Drejtori i informacionit në “News 24”, Robert Rakipllari, i ftuar në emisionin “Real Story”, deklaroi se Partia Demokratike duhet të mbajë një qëndrim më të qartë, në lidhje me shpalljen ‘non-grata’ të ish-kryeministrit Sali Berisha nga DASH.

Rakipllari theksoi se qëndrimi i Berishës brenda grupit parlamentar të PD do të jetë në dëm të opozitës.

“Berisha ka thënë, që nëse PD fitonte, kishte menduar seriozisht të tërhiqej nga politika. Por me zhvillimet e fundit dhe shpalljen ‘non-grata’ nga DASH ai deklaroi që do e dyfishojë aktivitetin politik. Shtatori është ende larg dhe në kuptimin e një vendimmarrje të zotit Berisha, nga kjo pikëpamje qëndrimi i tij brenda grupit parlamentar të PD do të ishte në dëmin e tij, por edhe të opozitës, sepse do të kishte brenda një person që ka hedhur në gjyq Sekretarin Amerikan të Shtetit.

Nuk është vendim si të tjerat, është nga DASH. Nuk mundet që PD të ketë një qëndrim si tani, që edhe me DASH jemi, por do të jemi dhe me Berishën. PD do të iki në Parlament së bashku me aleatët, që mezi po presim. Zoti Berisha duhet ta zgjidhi vetë këtë çështje. Më shumë rëndësi më pas, është çështja që opozita po shkon në Parlament duke mos i njohur zgjedhjet”, tha Rakipllari.

Gjithashtu ai, u ndal te ftesa e kryeministrit Edi Rama ndaj opzitës për bashkëqeverisje. Rakipllari e cilësoi ftesën në kuadrin e një retorike, ndërsa shtoi, se në terren po rezulton e kundërta, pasi mazhoranca sipas tij nuk po pasqyron kulturë të re politike siç pretendon.

“Kryeministri thotë që është i hapur për dialog, megjithëse nuk e shoh në sfond bashkëqeverisjes. Kryeministri ka thënë që është i gatshëm për një kulturë tjetër politike, por në terren kjo s’po shihet. Mazhoranca hapi që ka marrë është shkarkimi i Presidentit. Opozita e ka kundërshtuar këtë. Kjo që propozon Rama nuk është kulturë e re politike.

Kemi retorikë, nuk kemi tregues që mazhoranca do mbajë deklaratat për kulturë të re politike. Nga njëra anë nuk shkon që thotë do të kthej kulturë të re politike dhe nga ana tjetër tenton të marrë institucionin e vetëm që nuk ka. PD rikthehet për të rikthyer zgjedhjet e lira për këtë vend dhe për të kthyer parimet që beson se shteti ka nevojë. Nëse ke ofruar dialog duhet të japësh shenja, por mazhoranca si ka dhënë”, përmbylli Rakipllari.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb