Nga MENTOR KIKIA*

Në komunizëm ne kemi qenë një shoqëri e mbyllur dhe e dhunuar deri në palcë. Pa asnjë të drejtë themelore, përveç asaj për t’u shumuar pa limit, si qënie të gjalla. Në tranzicion, liria, që më shumë se liri ishte një arrati nga zinxhirët e diktaturës, na dehu deri në shfrenim dhe e shpërdoruan atë, së pari në dëm të vetes, duke shkatërruar ç’të na shihte syri e ç’të na zinte dora. Shteti nuk funksiononte dhe zbatueshmëria e ligjit ishte vetëm një vullnet zyrtari dhe jo detyrim shtetëror. Në një shoqëri të uritur sa për ushqim aq edhe për liri dhe të drejta njerëzore, vërshuan donatorët dhe monitoruesit e të drejtave të njeriut, nga vende ku bëheshin protesta edhe për të drejtat e qenve dhe maceve të rrugës. OJF-të dhe konferenca kombëtare e ndërkombëtare për drejtat e grave, fëmijëve, romëve, lesbikeve dhe homoseksualëve, para e tetraplegjikëve, të rinjve, ish-të përndjekurve, grave të dhunuara, vajzave të prostituuara, tutorëve të tyre, nxënësve në shkolla, të arrestuarve, të dënuarve, të sëmurëve psiqikë etj., etj., pra të gjitha këto lulëzuan e u forcuan në atë shkallë sa sot mund të ketë qindra familje që nuk ushqehen dot, por nëse nuk punon sinjali i Digitalb-it në burg apo nuk ka mish për dy ditë rresht, organizatat e të drejtave të njeriut bëjnë notë proteste në Bruksel. Mrekulli! Një shtet që nuk respekton të drejtat e njeriut mund të ketë çdo emër, veç demokratik jo.

Personalisht jam një luftëtar i këtyre të drejtave dhe drejtoj edhe një grup organizatash për të drejtat e njeriut, që shërben si Bord Këshillimi i Avokatit të Popullit për këto çështje.

Me gjithë defektet në funksionimin e demokracisë, standardet e lirive dhe të drejtave të njeriut nuk janë të kritikueshme në vendin tonë. Por në këto radhë doja të trajtoja në një tjetër këndvështrim këtë çështje, për të hapur ndoshta edhe një debat mbi një balancë në shoqërinë tonë, mes të drejtës dhe detyrimit të individit apo mes lirisë dhe kufirit që vendos ligji.

Mediat tona janë shumë të ndjeshme ndaj çështjes së të drejtave të njeriut. Një person i dhunuar nga policia bëhet rrufeshëm objekt denoncimi publik. Po ashtu, edhe kur mësuesja i shkul veshin një nxënësi. Kujtojmë raste e denoncuara të ushtrimit të akteve të dhunshme në shkolla, kur videot amatore, të hedhura së pari në rrjetet sociale, janë përthithur nga mediat e më pas edhe nga autoritetet përkatëse, duke pezulluar apo shkarkuar menjëherë nga puna mësuesit. Kujtojmë raste e veçanta apo raportet vjetore për dhunën ndaj të ndaluarve apo të paraburgosurve nga ana e policisë.

Lajmi më i fundit në këtë fushë nga erdhi nga Korça, ku një djalë ishte rrahur nga policia. Ai kishte aksidentuar, duke gërvishtur, makinën e zv/drejtorit të policisë dhe për këtë ishte arrestuar dhe dhunuar brenda komisariatit, duke përfunduar në spital.

Nëse do të arrestoheshin të gjithë ata që bëjnë aksidente, edhe më të rënda sesa gërvishtja e makinës, atëherë sot më shumë njerëz do të kishte në burg sesa jashtë tij. Por djali nga Korça ka pasur fatin e keq të “gërricet” me zëvendësdrejtorin e policisë, për të cilin në Korçë thuhet se është edhe më i “fortë” se të “fortët” e rrugës. Ai tashmë është pezulluar dhe bashkë me të edhe policët e patrullës që e shoqëruan. Por para se të shkonte në komisariat, sipas policisë, e cila nuk justifikon kurrsesi dhunën, djali ishte konfrontuar me patrullën e policisë, kishte qëlluar me grushte duke e gjakosur një polic, i cili më pas kishte humbur kontrollin. Paçka se, pas shoqërimit në komisariat zv/drejtori e kishte “humbur” me rëndë kontrollin, duke e dhunuar personalisht atë. Nuk gjej asnjë arsye të justifikoj dhunën në komisariat, madje mund të themi se këta policë janë ata që kur arrestojnë, vetëm për pak ditë, ndonjë kapo krimi, qëndrojnë para tij si djem të urtë e të sjellshëm. Por dua të ndalem pikërisht te pjesa e parë, atje ku një njeri ngre dorën dhe qëllon, duke e gjakosur një polic, dhe kjo ka ndodhur në këtë rast. Unë dënoj maksimalisht edhe mësuesin apo mësuesen që i tërheq veshin apo qëllon me shpullë një nxënës. Por dua të ndalem te pjesa e parë, atje ku nxënësi fyen dhe shan mësuesen dhe nuk e lejon atë të zhvillojë mësimin për tërë klasën. Siç dua të ndalemi po kaq fort edhe te rastet, madje edhe më shumë, kur nxënësit qëllojnë me grushte apo mjete të tjera mësuesit.

Duke “vrapuar” pas lirive dhe të drejtave, duket se ne kemi harruar detyrimet. Kemi harruar që një shoqëri ka po aq nevoja sa për liritë edhe të drejtat, edhe për respektimin e ligjit dhe detyrimet që burojnë prej tij. Që do të thotë se nxënësi ka vërtet të drejta, por së pari ka për detyrim të respektojë mësuesin në shkollë, të respektojë nxënësit e tjerë, duke mos penguar mësimin. Ne kemi të drejtë të jetojmë si të duam në shtëpitë tona, por kemi për detyrim të mos shqetësojmë fqinjin dhe të mos i lëmë mbeturinat në ashensor apo tek hyrja e pallatit. Qytetari ka të drejtë të mos dhunohet nga policia, por më parë ka për detyrim të respektojë shtetin, duke mos guxuar të ngrejë dorën kundër policit. Ne kemi në statistikat tona dhjetëra herë më shumë policë të vrarë nga kriminelët se sa kriminelë të vrarë nga policët. Ne e dimë sesi në SHBA, policët kanë vrarë së fundmi disa persona që u kanë drejtuar atyre vetëm një pistoletë lodër. Ndërsa në Britani një i ri që kishte goditur një oficere policie gjatë përpjekjeve të saj për ta arrestuar, u dënua me 3 vjet burg javën e kaluar.

Nuk po bëj thirrje që policia të rrëmbejë drurin ndaj njerëzve, apo mësuesit të shkojnë me shkop në shkollë. Por kujtoj se po aq sa të bërtasim për të drejtat e njeriut, duhet të ngremë zërin edhe për detyrimet ligjore, që gjithkush ka ndaj shtetit dhe shoqërisë. Sistemi demokratik nuk është një rrumpallë ku gjithkush të bëjë ç’të dojë, por një sistem ku njeriu është plotësisht i lirë, por deri atje ku cenon lirinë e tjetrit dhe “lirinë” e ligjit.

(Botuar sot në Gazetën Shqiptare)
(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb