TIRANE– Shoqata e të Verbërve në vendin tonë kanë kërkuar nga Qeveria një rritje të pagesës së paaftësisë. Përgjigjja për këtë kërkesë ka ardhur nga ministrja e Mirëqenies Sociale, Olta Xhaçka në emisionin “Njerëz në Fokus” me gazetaren Ola Bruko në “News 24”.

Ministrja tha se është në bonsensin e qeverisë për të patur rritje për kategoritë e personave në nevojë. Xhaçka tha se parashikohet një trajtim më dinjitoz për këto grupe sociale.

Teksa theksoi se pagesa nuk do të jetë për lëmoshë sociale, siç ka qenë deri më tani sipas saj, por do të ketë një trajtim dinjitoz.

“Filozofia e re parashikon mundësi dhe integrim për të verbrit”, tha ministrja Xhaçka, teksa shtoi se kategoria e personave të verbër është “më e privilegjuara” mes personave me aftësi të kufizuar.

Ministrja theksoi se në vëmendje të institucionit që ajo drejton janë të gjitha kategoritë e personave në nevojë.

Xhaçka tha se nga qeveria e kaluar, Ministria e Mirëqenies Sociale trashëgoi 2.3 mld lekë pagesa të pashlyera ndaj këtyre personave.

“Ne jemi të hapur për çdo grup në nevojë. Dhe për të ndihmuar jo vetëm ata që ngrenë zërin më shumë, por edhe për ata që nuk kanë zë. Është në filozofinë e qeverisjes sonë për t’iu ardhur në ndihmë shtresave në nevojë. Ata janë në të drejtë të tyre, për të protestuar, për të bërë si duan. Por këto shantazhe në prag zgjedhjesh nuk janë konstruktive. Ne do të donim të ishim të dytët pas Gjermanisë, por nuk jemi. Ky është buxheti i qeverisë. E theksoj se interesi ynë dhe vëmendja është ndaj të gjithëve, dhe jo vetëm ndaj të verbërve. Do të bëjmë për shoqatën e të verbërve njësoj si për nevojat e të gjithëve. Kjo bëhet duke u ulur e duke diskutuar me të gjithë. Por jo me shantazhe”, u shpreh ministrja Xhaçka.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb