Akademiku Artan Fuga, teksa ka prezantuar librin e tij “Shoqëria Piramidale”, theksoi se përdor gjeometrinë e piramidës për të dhënë metaforën e të gjitha problemeve dhe degradimit të shoqërisë shqiptare. I ftuar në rubrikën “Opinion” në “News 24”, Fuga pohon se modeli piramidal është thelbi i modelit social të cilin kemi sot aktualisht në vend, sepse, sipas tij, krijon kaos dhe bllokim të iniciativave.

Mes të tjerave, Fuga bën një analizë të situatës në vend, duke shtuar se modeli ‘piramidal’ është ngritur që nga viti 2008, kohë kur u bënë ndryshime në Kushtetutë. Akademiku thotë se sistemi i vendimmarrjes është i përqendruar tek pushteti qendror, ndërsa shton se partitë kanë besuar më shumë tek vetja sesa të qytetarët. Duke qëndruar në këtë linjë, Fuga deklaron se politikanët kanë nënvlerësim për qytetarët dhe nënvizon faktin se “me këtë model nuk mund të shkojmë larg”.

Është folur në dhjetëra artikuj për 2008-ën. Shumë njerëz e vënë gishtin tek ndryshimet kushtetuese të bëra në 2008-ën, në bashkëpunim mes PS-PD. Është ndryshe kur e lexon këtë në një libër. Kjo shtytje centralizuese s’ka gjetur asnjë kundërforcë nga kjo shoqëri. A është mësuar kjo shoqëri me centralizimin?
Të gjitha bashkë. E para njëherë, ka një traditë centralizuese në kulturën dhe historinë tonë. Jo vetëm nga ‘44-‘90. Por në kulturën tonë, që në kohëra të tjera, mund të ketë luajtur dhe rol pozitiv, që është koncepti i Bajraktarit, shefit të klanit, koncepti i Prijësit. Ne kemi qenë shoqëri patriarkale. Këtë s’e kemi kapërcyer mendërisht në mënyrën që duhet. Ka kombe që e kanë thyer këtë strukturë. Tradita, e cila thërritet dhe nuk vepron nga e kaluara. Unë mendoj se partitë parlamentare, jo vetëm në 2008-ën, por kam ndjekur në libër dhe procese që kanë ndodhur në 2013-ën, 2016-ën, partitë kanë besuar më shumë tek vetja sesa tek qytetarët. Politikanët kanë pasur një lloj nënvlerësimi për qytetarët. Për shembull, ata thonë “ne nuk lejojmë më lista të hapura në një proces zgjedhor, ose maxhoritar me prezantim të vet kandidatit, pasi mundet që një person me rekorde kriminale mund të manipulojë elektoratin dhe të zgjidhet. Duke thënë se kryetarët e partive e mbajnë listën e pastër”. Ne u detyruam që të bëjmë ligjin e dekriminalizimit të parlamentit, pra krijojmë një energji të harxhuar kot. Në vend që Kuvendi të prodhojë ligje për të ruajtur rendin dhe për të mbajtur të pastër shoqërinë, ai duhet të prodhojë ligjin që të mbajë të pastër vetveten. Nëse këta kandidatë jepen tek elektorati, ai nëse u gënjye herën e parë, nuk do të gënjehet në të dytën. Mund të vihen kritere dhe nene përjashtimore për transparencën e figurën, por zërin kryesor duhet ta ketë elektorati. Elektorati nuk voton dot tek ne, pasi ka një listë. Ka një mosbesim. Ka dhe një dëshirë për të rikuperuar pushtet. Pasi e konsiderojmë të zgjedhurin si njeri ideal. S’ka njeri ideal. Niçja thotë: “Kërkon vullnet për pushtet”. Këtu i bëj thirrje lexuesit që të shohë Aristotelin që kam folur tek libri, çdo njeri, çdo grup dhe masa kërkon pushtet. Qofshin edhe njerëzit më të mirë të mundshëm, dhe një njeri i vetëm, po u la i lirë, kërkon pushtet.

Ju kujtoni se kemi qenë një shoqëri patriarkale. Po sot, a jemi një shoqëri apatike?
Jemi apatike, por nuk mund t’i kërkojmë qytetarit më shumë sesa janë. Në momentin që qytetarit i themi “voto”, por me lista të mbyllura, ai çinteresohet. Ai thotë “nuk kam lidhje me këtë kandidat”, “çfarë ta zgjedh këtë? Sepse në momentin që e zgjedh, ai nuk më dëgjon, nuk më përfaqëson. Ai nuk shkon në votime dhe në këtë moment bën sjellje apolitike. Nëse në ekonomi sipërmarrjet janë të tilla, kemi një det me sipërmarrje të vogla. Ato mezi nxjerrin atë fitim minimal sa për të jetuar, vetë anëtarët e familjes që e mbajnë dhe s’kanë mundësi që të kursejnë dhe të bëjnë investime. Mekanizmat e tregut nuk funksionojnë dhe ka një piramidë ku biznesin e madh e udhëheq pushteti me koncesione dhe biznesi i mesëm është në një situatë që s’mund të shpresojë të zgjerohet. Pastaj është një ‘det’ i tërë me ekonomi të vogla, që s’kanë asnjë dinamikë ekonomike. Dhe ekonomikisht bëhet apatik dhe politikisht.

Ju po flisnit për koncesionet, pasi bëni një analizë të tregut shqiptar që konsumon më shumë sesa prodhon dhe del në një deficit prej 2 mld eurosh. Ju thoni se bizneset e mëdha, kur shohin se kanë një konsumator që nuk blejnë prodhimet e tyre, bashkë me politikën, shpikin koncesionet, dhe këto para që duhet ta merrnin nga blerësit na e marrin në formë taksash. Kjo është dramatike, është sikur të jesh i kapur peng brenda një republike…
Unë mendoj se kjo është e vërteta. Nuk e kam të nxjerrë vetëm nga vetja ime, por kam analizuar atë që quhet politikë koncensionare nga sociologë, psikologë, ekonomistë të dekadave të fundit që i qëndrojnë këtij mendimi. Shoh se është e vërteta. Ne na ndodh një dialektikë e ‘ferrit’, pasi ne kemi shumë të çentralizuar industrinë e ndërtimit. Në të gjitha qytetet e botës industria e ndërtimit kërkon të ndërtojë. Nëse ndërtimi nuk vazhdon, atëherë kjo industri humbet tërë infrastrukturën. Atëherë çfarë ndodh? Bëhen ndërtime dhe krijohen hapësira banimi. Tek qyteti krijohet papunësi. Pasi aty ka zonë banimi, por nuk ka punë. Pasi puna është në zonë rurale. Në qytet vijnë njerëz të varfër, që nuk kanë fuqi blerëse dhe ky kapital i madh që është grumbulluar në duart e sipërmarrjeve të mëdha. Pa të nuk mund të ketë zhvillim të një vendi. Ky biznes i madh nuk kënaq investimin e vet, pasi s’ka kërkesë. Qytetari është i varfër, pasi nuk ka punën në zonat urbane. Ndaj ç’do bëjë biznesi i madh? Ato diku do të jetojnë. Ndaj shteti është i detyruar që të gjejë një zgjidhje për to. Dhe ai gjen një zgjidhje të tejkaluar dhe është i fundit të shekullit të 19-të dhe jo për sot. Nuk ka më hierarki. Në vend që të marrin paratë në mënyrë të rregullt në treg nga një klient që vjen me vullnetin e vet, atëherë shteti detyrohet t’i thotë; ‘në vend të parasë që merr, do marrësh burime natyrore, tokë, dhe para nga buxheti’. Buxheti krijohet nga njerëzit, si taksapaguesit. Këtu merr edhe ekonomia e tregut dhe klient-sipërmarrje.

Ju profesor, në fund ngrini pyetjet “Përse partnerët ndërkombëtarë të Shqipërisë e kanë mbështetur krijimin e shoqërisë piramidale? Cila është përgjigja që i keni dhënë?
Unë mendoj se demokracitë perëndimore janë të interesuara për demokratizimin në Shqipëri. Por ato kanë menduar se kanë pasur një strategji që më mirë një demokraci e kontrolluar prej tyre sesa rreziku i një kaosi që mund të vinte si një centralizim i një lëvizjeje politike. Ka dhënë disa rezultate, pasi shoqëria shqiptare ka qenë në drejtimin e NATO-s, BE-së, etj. Por në një moment të caktuar, kjo politikë tregoi kufizimet e veta. Kufizimet i tregoi 2019-a, kur kjo demokraci e decentralizuar doli nga shinat dhe në atë moment jo vetëm dolëm nga shinat, por humbën dhe trenin për t’u integruar në BE në fazën e ardhshme. Unë them se kjo politikë e partnerëve tanë ndërkombëtarë është e kujdesshme, por duhet njohur, sipas meje, që ajo ka prodhuar efekte të padëshiruara. Partnerët tanë po vënë gishtin dhe po thonë; “çfarë ka ndodhur”?! Modeli ynë social dhe politik në Shqipëri nuk është as amerikan dhe as europian. Me këtë model nuk mund të shkojmë larg. Ka ardhur momenti që ata të na trajtojnë siç trajtojnë elektoratin dhe vendin e tyre. Mendoj se ne si shqiptarë jemi të aftë të rikuperojmë këtë model.

Si e imagjinoni lexuesin në fund të leximit të këtij libri? Do mbyllë librin dhe do bëjë gati valixhen?
Në radhë të pare, është studimi. Pasojat i ka lexuesi. Libri është bërë me këtë qëllim. Unë mund ta kem pasur mirë apo jo, por lexuesi nuk duhet të endet në delire joprofesionale, por të marrë instrumentet e arsyetimit socio-politik për të vënë rregull në ndjesitë e tij dhe të kuptuar hallet e tij. E dyta; në ndryshimet që bëjnë (lexuesi), duhet të kërkojë ato reforma që duhen dhe për t’i dhënë gishtin asaj që na mundon. Ajo që na pengon dhe mundon në mënyrë të koncentruar vizive është kjo skemë piramidale e modelit tonë shoqëror. Nëse ajo riparohet, mendoj se Shqipëria ka potenciale shumë të mëdha. Në librin tim, thuhet se kjo nuk bëhet me një të rënë të kalemit. Mund të kërkojë vite. Unë nuk i kërkoj asgjë lexuesit, dua vetëm t’i shërbej.

(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb