Vllaznia do të nisë aventruën europiane nga turi i dytë i Conference League, aty ku duhet të kalojë një pengesë të vështirë si ajo e rumunëve të Universitatea Craiovës. Nuk mund të ishte i lumtur trajneri i shkodranëve, Mirel Josa i cili në një intervistë të dhënë për Supersport shprehet se shorti nuk ishte i mirë, pasi bëhet fjalë për një rival tejet të fortë.

“Unë kam ndjekur paraprakisht edhe kundërshtarët e mundshëm dhe mund të them se ky nuk ishte shorti më i mirë për Vlllazninë. Bëhet fjalë për një skuadër të fortë, megjithatë ne do të punojmë për t’u përgatitur sa më mirë dhe për të provuar kalimin e turit.

Unë në Europë kam eksperienca të mira, por edhe jo fort pozitive, ndaj nuk mendoj se kjo ka ndikim, ndaj na mbetet të shohim përpara. Kushtet na janë plotësuar të gjitha dhe sot po nisim përgatitjet në Shkodër, teksa në ditët e ardhshme do të zhvendosemi në një tjetër vend për të vijuar fazën përgatitore.

Kemi dy opsione, por do ta vendosim me presidentin, menjëherë sapo të kthehet nga Zvicra. Sa i përket merkatos, kemi rinovuar me ata që ishin “bërthama” e sezonit të kaluar dhe kemi firmosur me Boshnjakun. Janë kthyer në Shkodër edhe futbollistët që kanë qenë në huazim në skuadra të tjera dhe paralelisht po punojmë për të përforcuar edhe më shumë ekipin. Në ditët në vijim do të ketë zhvillime të tjera edhe sa i përket merkatos, megjithatë ne jemi të përqendruar të punojmë dhe të përgatitemi sa më mirë për eliminatoret, por edhe për sezonin në vijim” – Tha ai.

 

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb