TIRANË

Ish-deputeti i PS-së Alket Hyseni i cili shoqëroi ish-sekretarin amerikan të Shtetit Michael Pompeo gjatë vizitës në Shqipëri ka folur për mesazhet e dhëna nga ish-zyrtari i lartë i SHBA-ve dhe marrëdhëniet mes dy vendeve. Hyseni tha në rubrikën “Opinion” në News24 se Pompeo është një mik i madh i shqiptarëve. Sa i përket mesazhit të tij për të luftuar korrupsionin, ish-deputeti u shpreh se është një këshillë e vyer nga një mik i mirë.

“Kisha kënaqësi që ta shoqëroja gjatë vizitës. Një njëri i madh dhe një mik i madh i shqiptarëve. Unë isha i lumtur dhe i nderuar dhe sa herë do më jepet mundësia që njerëz të tillë të mikpriten në Shqipëri si personalitete të rralla.

Unë jam një ish-anëtar i parlamentit të Shqipërisë dhe në cilësinë e ish-anëtarit që kur kam qenë deputet së bashku me kreun e grupit parlamentar kemi mundësuar të bëhej kjo vizitë në koordinim me zyrën e kryeministrit për një vizitë që duhet të kapërcejë provincialitetin e disa individëve për të kuptuar që është e përmasave të mëdha. Edhe në fushën e biznesit.

Miku i mirë të jep këshillën e duhur. Nuk të bën lajka kur nuk e meriton. korrupsioni është një fenomen që ekziston kudo dhe në SHBA-të. Por këtu dhe pse kemi 100 vite e kusur shtet dhe 100 vjet marrëdhënie me SHBA-të besoj se nuk i kemi mësuar të gjitha që ka Amerika në luftën kundër korrupsionit. këtu nuk ka asgjë për të fshehur. Sfidë e jona është vazhdimi i luftës kundër korrupsionit. Unë mendoj që reformat që janë bërë dhe po bëhen do të çojnë aty ku duan dhe miqtë e Shqipërisë që të jetë. Mekanizma të fortë të shtetit për të luftuar korrupsionin kjo ka rëndësi që të ndërtohen dhe të vihen në funksion sa më shpejt. Një këshillë e vyer dhe një mesazh i qartë.

Kushdo që është në SHBA President, republikan apo demokrat vizioni i tyre për Shqipërinë mbetet i një vendi partner, një vendi që është mik që nga ana e tij ka detyrimet për të mbështetur SHBA-të në sfidat globale. në këtë drejtim marrëdhëniet janë të çimentuara. Marrëdhëniet tona janë jetike. Kanë qenë dhe përherë janë jetike sepse sfidat globale sa vjen e bëhen më të ndërlikuara”, deklaroi Hyseni.

Sa i përket një qëllimi të caktuar të vizitës, ai tha se nuk ka qenë për çështje të veçanta.

“Z. Pompeo në vizitën e tij nuk ka qenë për çështje të veçanta. Ka dhënë mesazhe të veçanta, takime të veçanta, por në asnjë mënyrë pavarësisht informacionit të pafund që ka për shkak të detyrave të tij, vizita nuk ka pasur lidhje me çështje të caktuara. Mesazhet politike mund të dhembin diku, mund të mos pëlqehen, por vizita ka qenë një vizitë për Shqipërinë, ishte e programuar për 100-vjetorin, ashtu sikurse gjatë kësaj vizite ishte shumë e rëndësishme marrëveshja ekonomike, e nënshkruar mes Albgazit dhe Linden Energy, lider botëror në fushën e gazit. Kjo i tejkalon të gjitha elementet e tjera të vizitës për shkak të rëndësisë së madhe që ka për të ardhmen e Shqipërisë.

Kjo ishte gjëja më e madhe, nisja e një hapi të rëndësishëm të një rruge që e kthen Shqipërinë në një pikë strategjike të rajonit, Europës, pa harruar luftën në Ukrainë, një luftë qytetërimesh, por edhe një luftë për të zbutur pasojat negative të kësaj lufte në një tërësi shtetesh të Europës, por edhe Ballkanit”, tha ai.

Deklaratat e Presidentit Meta
Lidhur me deklaratat e Presidentit Meta për inceneratorët, Hyseni tha se nëse është aferë, nuk është me e madhe se ajo e CEZ-it.

“E thënë nga zotëria duket shaka e madhe. Mua nuk më duket se çdo aferë, nëse është e tillë, është e rëndë. Nuk besoj se është më e madhe se afera e CEZ-it. nëse do ta marrim të mirëqenë siç thotë media.

Kemi të bëjmë me dy vepra që janë ndërtuar, janë pronë e shtetit dhe publikut shqiptar, janë atje. nëse ka pasur procedura antiligjore, kushdo do të japë llogari, nuk konsiderohet aferë. Kemi një proces komplet tjetër në Tiranë, ku nga një fushë skëterrë e mbetjeve, sot është një situatë shumë ndryshe. Nëse dikush me këtë përgjegjësi që qeveria socialiste i ka dhënë ka abuzuar, me përgjegjësinë që ligji i ka dhënë ka abuzuar, ky është synimi i drejtësisë së re.

PS ka qenë e prerë. Qeveria nuk do jetë mburojë e askujt në asnjë formë. Kushdo të japë llogari, nëse është i pastër është i ftuar të riaderojë, por deri atëherë…Mekanizmat duhet t’i ndërtojmë një orë e më parë që të funksionojnë në formën e duhur”, tha ai.

Akuzat për SPAK
Hyseni ka komentuar dhe akuzat e kryeministrit Edi Rama ndaj SPAK. I pyetur nëse SPAK ka bërë punën e duhur deri tani ai tha:

“A ka bërë punë? Po, unë mendoj që është bërë punë. Si profesionist i fushës i di vështirësitë deri në konturimin e vetë SPAK-ut. Ashtu si vështirësitë e kujtdo institucioni, në një vend të vogël me problematika, me ndërhyrje. Nëse është bërë puna e duhur sipas pritshmërive, unë ndaj mendimin që jo. Dhe vetë prokurorët e SPAK-ut janë në një mendim me mua që duhet shkundur. Të mos fokusohen në disa çështje që nuk sjellin asgjë të re, por në çështje që kanë të bëjnë me ekonominë e vendit, aty ka nevojë për energji.

Ka patjetër vend për t’u përmirësuar qoftë në aspektin e luftës kundër krimit, qoftë në aspektin kundër korrupsionit”.

“Sa herë që thirrje të tilla bëhen nga pjesa tjetër e politikës, jo kryeministri, nuk i ka bërë kujt përshtypje. Kanë dalë kanë bërë denoncime në media, me letra, pa letra. Shumë herë duke hedhur baltë kot, me një parim të qartë të opozitës baltos këdo për të thënë që të gjithë janë të korruptuar dhe mbulo veten. Ne nuk mund të fshihemi pas gishtit, që ja tani e bëmë reformën. Shumica e shqiptarëve që kanë mbështetur këtë maxhorancë kërkon që të veprohet.

Është vetë kjo qeveri e cila ka çuar dhjetëra kallëzime, ka ngritur struktura të posaçme antikorrupsioni. Ishte kjo maxhorancë që ka prodhuar këtë reformë. Ata që dalin sot e kanë kundërshtuar. Ne nuk themi ka dështuar, por ama është shumë larg pritshmërive në aspektin e performancës. Shkundja është tjetër gjë nga filozofia e tyre për baltosje.

Kryeministri jep llogari edhe para partnerëve dhe para institucioneve ndërkombëtare. Kryeministri nuk duroi më pasi është e padurueshme kur thotë na sillni prova. Për kë, kur ka vendime ndërkombëtare.

Intimidimi është ndryshe. PS ka heshtur kur ka folur gjykata edhe kur nuk ka qenë dakord. Prokuroria është ndryshe, është akuza publike”, tha Hyseni.

5 vite nga marrëveshja Rama-Basha
Sa i përket marrëveshjes së 2017 mes kryeministrit Edi Rama dhe ish-kreut të PD Lulzim Basha, Hyseni tha se i shërbeu situatës.

“Problemi është që është e lehtë të gjykosh sot në këndvështrimin e opozitarit sikurse është Presidenti. në kohën dhe sipas rrethanave ishte një marrëveshje që i shërbeu qetësimit të situatës, rifutjes së opozitës në hullitë e institucioneve dhe futjes në hullitë kushtetuese të zgjedhjeve. Ajo marrë veshje këto të mira i prodhoi. Prodhoi zgjedhje të pranuara nga palët. Opozita u tregua dritëshkurtër kur aq vullnet sa i dha populli abuzoi. Provat dhe faktet kanë treguar se këta aktorë që flasin sot kanë qenë nxitës të marrëveshjes. Mandatet janë për të bërë luftën”, tha ai.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: