikur në të nuk kishte shkelur asnjë këmbë milingone. Ajo nuk përtonte të merrte furçën dhe të lyente me gëlqere muret e jashtme të shtëpisë kur shirat, që janë të shpeshtë e të rrëmbyeshëm në Tiranë, linin dikund ndonjë vrazhdë apo njollë. Muret rrethues të shtëpisë së saj, duhet të ishin gjithnjë të bardhë dhe poshtë me një shirit boje të errët, pëlqehej ngjyra kafe ose blu e errët. Faiku ishte një burrë i hollë dhe i thatë. Ai i kushtonte mjaft kujdes paraqitjes së tij, gjithnjë të pastër e të rregullt. Në kokë mbante një feste të zezë. Nuk kishte shumë fjalë. Ne fëmijëve të rrugicës na përshëndeste me një buzëqeshje të kursyer. I pëlqente që ne t’i drejtoheshim duke e thërritur “mixha”. Shkurt, të dy ata, Idajeti dhe Faiku, ishin sikur të kishin dale nga një epruvetë dhe sikur jetonin në një epruvetë. Fatkeqësia e tyre ishte se të dy djemtë nuk patën fëmijë, ishin sterilë. Djali madh, madje, në kërkim të shanseve për të patur një fëmijë, vdiq në llixhat e Peshkopisë, një qytet me ujra termale në Shqipërinë e veriut.

Haxhi Lleshi vizitë tek “familja e prekur”  Varvarica

Sikur nuk mjaftonin fatkeqësitë e tyre, shteti u “kujdes” edhe për Varvaricat. Një ditë të bukur atyre u fusin si qiraxhi një cigan, që punonte si transportues qymyri për familjet e kryeqytetit. Këtë punë ai e bënte duke ngarkuar dy-tri thasë me qymyr në karrocën e tij metalike të dorës, njëlloj karroce që është përdorur gjatë në ndërtim dhe që vazhdon të përdoret në kopshtari. Këto thasë i shkarkonte pastaj në adresën e blerësit të qymyrit, duke u paguar për shërbimin. Kjo ishte puna e tij. Çdo ditë atij i takonte të mbushte me lopatën dhjetëra thasë me qymyr dhe t’i transportonte ato me karrocën e dorës në çdo skaj të qytetit. Qymyri përdorej për kuzhinë dhe ngrohje. Në mbarim të ditës, ai ishte edhe më i zi nga sa ishte në të vërtetë, i mbuluar nga pluhuri i qymyrit, që do ta shkundte në shtëpinë e Varvaricave çdo mbrëmje. Dukej sikur kështu ai kryente një ritual të komanduar, të shoqëruar madje edhe me këngë. Ciganit i pëlqente kënga, madje demonstronte edhe ushtrime fizkulture në dhomën e tij, që ngrihej drejt mbi kuzhinën e Varvaricave. Dritarja e kësaj dhome shihte nga rruga dhe shpesh ishte e hapur. Unë ngjitesha në majën e një pishe të lartë të rritur në oborrin e shtëpisë sonë dhe “kontrolloja” lëvizjet e ciganit, që më dukej disi i veçantë, argëtues, pse jo edhe paksa teatral. Nuk më dukej se bëja diçka të palejueshme. Në fund të fundit perdja (dritarja) ishte e hapur.

Më vonë do të mësoja se ardhja e ciganit në shtëpinë e Varvaricave, lidhej me të qenurit e tyre “të prekur”, d.m.th., edhe ata si Kolaverët apo Joana e Stathi, ishin “me hije”, nuk ishin të pastër në biografi. Ata e “meritonin” pluhurin apo blozën e qymyrit. Përse?

Gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore, papritur, një ditë ishte përhapur lajmi se Mehmet Shehu, atëhere komandant i Brigadës së Parë Sulmuese, një formacion i armatosur antifashist, ishte vrarë në luftime me gjermanët apo me nacionalistët. Faiku, që me sa duket nuk ishte pro komunist, i gëzuar shpërndau karamele për të festuar ndodhinë. Kjo atij nuk i’u fal sikurse nuk i ishte falur edhe diçka tjetër e ngjashme. Fjala është për një nip të largët të tij, Ramiz Varvarica. Ky, djalë i ri plot ëndrra për një botë të re pa tiranë, shkoi vullnetar në radhët e Brigadave Internacionale në Luftën e Spanjës. Faiku nuk e kishte miratuar këtë hap të Ramizit, madje, sikurse thuhej atëhere, e kishte mohuar atë si nip. Kjo gjë vazhdoi për disa vite, pastaj çuditërisht të gjitha u fshinë nga kujtesa. Një tjetër qëndrim nisi ndaj familjes Varvarica. Ç’kishte ndodhur? Asgjë. Diktatura edhe një herë luante me fatin dhe jetën e njerëzve si të dëshironte.

Ramiz Varvarica njihet në historinë e qëndresës antifashiste të Shqipërisë si një nga heronjtë e saj të parë. Ai u vra në betejat kundër frankizmit duke mbrojtur Republikën Spanjolle.  Ai është nderuar me titullin e lartë “Hero i Popullit” dhe regjimi komunist mburrej me aktin e tij. Ramizi ishte me origjinë nga Dibra, qytet i banuar me shumicë shqiptare, i vendosur në kufirin shqiptaro-maqedon, në Republikën e Maqedonisë. Ai, siç duket, nuk kishte familje në Shqipëri, apo nuk kishte të afërm të tjerë në Shqipëri, përveç familjes së Faik Varvaricës. Pa dashur dhe pa e kërkuar, kjo gjë e ndihmoi Faikun.

Regjimi komunist për të nderuar të rënët në luftën kundër nazi-fashizmit kishte shpallur datën 5 Maj si festë kombëtare. Çdo vit në këtë datë funksionarë të lartë të diktaturës shkonin për vizitë në shtëpitë e familjeve të martirëve për të treguar se sakrifica e tyre nuk do të harrohej kurrë, se ishin ata që me gjakun e tyre kishin hedhur themelet e sistemit ekzistues politik. Ishte njëlloj spektakli politik fitimprurës për organizatorët e tij. Familjet e martirëve duhet të shërbenin si dekor i këtij spektakli. Në këtë ceremoni të përvitshme, dikush në udhëheqjen komuniste u kujtua një ditë të bukur se askush, asnjëherë nuk kishte shkuar për 5 Maj në familjen e Ramiz Varvaricës. Duhet të jetë kërkuar familja e tij dhe, meqë nuk kanë gjetur gjurmë të saj, është kërkuar më tej tek Varvaricat. Është arritur kështu deri tek familja e Faik Varvaricës, ku një 5 Maj, nuk më kujtohet viti, vetë Kryetari i Kuvendit Popullor (parlamenti i kohës), Haxhi Lleshi, shkon për vizitë në shtëpinë e Varvaricave, fqinjëve tanë. Haxhi Lleshi e njihte mirë Faik Varvaricën, sepse ishin pothuajse të një moshe dhe të ardhur si refugjatë në Shqipëri nga i njëjti qytet, ai i Dibrës. Protokolli komunist ka qenë rreptësisht i kontrolluar dhe nuk mund të hamendësohet për një gabim në protokoll, apo për një lajthitje të Haxhi Lleshit. Po ta kishte bërë dikush tjetër këtë vizitë, jashtë këtij protokolli, do të paguante “çmimin” e saj të rëndë gjatë të gjithë jetës.

Pas kësaj vizite, që mund të shihet edhe si një rehabilitim tepër i vonuar i familjes Varvarica, pra një fshirje e saj nga lista e “të prekurve”, kam takuar në rrugicën e fëmijërisë Behxhet Agollin. Ai vazhdonte të jetonte gjithnjë aty, pa ndryshuar adresë, pra gjithnjë fqinj edhe i Faik Varvaricës. Behxheti më ndaloi dhe filloi të flasë i revoltuar ndaj Haxhi Lleshit. Ai ishte mos aprovues ndaj vizitës së tij tek shtëpia e Varvaricave, duke më përmendur se cilët ishin Varvaricat, pra Haxhi Lleshi kishte nderuar ata që kishin qenë në krahun tjetër gjatë Luftës! Në të vërtetë nga familja e Behxhetit, të gjithë ishin angazhuar në radhët e qëndresës së armatosur antifashiste.

Të tre vëllezërit e tij dhe Sadoshi, gruaja e vëllait të madh, Nabiut, kishin qenë në njësitet partizane. Nëna, Fahria, kishte ndihmuar në mënyrë aktive qëndresën antifashiste. Të gjithë gjatë jetës së tyre nuk u mburrën asnjëherë për trimërinë që kishin treguar dhe as i dëgjuam ndonjëherë të flisnin me zjarr e fanatizëm. Këtë e bënte, në një far mënyre, Behxheti, i vetmi nga familja që, (mund të thuhet për shkak të moshës), nuk kishte marrë pjesë në luftë. Kjo nuk e pengonte atë. Ai më kërkoi që t’i shkruajmë një letër Komitetit Qendror të Partisë, apo vetë Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë, shokut Enver Hoxha, ku të denonconim këtë vizitë dhe të shprehnim mospajtimin tonë. Behxheti vazhdonte po me atë retorikë, si në vitet e fëmijërisë sonë tek furra e Isuf Larushkut. Memorie.al