TIRANE – Njëri prej tre vëllezërve Sulo u shoqërua nga Fieri drejt Policisë së Tiranës, ku po pyetet rreth pakos me tritol të vendosur në makinën e Nuredin Sulit, me të cilin kishte konflikte 10-vjeçare. Nga policia mësohet se mbi shtetasin Sulo Sulo, vëllain e dy personave që tashmë vuajnë dënimin me burg, bien dyshimet e para për vendosjen e lëndës plasëse para dy ditësh.

Nga të dhënat parapake mësohet se Sulo Sulo ka mohuar gjithçka, duke nxjerrë edhe alibinë që ndodhej në Fier kur u gjet bomba me telekomandë dhe se familja e tij e kishte mbyllur historinë e sherreve me familjen Suli. Kamerat e sigurisë të vendosura në parkingun e kompleksit tregtar në Tiranë kanë kapur momentin kur pakoja me lëndë plasëse ka rënë në shesh. Pas hetimit rezultoi se, numrit të telefonit të instaluar në bombë nuk është provuar t’i dërgohet ndonjë thirrje.

Shoqërimi i Sulos
Sulo Sulo është vëllai i tretë i Ervisit dhe Endrit, të cilët po vuajnë dënimin me burg për vrasjen e Naim Sulit, vëllait të Nuredinit, ngjarje kjo e ndodhur në vitin 2012. Dje paradite, Sulo Sulo u ndalua nga policia ndërsa ndodhej në një kafe në qytetin e Fierit, ndërsa me banim është në kryeqytet. Policia sekuestroi edhe një automjet Audi A6 i blinduar, me të cilin Sulo dyshohet se lëvizte për shkak të hasmërive me familjen e Nuredin Sulit. Menjëherë pas ndalimit nga Policia e Fierit, Sulo Sulo është shoqëruar në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës për t’u marrë në pyetje nga hetuesit e zyrës së krimeve të rënda të Drejtorisë së Policisë së Tiranës.

Gjatë pyetjes prej hetuesve të policisë, Sulo ka pretenduar se nuk ka lidhje me atentatin, ndërsa ka ngritur alibi faktin se kishte shkuar tek disa të afërm për probleme familjare. Nga burimet policore mësohet se shoqërimi i tij është kryer për shkak se Nuredin Suli, në dëshmi ka përmendur se e kishte parë Sulon disa herë në Tiranë, fare pranë vendeve që ai frekuentonte. Përpos kësaj dëshmie, policia ende nuk ka ndonjë provë që ta akuzojë Sulon, por momentalisht ndodhet në fazën e shoqërimit dhe në orët në vijim do të vendoset nëse do të lirohet apo do të merret masa e ndalimit.

Hetimet
Veç Sulo Sulos, policia mësohet se ka shoqëruar edhe disa persona të tjerë, pjesëtarë të së njëjtës familje, të cilët gjithashtu kanë mohuar të kenë lidhje me atentatin. Sasia e eksplozivit e vendosur nën automjetin tip “Mercedes Benz ML” ra gjatë kohës që po dilte nga parkingu i një qendre tregtare në Tiranë. Në dy fotot e shkëputura nga filmimi i njërës prej kamerave të sigurisë, në fillim duke mjeti që lëviz drejt daljes dhe më pas gjatë rrugës pakoja e mbështjellë me natriban bie në tokë. Dyshohet se natribani, i cili mbante të lidhur bombën e telekomanduar me automjetin është shkëputur dhe biznesmeni është larguar pa e parë lëndën plasëse.

Policia mësoi për numrin e kartës së celularit, e cila dyshohet të jetë blerë në tregun e zi me një emër të rremë. Policia ka sekuestruar edhe regjistrimin e kamerave të sigurisë, pamje të cilat do t’i shërbejnë më tej hetimit. Rojet e parkingut kanë thënë se nuk kishin parë ndonjë person të dyshimtë dhe as nga filmimet e kohëve të fundit nuk shfaqej ndonjë skenë e instalimit të bombës. Numrit të telefonit të instaluar në bombë nuk është provuar t’i dërgohet ndonjë thirrje. Kjo e ka dërguar policinë në një tjetër pistë, atë të kanosjes dhe presionit ndaj biznesmenit se sa të një akti për ekzekutimin e tij.(shqip)
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: