Ish-kryeprokurori Adriatik Llalla ka folur sot për vendimin e SHBA-ve për shpalljen non grata si dhe hetimet ndaj tij.

Në një intervistë për Çim Pekën Llalla tha se vendimi për ta shpallur ‘non grata’ në SHBA është bazuar në shkrimin e një portali.

Natyrisht, procesi penal zhvillohet në gjykatë. Por, kur bëhet fjalë për ish-Prokurorin e Përgjithshëm të Shqipërisë, njeriun që ka pasur fatet e shumë njerëzve në dorë, ka një interes shumë të lartë publik. Aq më tepër që emri juaj shënoi një rekord botëror, si personi i parë në planet që Sekretari Amerikan i Shtetit i bëri publike ndalimin, duke e shpallur ‘non grata’ për korrupsion madhor. Llalla, cili është korrupsioni madh që keni bërë ju dhe përse Shtetet e Bashkuara të Amerikës ju konsideroi si të përfshirë në korrupsion galopant?

Llalla: Pse nuk u hetuan edhe pronat e Prelës dhe Gjiknurit
Është një vendim i DASH që normalisht nuk më bën të ndihem aspak mirë, krenar, as veten as familjen time, as si shqiptar, as ballkanas apo evropian, sepse dal se kryeprokurori shqiptar del si më i korruptuari në botë, pa ju referuar një rasti konkret. Të dalë edhe në shumë kontinente të tjera, jo veç këtu. Pra flasim për kryeprokurorin që del si njeriu më i korruptuar në vend. Faktet që ju referuan DASH janë të çuditshme për mua. Unë do të ju referohem një përgjigje që vetë DASH i ka kthyer prokurorisë shqiptare lidhur me të dhënat që ata kërkuan për arsyen e ndalimit.
Nuk ka asnjë fakt, siç u citua. Del qartë që DASH thotë se ka një informacion në publikun e gjerë, por se kush është ky informacion, prej shumë vitesh juve si gazetar, nuk ka ndodhur ndonjë rast që një qytetar, shtetas, gazetar, përfshirë edhe ai individi që përmendëm më përpara të më thotë një rast korrupsioni në të cilin Llalla është i përfshirë, në një çështje të caktuar temë të caktuar korrupsioni. Opinioni i DASH është krijuar në bazë të këtij portali anonim të krijuar nga ky ish-deputet.

Ju po thoni se sekretari Tillerson ju ka shpallur non grata se ka besuar portalin e Alfred Pezës?
Nuk ka tjetër, nuk ka pasur asnjë të dhënë tjetër publike. Përgjigja i referohet një opinioni të gjerë publik, përveç një portali që u krijua kundër rregullave duke u betuar përditë se do të më shkatërronte mua dhe familjen time, etj. Qëllim që deri diku ka arritur ta realizojë duke e kthyer në një konflikt personal e jo vetëm ligjor.

Alfred Peza nuk tremb njeri, është ish-gazetar, ish-deputet, një prej megafonave të Ramës, por gjithsesi është pak e papranueshme të mendojmë se Peza paska ndikim tek ambasada këtu apo DASH për të ju shpallur non grata. Ky sulm ju ka ardhur nga ambasada këtu duke përdorur portalin e Pezës, apo mendoni se ka edhe politikanë të lartë kundër jush.
Në morinë e të gjithë këtyre që përmende secili ka rolin e vete. Unë po e nis nga politikanët shqiptare. Gjatë kohës që isha kryeprokuror, shumë zyrtarë të lartë, përfshirë politikanë, deputet, kryetarë bashkisë, u hetuan, dënuan, ndëshkuan për veprat që kishin kryer. Njëherazi në zbatim të ligjit të dekriminalizimit u larguan një sërë deputetësh që ishin kthyer në faktor politik në vend, sepse nuk ishin vetëm deputetë, por kishin edhe pasuri të konsiderueshme, media apo çdo material që ndikonte mbi pushtetin. Këta kanë ndikim në çështjen time. U krijuan përplasjet siç edhe rastit të krijuar vetëm për të më sulmuar mua.
Kush prej zyrtarëve të lartë, mendoni se ka ndikuar, hakmarrë ndaj jush?
Secili me rolin e vet, më aktivët duket qartë që media, megafoni ka qenë Peza.

Asnjëri prej tyre nuk është dënuar, thjeshtë ka pasur nisje hetimesh. A do të thotë kjo që Llalla nuk e ka bërë punën e tij, apo është shantazhuar?
Puna ime është bërë në mënyrën më të mirë të mundshme. Nuk ka asnjë rast të tolerimit, raste të shkeljes së ligjit. Përfundimit e gjykimit kanë ndodhur pasi unë jam larguar nga drejtimi i Prokurorisë së Përgjithshme. Të gjithë gjyqet kanë përfunduar apo kanë shpallur të pafajshëm pasi unë jam larguar.

Dakord, ju keni nisur hetimet, por Rama ka lënë jo njëherë, por disa herë të kuptohet se dalja e përgjimeve të zgjedhjes së Dibrës dhe Durrësit, në gazetën Bild ka qenë një bashkëpunim i prokurorisë shqiptare për të dëmtuar Edi Ramën dhe zgjedhjet e 2017. A ka pasur gisht Adriatik Llalla në publikimin e këtyre përgjimeve?
Nuk mundet që prokurori të përfshihet në nxjerrje të sekretit të hetimit. Do të ishte një tjetër shkelje ligjore.

A filluar një hetim për të kuptuar se nga dolën këto të dhëna?
Këto hetime kanë nisur dhe përfunduar pasi unë jam larguar nga funksioni, pasi mandati im ka përfunduar në fund të vitit 2017. Nuk e di me saktësi se çfarë ka ndodhur pasi unë jam larguar nga funksioni.

A mendoni se sulmi i brendshëm ka ndodhur pikërisht publikimi i këtyre përgjimeve? Ose firma juaj për të përgjuar këto zyrtarë?
Unë kam qenë gjithmonë në ushtrim të detyrës time.

A mund të ndodhin përgjimet pa urdhër të prokurorit?
Përgjimet formalizohen me vendimin e gjykatës. Përgjimet e proceduriale bëhen me firmën e gjykatës.

A keni qenë në dijeni se po përgjohen këta zyrtarë të lartë?
Isha në dijeni të shumë hetimeve që kishin nisur. Prokurori i Përgjithshëm ka pasur kompetenca më të mëdha se sa sot dhe tek unë, ishte detyrim që strukturat e prokurorisë të raportonin për ecurinë e hetimeve, sidomos kur bëhej fjalë për çështje sensitive.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb