Zbardhen detaje të reja nga grabitja e filialit të Postës Shqiptare në zonën e Babrrusë, në kryeqytet, ku autorët kanë marrë një shumë prej 200 mijë lekësh dhe janë larguar me biçikleta.

Gazetarja Dorjana Bezat raporton për “BalkanWeb” se shuma e parave të grabitura ka qenë mbi banak të postës, kur dy autorët, të rinj në moshë, kanë hyrë brenda dhe i kanë marrë. Siç mëson gazetarja Bezat, autorët kanë kërcënuar punonjësit, duke iu thënë “shpejt lekët”, dhe ata nuk kanë bërë rezistencë.

Gazetarja Bezat raporton për “BalkanWeb” se grabitësit, të cilët dyshohet se janë adoleshentë, kanë pasur grusht hekuri me vete, kapuça në kokë dhe shallë në fytyrë.

Por punonjësit deklarojnë se dy të rinjtë kanë qenë me pistoleta dhe i kanë kërcënuar me armë.
Menjëherë pas grabitjes, ata janë larguar me biçikleta në drejtim të Alliasit, ndërsa ngjarja është regjistruar nga kamerat e postës. Nga ana e saj, policia vijon krehjen e zonës për kapjen e autorëve.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb