Shoqëria civile kërkon që në Rezolutën e re që duhet të nxjerrë Kuvendi i Kosovës për fazën tjetër të dialogut, të specifikohen qartë përgjegjësitë e secilit institucion në procesin e dialogut me Serbinë.

Madje, në këtë Rezolutë të cilën e quajnë të domosdoshme, duhet të ketë edhe vija të kuqe përtej të cilave nuk mund të kalojë askush që përfshihet në procesin e dialogut.

Arton Demhasaj nga organizata “Çohu”, e quan të vonuar miratimin e një Rezolute nga ana e Kuvendit, por se edhe tani është e domosdoshme që të përcaktojë qartë përgjegjësitë si të Kuvendit, Presidencës, Qeverisë dhe secilit që merr pjesë në dialog.

Ai për KosovaPress ka thënë se pika e parë që duhet të jetë në Rezolutë, është informimi i Kuvendit para arritjes të secilës marrëveshje dhe marrjen e miratimit të shumicës në Kuvend.

Por, përveç raportimit në Kuvend pas secilit raund të dialogut, Demhasaj thotë se rezoluta duhet të ketë edhe vija të kuqe përtej të cilave nuk guxon askush të dalë dhe të arrijë marrëveshje në këtë proces.

Edhe përfaqësuesit e partive politike e shohin të domosdoshëm sqarimin e pozicionit të secilit institucion në procesin e dialogut.

Deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj, tha për KosovaPress, se Kuvendi patjetër duhet të nxjerrë një rezolutë para nisjes së fazës së re të dialogut, me qëllim të përcaktimit të rrugës së Kosovës në këtë proces. Madje ai kërkon që kjo rezolutë të artikulojë qartë dëmet dhe përfitimet që i ka sjellë ky proces Kosovës dhe ekzaminimin e marrëveshjeve të arritura.

Kërkesa për nxjerrjen e një rezolutë re nga Kuvendi për fazën tjetër të dialogut, doli pas takimit të Komisionit për Punë të Jashtme bashkë me KDI-në dhe kryetarët e të gjitha komisioneve ku u diskutua koordinimi mes komisioneve për procesin e dialogut.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb