Një nga emrat më të njohur të botës së krimit ka marrë sot dënimin nga Gjykata e Posaçme e Apelit e cila ka lënë në fuqi dënimin e parë ndaj Shullazi dhe grupit të tij. Gazetarja Klodiana Lala raportoi për “BalkanWeb” se GJKKO ka vendosur të dënojë me 14 vite burg Emiljano Shullazin. Po kështu Gjykata vendosi 12 vite burg për Gilmando Dani, krahu i djathtë i Shullazit; 10 vite burg për Endrit Qyqjan, 10 vite burg për Endrit Zelën, të konsideruar anëtarë aktiv të bandës dhe 9 vite burg për Blerim Shullazin.

Shullazi dhe anëtarët e bandës së tij akuzohen për një seri krimesh. Procesi gjyqësor u zhvillua nën masa të rrepta sigurie për shkak të çështjes së ndjeshme. Gjykata e zhvilloi seancën e fundit pa praninë e avokatëve të Shullazit, duke argumentuar se ata po sfidojnë drejtësinë.

“55 vite burg në total për Shullazin dhe grupin e tij. Pas 3 vitesh të zvarritjes së procesit gjyqësor, Emiljano Shullazi i konsideruar si një nga njerëzit më të rrezikshëm të botës së krimit është dënuar me 14 vite burgim për akuzën e gjobëvënies, krijimit dhe drejtimit të një grupi të strukturuar kriminal. Procesi në Gjykatën e Posaçme të Apelit u shty deri ditën e sotme, ku treshja gjykuese e Apelit të Posaçëm vendosi të firmosë verdiktin dhe të cilësojë fajtor Shullazin dhe anëtarët e grupit të tij kriminal. Ndërkohë sipas verdiktit të Gjykatës së Posaçme, Gilmando Dani i konsideruar si krahu i djathtë i Shullazit është dënuar me 12 vite burg për akuzën e gjobëvënies në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. Endrit Qyqja dhe Endrit Zela, përkatësisht me nga 10 vite burgim, ndërkohë Blerim Shullazi është dënuar me 9 vite burgim.

Duhet theksuar se të gjithë janë konsideruar fajtorë për akuzën e gjobëvënies në kuadër të grupit të strukturuar kriminal në dëm të biznesmenit Ylvi Beqja, i cili mban edhe statusin e të penduarit të drejtësisë.
Të pandehurit Emiljano Shullazi, Gilmando Dani, Endrit Qyqja dhe Endrit Zela ishin të pranishëm në momentin kur treshja gjykuese dha vendimin, ndërkohë që nuk ishte i pranishëm Blerim Shullazi, i cili më herët tha se nuk ishte në gjendje të mirë shëndetësore, por Gjykata deklaroi se nuk kishte ndonjë raport nga mjeku i burgut dhe për këtë arsye nuk e konsideronte pengesë për të vijuar gjykimin. Të pandehurit nuk shprehën asnjë pretendim, e dëgjuan në heshtje vendimin e gjykatës. Sa i përket avokatëve mbrojtës, asnjëri prej tyre nuk ishte i pranishëm.
Avokatët kanë deklaruar se do t’i drejtohen me rekurs Gjykatës së Lartë, por ky është një nga proceset e pakta që zhvillohet pa praninë e avokatëve.
Ka një hetim tjetër ndaj Emiljano Shullazit. Bëhet fjalë për një akuzë të SPAK të ngritur ndaj tij dhe disa emrave të tjerë të njohur të botës së krimit siç është Lulzim Berisha, Plarent Dervishaj, të cilët janë në arrati; Indrit Taullaj apo edhe Viktor Ymeraj i njohur ndryshe si ‘Tori i Xhihanes’, një grup i cili sipas SPAK akuzohet se ka ekzekutuar në vitin 2005 Vajdin Lamaj, biznesmen dhe Klodian Saliun, dikur mik dhe më pas armik i përbetuar i Lulzim Berishës. Prokuroria ka më pak se tre muaj afat për të mbyllur hetimet”, raportoi gazetarja Klodiana Lala.

Që prej nisjes së procesit në dhjetor të vitit 2018, numri i seancave të shtyra në Apel ka qenë mbi 40, duke futur gjyqin në ngërç.

Kujtojmë se në fund të muajit korrik Shullazit iu shty edhe me një vit izolimi më regjimin ‘41 bis’. Në vitin 2018 Krimet e Rënda dënuan me 55 vite burg Emiljano Shullazin, Gilmando Danin, Endrit Qyqja dhe Endit Zela si dhe Blerim Shullazin. Për Shullazin u dha 14 vite burg, ndërsa ai bashkë me bandën e tij akuzohen për krijim të grupit të strukturat kriminal, gjobëvënie dhe kanosje për shkak të detyrës.

REAGIMI I GJYKATËS SË POSAÇME TË APELIT
Komunikohet në mënyrë të përmbledhur se, sot më datë 03.12.2021, në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, u shpall vendimi për çështjen me nr. 1/4/5/24/138 akti, datë 13.12.2018 regjistrimi, mbi ankimin e Prokurorit dhe mbi ankimet e të pandehurve E.Sh., E.Z., G.D., E.Q., dhe B.Sh., ku kolegji i Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi, mospranimin e ankimit të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar paraqitur më datë 26.11.2018, nr. 687 ankimi, ndaj vendimit nr. 122, datë 13.11.2018 të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda; lënien në fuqi të vendimit nr. 122, datë 13.11.2018 të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb