Një muaj hetime, tetë orë rrëfime të bashkëshortit para policisë, por edhe të dhëna e fakte të tjera, kanë zbardhur krimin e rëndë që tronditi të gjithë botën.

Mediat greke shkruajnë se 20-vjeçarja Caroline është vrarë nga i shoqi, e ky i fundit ka pranuar të gjithë ngjarjen e rëndë.

Sipas rrëfimit të Babis Anagnostopoulos, mbrëmjen e tragjedisë, ai është konfliktuar me të renë. Caroline i kishte thënë të shoqit se do ta braktiste, duke marrë me vete edhe të bijën 12-muajshe, e pikërisht kjo ishte dhe arsyeja e vrasjes.

33-vjeçari, ka pretenduar para efektivëve se e ka mbajtur të fshehtë deri në këto momente krimin, pasi mendonte për të bijën, e nuk donte që ajo të rritej e vetme. Sakaq, kujtojmë që kjo ngjarje ka pasur një panoramë të zgjeruar.

Duke iu referuar rrëfimeve të para të pilotit 33-vjeçar, policia mendonte se e reja ishte vrarë nga grabitësit që kishin hyrë për të vjedhur në shtëpinë e tyre, në Glyka Nera.

Në fillim, mendohej që grabitësit ishin shqiptarë, e për këtë fakt, autoritetet greke kërkuan nga ambasada shqiptare që hetimet të shtriheshin edhe në vendin tonë.

Por, tre të dhëna të zbuluara së fundmi përmbysën të gjithë ngjarjen. Kamerat e sigurisë të shtëpisë, ora biometrike që mbante në dorë Caroline, por edhe mesazhet e telefonit të 20-vjeçares, ku dëshmohej konflikti që ajo kishte bërë me të shoqin pak para vrasjes, shtuan dyshimet e policisë, e cila shoqëroi pilotin 33-vjeçar në komisariat për ta marrë imtësisht në pyetje.

Si ndodhi ngjarja:

Më 11 maj, mediat greke e cilësonin si të tmerrshme lajmin se një 20-vjeçare është vrarë në sy të foshnjës 12-muajshe, nga grabitësit që i hynë për të vjedhur në shtëpinë e saj dhe të shoqit në Glyka Nera.
Ajo u gjet e mbytur në katin e tretë të shtëpisë, ndërsa i shoqi, piloti 33-vjeçar i lidhur e pa ndjenja në mes të dhomës.

Ishte pikërisht ky i fundit (sipas dëshmisë së parë të tij) që lajmëroi policinë. Ai u zvarrit, mbërriti deri te telefoni dhe lajmëroi autoritetet. Më pas, prej më shumë se një muaji detaje të reja kanë dalë nga krimi, deri kur mbërritëm tek autori i vërtetë i saj, bashkëshorti i së resë së vrarë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb