Pasi Gjykata e Tiranës njohu zyrtarisht Eduard Prodanin si kryetar legjitim të Shoqatës Rajonale të Futbollit Tiranë, është zhvilluar ditën e djeshme në ambientet e Parkut Olimpik asambleja e kësaj shoqate.

Në një prononcim për “Panorama Sport”, Prodani shprehet se gjatë asamblesë ishin më shumë se gjysma e anëtarëve, çka u dha të drejtën për të marrë vendime.

“Mbledhja shkoi shumë mirë. E pranishme ishte shumica e anëtarëve të shoqatës. Kemi nxjerrë delegatët që do të na përfaqësojnë, gjithashtu votuam edhe për një kandidat për Komitetin Ekzekutiv, Artur Çobanin. Votuam edhe strukturën e shoqatës. Tani shpresoj që Federata Shqiptare e Futbollit ta shikojë këtë çështje në kuadrin e një interesi më të gjerë.

Vërtet që kanë kaluar afatet statusore, por ka pasur një proces shumë të komplikuar, me vendime gjykate, prokurorie dhe shumë shkelje. Ne jemi plotësisht të justifikuar dhe ata nëpërmjet një vendimi të posaçëm t’i pranojnë kandidaturat tona dhe delegatët tanë.

Nëse ndodh e kundërta dhe nuk i pranojnë, atëherë i bie që ta lënë qytetin e Tiranës pa përfaqësim. Tirana është më shumë sesa gjysma e akademive, e lojtarëve të regjistruar, e kompeticioneve. Ne e bëmë tonën, tani FSHF duhet të bëjë të sajën”, përfundoi Prodani.

Ndërkohë, nga mbajtja e asamblesë delegatët e nxjerrë nga votimi janë: Adi Balla (Tirona King), Adriatik Delimurati (Shoqata Pasioni), Alban Miftari (Albanët), Ergys Kadiu (Ali Demi), Endrit Agushi (Tirana Golden Boys), Xhek Alushi (Lapraka Sport), ndërsa kandidati i propozuar për anëtar të Komiteti Ekzekutiv është Artur Çobani.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb