Nga: ADELA XHAMANI*TIRANE-Shpat Kasapi e ka vazhduar angazhimin e tij në muzikë me këngë të reja e koncerte të shumta, mirëpo duke u qëndruar larg faqeve rozë. Këngëtari simpatik duket se në një moment u lodh me shkrimet për jetën e tij private dhe vendosi të tërhiqej tërësisht, duke refuzuar intervista e duke u treguar i kujdesshëm për lajmet që mund të botoheshin rreth tij. Por si çdo gjë në këtë jetë, edhe kjo fazë “tërheqjeje” për Shpatin qe kalimtare. Teksa ka filluar të publikojë poza nga udhëtimet e tij ku e shoqëron një bionde misterioze, artisti nga Tetova vjen sot në “Bluetooth” me një rrëfim pa doreza për punën dhe jetën e tij. Ndryshe nga artistë të tjerë, Shpati e pranon me modesti se koncertet nuk kanë më fluksin e dikurshëm e ai këndon me dëshirë edhe në dasma. Këngëtari nuk rezervohet të flasë as për ndarjen e bujshme nga bukuroshja Afërdita Dreshaj pas fotos së famshme në ballkon me Di Caprion. I vetmi sekret që Shpati nuk ndan me ne është emri i biondes që ka me vete për pushime, megjithëse thotë hapur se e ka shumë për zemër.

Shpat, prej kohësh nuk je pjesë e faqeve rozë me intervista; cilat janë të rejat në jetën tënde?
Nuk kam preferuar të dal shpesh në faqet rozë e as të jap intervista, pasi nuk vuaj të jem në kopertina çdo muaj. Të reja?! Ehhh, ka shumë (qesh).
Si po të shkon karriera muzikore?
Po më shkon mirë. Më së shumti jam angazhuar nëpër dasma e festa familjare, ku më ftojnë me shumë dashuri. Interesi karshi meje vazhdon të jetë i madh, ndaj në përgjithësi jam i kënaqur.
Dimë që sapo ke përfunduar xhirimet për videoklipin tënd më të ri. Na fol pak për këtë këngë; kush e ka bërë tekstin e muzikën, për çfarë flet kënga?
Po, është e vërtetë. Sapo ka përfunduar puna për këngën time më të re që del së shpejti e që kam bindjen se do iu pëlqejë të gjithëve. Është një këngë e kompozuar dhe e orkestruar nga producenti profesionist Gent Myftaraj, që është edhe miku im i ngushtë prej vitesh. Teksti është shkruar me mjeshtëri nga Kreshnik Avdiu. Xhirimet e klipit i kemi bërë në Durrës dhe në studiot e “Max Production”. Gjej rastin të falënderoj të gjithë bashkëpunëtorët e mi për punën e shkëlqyer që kanë bërë. Kënga flet për një vajzë së cilës unë i them “Ja bane vetes tënde”…
Vajza së cilës ti i drejtohesh në këngë, mos është ndonjëra që njohim ne?
Joo (qesh). S’ka lidhje, është e gjitha ideja e tekstshkruesit. Megjithatë mendoj se te kjo këngë do të gjejnë veten shumë njerëz kur ta dëgjojnë.
Kur do e shohim klipin në kanalet muzikore?
Mendoj se brenda muajit korrik kënga do të jetë gati për publikim.
Ndër vite ke bërë edhe disa bashkëpunime me këngëtarë të ndryshëm, pse kjo zgjedhje? Cilin prej tyre konsideron si më të suksesshmin?
Bashkëpunimet janë gjithmonë të mira, sidomos kur i bën me këngëtarë të njohur që i ke edhe miq. Të gjitha bashkëpunimet e mia ndër vite kanë qenë të suksesshme dhe nuk di të veçoj asnjërin prej tyre. Po përmend më të fundit, me Elonën dhe Mërgimin. Të dy janë këngëtarë dhe miq të shumë të mirë prandaj edhe bashkëpunova.
Sakaq, axhenda jote e koncerteve ka vazhduar me të njëjtat ritme; si të presin në koncerte?
Tani, duhet të jemi realistë e të pranojmë se nuk është siç ka qenë. Kriza e madhe ekonomike që ka kapluar njerëzit, pirateria, interneti, të gjitha këto kanë ndikuar që të mos ketë të njëjtat ritme si dikur. Që ta dini, kjo nuk vlen vetëm për mua, por për të gjithë. Prapëseprapë unë s’mund të ankohem, sepse kam mbi 25 koncerte çdo sezon veror dhe jam “full” me punë (buzëqesh).
Cila është kënga që të kërkojnë më së shumti të këndosh?
Megjithëse disa prej tyre kanë vite që kanë dalë në treg, një pjesë e publikut dëshiron akoma të dëgjojë këngë të miat si “S’mundesh ti pa mu”, “Daku”, “Kush të ndau prej meje”, dhe plot të tjera…
Këto kohë po qëndron më shumë në Shqipëri. Kush po të mban lidhur këtu?
Angazhimet e shumta. Në fakt, unë u nisa për një intervistë që kisha në Ulqin në Mal të Zi dhe ngaqë është afër me Shqipërinë erdha dhe te miku im Turjan Hyska në emisionin “Oktapod”, dhe kështu u takuam edhe bashkë për këtë intervistë.
Kemi parë edhe foto të tuat nga pushimet; kush është biondja që të shoqëron?
Ngelet sekret! Por është një person shumë i dashur për mua.
A je i dashuruar? Ke një lidhje?
Do t’jua them më të saktë në intervistën tonë të ardhshme. Mundet?! (qesh)
Je kthyer në formën e dikurshme fizike; sa kilogramë ke humbur?
Po, më në fund u ktheva në peshën e dikurshme dhe gëzohem shumë për trupim tim. Kam humbur plot 10 kilogramë. Tani jam në fazën e duhur dhe vazhdoj punoj me të njëjtin përkushtim, duke bërë not dhe boks që të arrij formën që dëshiroj.
Po si u dobësove më konkretisht, ke bërë sport, ke mbajtur dietë?
Po, kam mbajtur dietë dhe kam ushtruar notin. Me raste kam ushtruar edhe boks, e po ashtu dhe kompania ‘El Body’ më ka ndihmuar për të humbur ca kile, dhe tashmë jam imazh i saj.
Thonë se një nga shkaqet e shtimit në peshë është edhe stresi. Mos ndoshta u shëndoshe nga ndarja?
Jo, nuk besoj. Nuk lejoj që të më mundë stresi deri në atë shkallë. E kam menaxhuar mirë.
Ndarja jote ishte e bujshme; sa kohë u desh që ta harroje e të kaloje periudhën e vështirë?
M’u desh pak kohë.
Kush të ka qëndruar më shumë afër?
Nëna dhe shokët, Arbnori, Ali dhe Meti, që i kam për zemër.
A ke ndonjë peng nga e kaluara?
Jo, nuk vuaj për të kaluarën. E ardhmja besoj do të jetë më interesante.
30-vjetori të gjeti me statusin e beqarit; i ke vënë vetes ndonjë limit moshe për martesën?
S’e kam menduar këtë. Vjen me kohën edhe martesa. Por e pranoj se është diçka që e dëshiroj.

(a.n/Bluetooth/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: