TIRANË- Tetar Denis Gërbi, specialist kartoteke në Degën e Personelit të Komandës Mbështetëse është shpallur nënoficeri më i mirë i vitit 2015 në Forcat e Armatosura.

Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, në fjalën e saj përshëndetëse tha se ky është një moment reflektimi për të lidhur me atë që nënoficerët e FA-ve të Republikës së Shqipërisë, bëjnë dhe përfaqësojnë. Më pas, duke u ndalur në vendin dhe rolin që ka trupa e nënoficerëve në FA, ministrja Kodheli u shpreh: “Si nënoficerë, ju duhet të njihni dhe udhëhiqni çdo ushtar nën komandën tuaj. Së pari, duke dhënë shembullin tuaj personal. Por edhe duke patur kujdes për të gjitha detajet, të mirat dhe të këqijat e njerëzve që keni nën komandë. Ju punoni me njerëz të cilët duhet të jenë të aftë jo vetëm fizikisht për të kryer detyrat, por dhe që e kuptojnë atë që duhet të bëjnë”, tha Kodheli.

Më pas, ministrja ka theksuar se, gjatë këtyre 25 viteve demokraci është folur shumë, por është bërë pak për trupën e nënoficerëve. Roli i tyre ka qenë minimal, kjo e trashëguar edhe nga e kaluara. Në këtë kontekst, ajo i është drejtuar trupës së oficerëve për të vlerësuar më shumë nënoficerët. “Oficerë të nderuar, jepuni më shumë kompetenca mbështetësve tuaj më të mirë, nënoficerëve. Pres nga ju procedura të qarta dhe angazhim më të madh për ta, bërë nënoficerin një vlerë të padiskutueshme të Forcave tona të Armatosura”, – është shprehur ministrja e Mbrojtjes.

Në fund të fjalës së saj Kodheli ka theksuar se na duhet më shumë punë, si për rritjen e profesionalizmit, por dhe për përmirësimin e kushteve të punës dhe modernizimin e armatimit dhe pajisjeve. Ajo ka falënderuar edhe një herë dhe i ka uruar suksese në karrierën e tij tetar Denis Gërbi, si nënoficeri më i mirë i vitit 2015 në Forcat e Armatosura.

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm i FA-së, gjeneralmajor Jeronim Bazo, i dorëzoi tetar Denis Gërbit certifikatën e vlerësimit “Nënoficeri i vitit 2015” në Forcat e Armatosura. Gjithashtu tetar Gërbit iu dorëzua edhe Kodi i Nderit të Nënoficerit.

Përzgjedhja e nënoficerit më të mirë është bërë tashmë një traditë e përvitshme në FA. Edhe këtë vit procedurat e testimit për përzgjedhjen e nënoficerit më të mirë ishin shumë rigoroze dhe u zhvilluan në të gjithë komandat e Forcave dhe strukturat e tjera të Forcave të Armatosura. Në këtë proces morën pjesë rreth 1200 nënoficerë nga grada n/tetar deri në gradën rreshter. Në përfundim të këtij procesi në njësi e reparte u përzgjodhën 26 nënoficerët më të mirë, të cilët iu nënshtruan një konkurrimi final para Bordit të Vlerësimit në nivel FA. Nga ky konkurrim i paanshëm dhe transparent Denis Gërbi, specialist kartoteke në Degën e Personelit të Komandës Mbështetëse, u shpall nënoficeri më i mirë i vitit 2015 në FA.

Në ceremoninë e organizuar me këtë rast ishin të pranishëm ministrja e Mbrojtjes, znj. Mimi Kodheli, shefi i Shtabit të Përgjithshëm i FA-së, gjeneralmajor Jeronim Bazo, komandantët e Forcave, gjeneralë dhe ushtarakë të tjerë në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Shtabin e Përgjithshëm, si dhe efektivë nga trupa e nënoficerëve.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb